Suedia nuk jep informata për të kaluarën e Naim Murselit, hetimet për vrasjen plot “mister” ia lë Kosovës

by editor

Policia suedeze thotë se s’mund të ndajnë informacione nëse Naim Murseli ka ndonjë precedent kriminal

Advertisements

Shteti suedez po i vëzhgon hetimet që po zhvillojnë autoritetet e Kosovës lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt dhe arrestimin e bashkëshortit të saj, i cili dyshohet se porositi vrasjen. Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Suedisë s’kanë pranuar të tregojnë nëse janë përfshirë direkt në hetime, por vetëm kanë thënë se me rastin po merret ambasada e tyre në Prishtinë. Policia suedeze thotë se s’mund të ndajnë informacione nëse Naim Murseli ka ndonjë precedent kriminal atje, për shkak të ligjeve të privatësisë.

Advertisements

Dy javë më parë, Kosova u trondit nga një krim i rëndë që u krye në fshatin Bërrnicë të Prishtinës, ku para dy fëmijëve të saj, u vra 30-vjeçarja me shtetësi suedeze, Liridona Ademaj.

Rasti fillimisht u cilësua si grabitje me pasoja vrasjeje, por më pas, Policia e Kosovës arrestoi tre të dyshuar lidhur me rastin, përfshirë edhe bashkëshortin e Liridonës, Naim Murselin.

Murseli dyshohet se porositi vrasjen e gruas së tij, duke i premtuar 30 mijë euro Granit Plavës për ta kryer krimin e rëndë. Ndërsa, i arrestuari tjetër për këtë rast, Kushtrim Kokalla, dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Hetimet lidhur me këtë rast janë duke u kryer nga autoritetet e Kosovës, e deri tash nuk ka ndonjë shenjë të përfshirjes direkte të Suedisë në hetimin e rastit.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Suedisë kanë deklaruar për Gazetën Express se mund të konfirmojnë arrestimin e një burri rreth të 30’ve në Kosovë, duke aluduar për Murselin dhe se me rastin po merret ambasada suedeze në Prishtinë.

Informacione të tjera kanë thënë se s’mund të ndajnë, për shkak të konfidencialitetit.

“Ministria suedeze e Punëve të Jashtme mund të konfirmojë se një burrë rreth të 30-ave është arrestuar në Kosovë. Ambasada e Suedisë në Prishtinë po merret me këtë çështje. Dispozitat e fshehtësisë në çështjet konsullore parandalojnë zbulimin e çdo informacioni të mëtejshëm. Të gjitha pyetjet në lidhje me ndonjë hetim policor ia referojmë policisë në Kosovë”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Media të MPJ’së së Suedisë.

Informacione s’kanë pranuar të ndajnë as Policia e Suedisë. Në pyetjet që i ka drejtuar Gazeta Express tek ky institucion, përfshirë edhe një nëse Murseli ka të kaluar kriminale atje, Policia suedeze ka thënë se ligjet e privatësisë s’ua lejojnë të përgjigjen në të tilla pyetje.

“Policia suedeze nuk është në gjendje të ndihmojë me përgjigjet e pyetjeve që ju i keni bërë autoritetit policor në emailin tuaj. Kjo në lidhje me legjislacionin suedez të privatësisë”, thuhet në përgjigjen e policisë suedeze për Express.

Lidhur me këtë rast, para një jave, është deklaruar edhe Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Ëesterlund.

Ai tha se shteti suedez po punon ngushtë me autoritetet e Kosovës për hetimin e këtij rasti, të cilin cilësoi “mister”.

“Ne jemi duke punuar pandërprerë rreth këtij rasti së bashku me autoritetet lokale të Kosovës. Ky është një rast shumë i ndjeshëm dhe ka shumë mister rreth këtij rasti, nuk mund të them më shumë, jemi duke punuar në këtë rast bashkë me autoritetet”, ka thënë ambasadori.

Murseli s’mund të ekstradohet në Suedi – s’e lejon Ligji

Pas arrestimit të Murselit, janë ngritur dyshime nëse Suedia do të bëjë kërkesë për ekstradimin e tij dhe nëse një gjë e tillë do të lejohet nga Kosova.

Këtyre dyshimeve, u ka dhënë fund Ministria e Drejtësisë e Kosovës.

Duke iu referuar ligjit në fuqi, Ministria e Drejtësisë ka thënë qartazi se ekstradimi nuk lejohet për veprat penale që kryhen në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës.

“Sa i përket pyetjes së parë ligji në fuqi në Republikën e Kosovës e përcakton se ekstradimi nuk do të lejohet për veprat penale të kryera në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Sipas Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale, Nenit 6, “Ekstradimi nuk do të lejohet për veprat penale të kryera në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës dhe mund të mos lejohet për vepra penale të kryera pjesërisht në territorin e Republikës së Kosovës”.

Si ndodhi rasti – çka tha Gjykata kur u caktoi nga një muaj paraburgim?

Tre të dyshuarit për krimin e rëndë, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, ndodhen në paraburgim. Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për veprën penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.

Caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për secilin veç e veç, Gjykata e ka arsyetuar “ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale”.

Në këtë njoftim, Gjykata kishte treguar edhe dyshimet se si kishte ndodhur rasti.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhet në njoftim.

Si u tentua të fshehej rasti?

Ky rast fillimisht ishte kualifikuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.

Në raportin 24 orësh të Policisë u tha se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.

“GRABITJE ME PASOJA TË VRASJES – Rr. Dlip Alshiq, Prishtinë 29.11.2023 –20:26. Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

Marrë nga Gazeta Express.

You may also like