Një automjet tip “Passat” çau pikën kufitare të Kapshticës në Devoll dhe kaloi poshtë hundës së policisë duke kaluar në Greqi.
Advertisements
E gjithë trajektorja e lëvizjes së makinës së ngarkuar me 26 kg drogë, është filmuar nga kamerat e sigurisë së pikës kufitare Kapshticë.
Advertisements
Kamerat e siguruara nga Ora News, kanë filmuar dhe lëvizjet e dyshimta të Stiljan Pashos, kryekomisarit të kufirit në Korçë, i cili shfaqet duke zbritur pikërisht në makinën ku ndodhej droga dhe mandej kryen veprime konkrete për sjelljen e lehtësirave të kalimit pa pengesa dhe mes policëve të automjetit tip “Passat” që shihet në pamjet filmike.
Në këto pamje filmike tregohet qartë se kryekomisari i kufirit Stiljan Pasho, ka udhëtuar nga Korça në Kapshticë në këtë makinë, duke qëndruar në vendin e parë. Në këtë moment Pasho zbret nga makina dhe drejtohet tek grupi i policëve të kontrollit.
Ndërsa në këtë moment nga dera e pasme e “Passatit” del një person me bluzë të verdhë duke hyrë sërisht në makinë, pikërisht në vendin e parë ku qëndronte shefi i kufirit, Stiljan Pasho.
Pasho drejtohet tek pika e kontrollit dhe urdhëron policët që të kontrollojnë një makinë tip “Benz-Mercedez”, pasi kishte informacion se në mjet mund të kishte sende të paligjshme.
Në fakt Benzi ishte makina pararojë e automjetit tip “Passat” dhe është përdorur si kamuflim për të shpëtuar nga kontrolli fizik, pikërisht automjetin tip “Passat”.
Teksa policët kontrollonin mjetin tip “Benz”, në pamjet filmike duket qartë se si Stiljan Pasho, largohet për një çast nga grupi i kontrollit dhe shkon ngadalë tek “Passati”.
Ai flet diçka me drejtuesin e mjetit Lorenco Lika dhe ky i fundit nxjerr “Passatin” nga rradha e pritjes. Në këtë moment kryekomisari i kufirit ia bën me dorë për tu larguar mes policëve të kontrollit duke kaluar në anën e pikës doganore të Greqisë.
Por këto lëvizje ranë në sy të policëve grekë të cilët sapo “Passati” mbërriti në pikën doganore të tyre, ushtruan një kontroll të imtësishëm duke arritur të gjejnë plot 26 kg drogë.
Grekët arrestuan Lorenco Lika dhe pas tij edhe personin që kishte dalë për të pritur sasinë e drogës.
E gjitha ka ndodhur në 27 nëntor 2023, ndërsa pas dy ditësh është bërë nga AMP Korçë dhe prokuroria e qytetit, arrestimi i shefit të kufirit për qarkun e Korçës, Stiljan Pasho.
Në lidhje me këtë procedim penal është bashkëpunuar ngushtësisht edhe me homologët e Policisë greke nëpërmjet Pikës së Bashkëpunimit Policor Greqi – Shqipëri, e si rezultat i këtij bashkëpunimi është bërë e mundur kapja e 26 kg lëndë narkotike në shtetin grek.