“E rrëmbyen, e lidhën dhe…”/ Dënohet banda që torturoi në mënyrë makabre shqiptarin në Britani

by editor

Shqiptari u rrëmbye pasi kreu i bandës besonte që mund t’i zhvaste shumë para

Advertisements

Nëntë persona janë dënuar me burg në Britaninë e Madhe, pasi akuzohen si pjesëtarët e një bande kriminale, që ka rrëmbyer dhe torturuar një shqiptar.Raportohet se banda, me bazë në Cardiff, përdorte tortura nga më të tmerrshmet, për të përfituar para nga viktimat, siç ishte rasti i shqiptarit Ledio Ibrahimi. Sipas mediave britanike, Ibrahimi ishte rrahur, lidhur, zhytur në ujë dhe i është mbajtur një armë në kokë pasi u rrëmbye në vitin 2020.

Më 11 dhjetor 2020, Ledio Ibrahimi mori një mesazh nga shoku i tij “Marcus”, një pseudonim që përdorej nga koka e bandës Fortune Lawson, i cili i sugjeroi të takoheshin. Lawson drejtonte një biznes online ushqimor dhe jetonte në zonën Grangetown të Cardiff dhe Ibrahimi e kishte njohur Lawson rreth tre vjet më parë pasi kishte blerë kanabis prej tij.Dyshja u takuan rreth orës 17:00 atë pasdite dhe Lawson i sugjeroi të shkonin në njw bar për të pirë kanabis. Ky ishte kurth, dhe Lawson në fakt po e çonte viktimën e tij në një pritë ku e priste një bandë e armatosur që kishin udhëtuar nga Londra.

Advertisements

Sipas autoriteteve, Ibrahimi ishte përzgjedhur për rrëmbimin, sepse Lawson besonte se mund t’i zhvaste prej tij një shumë të madhe parash. Ai e çoi viktimën e tij në një banesë në qytet dhe e torturoi duke i zhytur kokën në ujë, duke e rrahur dhe kërcënuar herë me armë, herë me thika dhe me një “qen sulmues”. Banda i kërkonte viktimës 100,000 paund duke e kërcënuar se do ta mbanin peng derisa ai të paguante.

Ibrahimi u detyrua të telefononte një mik për të rregulluar dorëzimin e një shume fillestare prej 50,000 paund, por miku e denoncoi rastin në policinë e Uellsit të Jugut dhe e raportoi si një “situatë për jetë a vdekje”. Pa e ditur rrëmbyesit, negociatorët e pengjeve u vunë në punë për monitorimin e telefonatave për dhënien e këstit të parë prej 50.000 paund.

Viktima u dërgua në një fortesë tjetër në Hemel Hempstead, Hertfordshire, ku kalvari i tmerrshëm i kërcënimeve me armë vazhdoi përpara se ai të shpëtohej përfundimisht nga policia e armatosur, të cilët e gjetën atë të lidhur me kabllo në kyçet e dorës “duke u tundur dhe duke qarë nga tmerri që kishte përjetuar”.

Advertisements

Dëshmitë e ADN-së të marra nga gjaku i gjetur në banesën në Cardiff e shtynë policinë të identifikonte edhe një viktimë tjetër rrëmbimi, edhe ai shqiptar. U identifikua si Halim Vladi, i cili gjithashtu ishte mbajtur kundër vullnetit të tij dhe ishte dhunuar njësoj si bashkatdhetari i tij.

Davood Assadpour, 33 vjeç dhe Micaiah Marley, 30 vjeç, u burgosën me 15 vjet; 27 -vjeçarët Arnold Fumemeya dhe Alexis Mutesa me 13 vjet; Gideon Lawson, 24 vjeç, me 12 vjet burg; Ahmed Omar, 29 vjeç, me 9 vjet; Stephen Isaac, 66 vjeç, me 6 vjet; dhe Denis Delishaj, 34 vjeç, me 8 vjet burg.

Gjykata dëgjoi se Denis Delishaj me origjinë shqiptare, luajti një “rol të rëndësishëm” në shantazhimin e Ledio Ibrahimit, por ndërsa ai nuk ishte pjesë e rrëmbimit apo torturës, ai ishte “në anën tjetër të telefonit” dhe teksa ndodhte dhuna përkthente fjalët e viktimës kundrejt shpërblimit.

You may also like