Korrupsioni vijon të mbetet në shifra shqetësuese në optikën e perceptimit qytetar. Më shumë se 75% e qytetarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi e konsiderojnë atë një problem serioz dhe shumë serioz për qytetin. Ky është një prej përfundimeve të studimit “Promovimi i bashkëpunimit ndërmjet aktorëve të shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit”, i realizuar nga 3 organizata të shoqërisë civile. Sipas dokumentit, progresi gjatë 10 viteve të fundit shikohet me më shumë pesimizëm në Shqipëri dhe Serbi ku vlerësohet se eshtë më keq dhe shumë më keq se 10 vite më parë nga më shumë se gjysma e qytetarëve që iu përgjigjën pyetësorit. Në të tre vendet e përfshirë në studim qytetarët “fajësojnë” më së shumti politikanët si grupi i cili ushtron më tepër korrupsion, ndërkohë që vullneti politik për luftimin e korrupsionit nga qeveritë e vendeve ku është zhvilluar studimi perceptohet në shifra shumë të ulëta. Gjithashtu, përpjekjet e qeverive për luftimin e korrupsionit vlerësohen si joefektive nga pothuajse ½ e të anketuarve në Shqipëri dhe Serbi dhe pothuajse 1/3 e të anketuarve në Kosovë. Sipas raportit, pothuajse gjysma e atyre që iu përgjigjën pyetësorit në Shqipëri dhe Serbi deklarojnë se ju është dashur të paguajnë ryshfet për të marrë shërbime bazë, leje apo licenca, për të përshpejtuar proceset gjyqësore apo për të rishikuar taksat. Në Kosovë ky fenonem ndeshet më rrallë dhe qytetarët kanë zgjedhur në shumicën e rasteve të mos përgjigjen. Qytetet ku u zhvillua studimi janë Durrësit në Shqipëri, Smederevo në Serbi dhe Lipjan në Kosovë. Për Shqipërinë, studimi u udhëhoq nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike, ndërkohë që gjatë prezantimit të tij, përfaqësuesit e tre organizatave zbatuese te projektit e vunë theksin te rëndësia e mirëqeverisjes edhe në nivel vendor, e perceptuar kjo si qeverisje me transparencë, përgjegjësi, llogaridhënie, pjesëmarrje të qytetareve dhe përgjegjshmëri për nevojat e këtyre të fundit.
Advertisements