Si dështoi atentati i organizuar nga ish-polici Dedan Gjoni

by editor

Ish-shefi i Krimeve në komisariatin Nr.6, Dedan Gjoni, informonte në aplikacionin “WhatsApp”, Dejvi Gjermenin, lidhur me lëvizjet e Xhevdet Plakut, për të cilin kishte një plan eliminimi, por që dështoi. Pikërisht komunikimet që ish-efektivi ka shkëmbyer në “WhatsApp” dhe jo në “Sky” apo “EncroChat” duket se janë bërë shkas dhe që plani të dështonte, kjo pasi ata druheshin se mund të zbuloheshin.

Referuar dosjes hetimore, më 17 Shtator 2019 kohë kur Dedan Gjoni ishte pjesë e strukturave të policisë Durrës, ka ndaluar Xhevdet Plakun teksa lëvizte me makinë të blinduar dhe e ka shoqëruar atë në komisiariat. Pas kësaj, ish-efektivi i ka dërguar foto të Xhevdet Plakut, Dejvi Gjermenit i cili ndodhej në Holandë duke i treguar se do e lironte në orën 20:00 të mbrëmjes nga dera e pasme e komisariatit.

Pasi është vënë në dijeni të këtyre të dhënave, Gjermeni ka informuar Algert Arapin dhe xhaxhain e tij Rexhep Arapin të cilët interesoheshin për të kryer vrasjen e Xhevdet Plakut, një emër i njohur për drejtësinë, i skeduar për trafik droge.

Të informuar për lëvizjet e personit që donin të vrisnin, xhaxha e nip, të armatosur kanë shkuar në pjesën e pasme të komisariatit në pritje të objektivit të tyre. Në dosje thuhet se teksa prisnin të kryenin vrasjesn, Dejvi Gjermeni i informon se ai ishte liruar, ndonëse në të vërtetë ai ishte ende në komisariat.

Kjo lëvizje e Gjermenit dyshohet të jetë bërë pasi ai kishte frikë se Algert Arapi dhe Rexhep Arapi, i njohur ndryshe si Kep Arapi, mund të zbuloheshin shpejt, e kësisoj dilte në skenë dhe emri i tij së bashku me informatorin në radhët e policisë, Dedan Gjonin. Përveç ish-policit, në pranga u vunë një ditë më parë edhe 3 personat e tjerë.

Advertisements

You may also like