Një ish-prokuror dhe politikan i lartë del i përfshirë në komunikimet me aplikacionin “SKY ECC”. Kështu deklaroi dje eksperti i sigurisë, Ervin Karamuço gjatë një reagimi në rrjetet sociale. Madje zoti Karamuço, mes të tjerash thekson se “lista po shtohet nga dita në ditë”, me emra të rinj dhe shumë interesant, por duhen pritur përfundimet e SPAK-ut. “Një tjetër ish prokuror dhe politikan i lartë po del i përfshirë në komunikimet e “SKY ecc”. Megjithëse lista po shtohet nga dita në ditë me emra të rinj dhe shumë interesant, na duhet të presim akoma për përfundimet e SPAK”, shkroi dje Karamuço. Kujtojmë se aplikacioni “SKY” flitet se është përdorur në masë të madhe nga kriminelë dhe persona të lidhur me krimin në Shqipëri. Ky aplikacion ishte në modë në botën e errët të krimit të organizuar në të gjithë Europën, pasi pretendohej se me të mund të komunikohej pa u përgjuar. Por zbërthimi nga autoritetet evropiane zbuloi mijëra anëtarë të bandave kriminale dhe jo vetëm, në të gjithë Europën, përfshi edhe ata të arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza” në Shqipëri. Përgjimet që autoritetet franceze nxorën nga aplikacioni “SKY” zbulojnë jo vetëm si funksiononte porosia e vrasjeve me pagesë, por edhe se shumë nga drejtuesit e policisë në Shkodër i shërbenin rregullisht bandave kriminale. Në bisedat mes Behar Bajrit dhe biznesmenit Pëllumb Gjoka, i cili ka porositur disa vrasje për të ekzekutuar Ibrahim Licin, Genc Tafilin, Dorian Dulin dhe Kleant Musabelliun del se ishin angazhuar edhe shefa të policisë që përdornin edhe mjetet e shtetit për të përgjuar personat e vënë në shënjestër. Në një bisedë të transkriptuar mes Behar Bajrovicit dhe Pëllumb Gjokës, që ndodhet në dosjen e SPAK, ata të dy flasin për ndarjen e komisariatit, në shefa që punojnë për ta dhe në shefa që punojnë për palën tjetër. Një ndarje e tillë e policëve mes bandave është përfolur përherë, por këto përgjime janë provat e para që tregojnë nivelin e kriminalizimit në radhët e policisë shqiptare.
Advertisements