Teksa është gjysma e stinës së verës, nxehtësia rekorde dhe moti ekstrem gjatë këtij viti janë të paprecedentë, por jo befasues, thanë shkencëtarët.
Advertisements
Bota është përballur me nxehtësi dhe vërshime vdekjeprurëse dhe me zjarre të egra. Por, ende nuk ka sinjale se situata është duke u përmirësuar.
Advertisements
Qendrat për parashikimin e motit në Evropë dhe Amerikë kanë paralajmëruar se muajt gusht dhe shtator do të jenë më të nxehtë se zakonisht.
“Ne po shohim në mbarë botën ndryshime të paprecedentë”, tha shkencëtari për klimën në Agjencinë kombëtare amerikane të Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA), Gavin Schmidt.
“Valët e të nxehtit që po shohim në Shtetet e Bashkuara, në Evropë, në Kinë, po thyejnë rekorde. Kjo nuk është befasi”, tha ai.
Shkencëtarja e klimës në Kolegjin Mbretëror të Londrës, Friederike Otto, tha se shpjegimi se pse po ndodhin valët e të nxehtit është “gjë e mërzitshme”, pasi sipas saj ato vazhdimisht ndodhin. Megjithatë, ajo tha se shpjegimi pse ndodhin valët e të nxehtit ka rëndësi, “sepse tregon sërish se sa kanë rol ndryshimet klimatike në atë që ne aktualisht po përjetojmë”.
“Këto ndikime do të vazhdojnë”, tha Schmidt. “Ne do të shohim këto ndikime gjatë këtij viti dhe gjatë vitit tjetër” me ngrohjen natyrale të Paqësorit nga El Ninjo, që do të shtojë ndikim dërrmues në ndryshimet klimatike që shkaktohen nga njeriu, kryesisht përmes djegies së qymyrit, naftës dhe gazit”.
Nxehtësi e madhe
Në nivel botëror, qershori i këtij viti ka qenë qershori më i nxehtë në histori dhe shkencëtarët kanë thënë se korriku ka qenë aq i nxehtë, saqë ende pa përfunduar muaji konstatuan që do të ishte muaji më i nxehtë në histori. Por, janë disa shtete që janë goditur nga nxehtësia dhe ka pasur viktima.
Feniks në Arizona të SHBA-së, ku në ditën e fundit të qershorit dhe çdo ditë të korrikut është shënuar temperaturë prej të paktën 43 gradë Celsius, shënoi rekord për valën më të gjatë të të nxehtit, përderisa temperaturat nuk zbritën nën 32 gradë gjatë natës.
Në El Paso të Teksasit, për 44 ditë me radhë temperaturat ishin 37 gradë Celsius. Shkollat u mbyllën në shtetin Nuevo Lion në veri të Meksikës një muaj para kohe, pasi temperaturat arritën në 45 gradë Celsius.
Majami u përball me lagështi të ajrit dhe temperaturat prej mbi 38 gradë Celsius për 46 ditë me radhë.
Pekini, po ashtu, ka shënuar rekord të temperaturave. Në korrik, për 27 ditë kryeqyteti i Kinës ka regjistruar temperatura prej 35 gradë Celsiusësh, teksa në qershor për tre ditë ka shënuar temperatura prej 40 gradësh. Kina regjistroi temperaturën më të lartë në histori më 16 korrik në qytetin Sanbao, ku temperatura arriti në 52.2 gradë Celsius.
Temperatura rekorde janë shënuar në mbarë Evropën jugore. Në Sardenja të Italisë u regjistrua temperaturë prej 47 gradë Celsiusësh. Palermoja në Sicili theu rekordin e vitit 1791, duke shënuar rritje të temperaturave prej 2 gradë. Në Giteio të Greqisë u regjistrua temperaturë prej 46 gradë Celsiusësh.