Çfarë rrezikon Sali Berisha nëse nuk paraqitet në SPAK më 6 nëntor

by editor

Sipas ekspertëve ligjorë, ish-kryeministrit mund t’i rëndohet masa e sigurisë, teksa ekzistojnë dy skenarë

Advertisements

Ish-kryeministri Sali Berisha vijon t’i bëjë rezistencë vendimit të SPAK, që e detyron atë të paraqitet në Gjykatë të hënë e parë dhe të tretë të çdo muaji.

Advertisements

Ish-kryeministri deklaroi ditën e premte se nuk do të paraqitet, në lidhje me akuzën e korrupsionit pasiv në privatizimin e kompleksit Partizani.

“Nuk e shkel kushtetutën dhe nuk do të paraqitem…”– tha Berisha.

Por çfarë rrezikon ish-kryeministri nëse i qëndron fjalës së tij?

Juristët, referuar bazës ligjore dhe praktikës juridike, thonë se ish-kryeministri mund të përballet me ashpërsimin e masës së sigurisë nëse refuzon të zbatojë vendimin e gjykatës “detyrimin për tu paraqitur” në SPAK, para oficeres së policisë gjyqësore Adelajda Metaj.

Avokatët e pajisur me prokurë nga Berisha, apeluan masën, megjithatë për sa kohë ajo është në fuqi, data e parë kur Berisha duhet të paraqitet, sipas vendimit të gjykatës, është ora 10:00 e të hënës, datë 6 nëntor 2023.

Në këtë kohë oficerja mban proces-verbal ku shënon se Sali Berisha nuk është paraqitur dhe se nuk ka dorëzuar raport mjekësor apo dokument tjetër që justifikon ligjërisht mosparaqitjen.

Që nga ky moment, prokurorit i lind e drejta të veprojë me një masë tjetër më të rëndë se dy masat që janë në fuqi deri tani. Megjithatë para këtij veprimi, mund të përsëritet edhe njëherë njoftimi për Sali Berishën ku i bëhet e ditur se duhet të paraqitet në kohën e përcaktuar në respektim të vendimit të gjykatës.

Mosparaqitja edhe pas këtij njoftimi, i vendos prokurorët para dy opsioneve:

I pari, të kërkojnë një masë tjetër sigurie, “arrest shtëpie” ose “arrest me burg”, por për të dyja këto, duhet të kërkohet autorizim nga Parlamenti.

Për masën “arrest në burg”, ka një pengesë ligjore që lidhet me moshën e Sali Berishës mbi 70 vjeç. Për masën arrest shtëpie, nuk ka kufizim moshe, por SPAK dhe GJKKO duhet ti kërkojnë parlamentit, krahas heqjes së imunitetit edhe autorizim për shoqërim të detyrueshëm të Berishës me policë, pasi nuk ka zbatuar masën e parë. Nëse parlamenti e miraton kërkesën, ekzekutimi i masës “arrest shtëpie” bëhet nga policia që e shoqëron Sali Berishën në banesë dhe vendos një trupë shërbimi për tu kujdesur për zbatimin e “arrestit në shtëpi” për sa kohë kjo masë vijon. “Arresti në shtëpi” shoqërohet me takimin vetëm me anëtarë të familjes dhe avokatin duke mos lejuar kontaktin me median apo persona të tjerë.

Skenari i dytë, më pak i mundshëm, është që prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai vendosin vijimin e hetimit me masën që është në fuqi “detyrim paraqitje”, duke administruar deklaratat ku Berisha verbalisht pranon se ka marrë dijeni. Në këtë rast, vendimi i masës depozitohet në sekretarinë e GJKKO, e cila ia dërgon Berishës me postë në adresën ku figuron banues. Pas këtij veprimi, bëhet deklarimi i mungesës së Berishës, dhe sipas ligjit, barazohet me personin e ikur, në zbatim të Nenit 247, paragrafi 3/1 i Kodit të Procedurës Penale që parashikon se: I ikur konsiderohet personi që megjithëse ka dijeni, i shmanget me vullnet zbatimit të masave të sigurimit, ose dënimit me burgim. Ky nen i përgjigjet saktësisht situatës së Berishës, për të cilin policët kanë shënuar në procesverbal se “nuk u gjet” pasi kanë tentuar ta lajmërojnë në selinë e Rithemelimit dhe në banesën e tij ku ka adresën e deklaruar edhe pse ai verbalisht ka marrë dijeni për masën.

Deklarimi i ikjes, pasohet me vijimin e hetimeve me një avokat kryesisht për Berishën i cili mund ta përfaqësojë edhe pas dërgimit të dosjes në gjyqin e themelit.

You may also like