“Të kujton me mall burri Naimi si dhe djemtë…” Kjo kurorë me lule vijon të qëndrojë mbi varrin e Liridonës, një ditë pasi policia e Prishtinës zbardhi krimin e rëndë. Naim Murseli e luajti rolin e tij deri në fund. U shfaq i brengosur në ceremoninë mortore dhe ia bëri nderimet bashkëshortes së tij 30-vjeçare siç e do zakoni.
Advertisements
Një rol që u besua nga familjarët të cilët edhe në ëndrrën e tyre më të keqe, nuk do ta kishin imagjinuar se nëna e dy fëmijëve ishte vrarë pikërisht nga ai njeriu që i vendosi mbi varr këtë kurorë, e që priti e përcolli të afërm e familjarë që vajtonin për humbjen e një jete kaq të re.
Pak kush imagjinonte në fakt që ngjarja e denoncuar nga 33-vjeçari si grabitje, ishte një plan i organizuar nga vetë ai. Fatmirësisht Naim Murseli nuk arriti t’ia hidhte policisë, e cila pasditen e së premtes e vuri në pranga si porositës të vrasjes.
Bashkë me të u arrestua edhe Granit Plava, personi që u pagua 15 mijë euro për t’i marrë jetën nënës së dy djemve të vegjël, e që 15 të tjera do t’i merrte më pas. Prangave nuk i shpëtoi as nipi i Naim Murselit, Kushtrim Kokalla, pjesëtar i FSK, bashkëpunëtor në këtë krim.
Gazetarja Blerta Dalloshi Berisha ishte këtë të shtunë në fshatin Cërmanjë të Gjakovës, vendlindja e familjes Murseli. Gazetarja shkoi në varrezat e fshatit, aty ku prehet momentalisht Liridona. Vrasja e saj ka tronditur edhe vetë të afërmit e autorit, që për gazetaren thanë se ai duhet të marrë dënimin e merituar.
Dalloshi Berisha përcolli edhe këto pamje, të cilat i përkasin shtëpisë të familjes së Naim Murselit.
Ndërsa ky është vendi ku u arrestua ekzekutori, Granit Plava.
Pak orë pasi autoritetet hodhën dritë mbi vrasjen e Liridonës, familja kërkoi zhvarrosjen e vajzës së tyre, në mënyrë që ajo të prehet në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj.
Liridona Ademaj mbeti e vrarë mbrëmjen e së mërkurës, në periferi të Prishtinës, në sy të dy djemve të saj të vegjël. Këta të fundit momentalisht po qëndrojnë me familjen Murseli dhe pritet që Qendra për Punë Sociale të marrë një vendim për fatin e tyre.
Ndërsa Naim Murseli, së bashku me dy të arrestuarit e tjerë do të përballet me drejtësinë. Ata e kanë pranuar krimin, por deri më tani, mister mbetet ende arsyeja përse i mori jetën nënës së fëmijëve të tij./tvklan.al