Ja si amerikanët nxorën jashtë loje Edi Ramën nëpërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit, zbardhen prapaskenat

Mania e Edi Ramës për të mbartur misione prej lideri global që askush nuk ia jep, është trill i vazhdueshëm i tij. Kryeministri shqiptar thirri pak ditë më parë një “konferencë të jashtëzakonshme” shtypi dhe kur të gjithë ishin mprehur të pyetej për arrestimin e Vangjush Dakos, ai lajmëroi se kishte vënë “botën perëndimore” në lëvizje, si SHBA-në, Gjermaninë dhe Francën, duke iu dorëzuar një draft për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi. Natyrisht, kuptohet që askush nuk ia ka kërkuar Edi Ramës këtë nder, pasi këtë fakt e konfirmuan dhe liderët e Beogradit dhe Prishtinës.

Advertisements

Por ajo që është më e rëndësishme është se këtë herë, kreu i qeverisë shqiptare doli përfundimisht jashtë loje. Draftin e tij nuk e përfilli njeri. Dhe anglezët thanë se nuk e kanë lexuar fare. Çfarë do lloj plani që kishte planifikuar kryeministri nuk u realizua. Madje të vetmen gjë që arriti ishte që kosovarët të krijojnë një urrejtje të panevojshme ndaj vendin tonë dhe e gjitha për shkak të qëndrimeve të liderit tonë global. Këtë herë, amerikanët i treguan “vendin” Ramës nëpërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit.

Advertisements

Edhe pse këta dy të fundit shfaqen si armiq të egër deri në vdekje, janë SHBA në prapaskenë që luajnë “fijet” dhe si presidenti serb, apo lideri kosovar nuk bëjnë dot asnjë gjë jashtë urdhrave të amerikanëve. Në mediat serbe gjithmonë është shfaqur qëndrimi i qartë dhe i prerë se konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë mund ta zgjidhë SHBA. Sipas Beogradit, gjithmonë ka mjaftuar një telefonatë nga Uashingtoni drejt Albin Kurtit që të vihet në rresht.

Vuçiç “i përkëdheluri” i SHBA

Nga ana tjetër, SHBA e sheh Vuçiçin si partner legjitim në bisedimet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Edhe politika serbe e ka pranuar para pak ditësh se Perëndimit i duhet ai për të kryer detyrën për të cilën dikur ishte projektuar dhe të cilën presidenti serb premtoi se do ta përmbushte. Amerikanët besojnë se Vuçiç është i detyruar ta realizojë atë që u ka premtuar në lidhje me Kosovë. Perëndimi e mbështet liderin e Beogradit edhe për shkak të pamundësisë së tij për të gjetur bashkëpunëtorë adekuat brenda opozitës për çështjen e Kosovës. Pra, Kosova tani është mburoja më e madhe politike për qeverisjen e Aleksandër Vuçiçit dhe interesat e tij janë që të mos dalë kundër SHBA.

Qëndrimi i Kurtit

Në konferencë për median kryeministri Albin Kurti tha se nuk e ka parë dhe as lexuar draftin e asociacionit të propozuar nga kryeministri Edi Rama. “Unë i besoj Ramës, që ai beson se ai model është i mirë për pakicat kombëtare. Por dhe duke u bazuar në Kushtetën e Shqipërisë, neni 8 pika 1 por dhe kontenstin politik ku ndodhemi unë po tregoj se ku është adresa dhe cila duhet të jetë kërkesa për këtë model. Adresa Beogradi. Kërkesa për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Nuk e di nuk e kam lexuar por i besoj Ramës, që ai beson se ai model është i mirë dhe i duhur”, tha Kurti.

Presidenti serb refuzon Ramën

Edhe Vuçiç nuk e ka pranuar propozimin e kryeministrit Edi Rama për Asociacionin. Ai deklaroi se as kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe as ai i Kosovës, Albin Kurti nuk kanë të drejtë të bëjnë një propozim për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. Lideri serb ripërsëriti se të drejtën e propozimit të këtij statuti e ka vetëm ekipi menaxhues, për të cilin është rënë dakord më herët, i përbërë nga serbët. “Kur dëgjoni që Kurti ka propozimin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe, se Rama ka propozimin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe, që disa OJQ kanë propozimin e tyre për Asociacionin e komunave serbe, asnjëri prej tyre nuk ka të drejtë të ketë propozime. Ai propozim duhet të bëhet nga serbët dhe ekipi menaxhues i përbërë nga serbët”, tha Vuçiç.

“Shuplaka” e Escobar

Me projektin e Asocacionit kryeministri Rama ka anashkaluar në këtë mes sërish Uashingtonin. I dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e tha qartë nga Beogradi se Asociacioni nuk është çështje urgjente. Teksa ka komentuar kërkesat për zgjidhjen e situatës në veri, zyrtari i DASH ka thënë se nuk i ka dhënë afat Kurtit. 3 kërkesa i janë paraqitur kryeministrit kosovar nga Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, për zgjidhjen e krizës në veri të vendit. Qetësimi i situatës në terren, shpallja e zgjedhjeve të reja për katër komunat veriore dhe rikthimi në tryezën e dialogut, i ka në tavolinë kryeministri Kurti. Lideri kosovar po i zbaton me përpikmëri mesazhet e qarta dhe të prera të Perëndimit. Kjo lëvizje në këtë moment e Ramës duke e trajtuar Asociacionin si shpëtim për Kosovën tregon hapur se Rama po flet sërish me gjuhën e Vuçiçit. Presidenti serb në çdo dalje të tij për media, takim me ndërkombëtarët, por edhe në fjalimet e tij përmend çështjen e Asociacionit si diçka që duhet të realizohet sa më parë dhe këtë gjë po e pengon Prishtina.

Kritikat e Zërit të Amerikës

Në fjalët e Ramës kur dha lajmin se kush e hartoi draftin kishte shumë paqartësi dhe një nga këto i evidentoi dhe Zëri i Amerikës. “Mbetet po ashtu e paqartë nëse ka qenë qeveria shqiptare e cila ka kërkuar hartimin e këtij dokumenti, apo ai i është ofruar asaj. Zoti Rama tha se ekspertët kanë dhënë një kontribut dhe se ai thjesht ka bërë që ky kontribut të kthehet në një mundësi për dialog duke theksuar se nuk ka dalë vullnetar për të bërë asnjë marrëveshje, “unë thjesht kam marrë përsipër të kontribuoj për tryezën e dialogut nëpërmjet kumbarëve të procesit, që janë presidenti i Francës dhe kancelari i Gjermanisë. I takon atyre të bëjnë atë që dëshirojnë me këtë kontribut sepse tani ishte gati për tu bërë dhe tani janë kushtet për tu bërë, duke parë që në vend se të ulen në tryezë njëri çon policinë në godina bosh, tjetri çon ushtrinë për të kënduar këngë në kufij me Kosovën”, thuhet në shkrimin e “VOA”.