Pikëllim dhe frikë pas sulmit në Pragë

by editor

Frikë, pikëllim dhe borë! Kështu dukej Praga më 22 dhjetor, disa ditë para Krishtlindjeve dhe një ditë pasi një student i historisë vrau 14 persona dhe plagosi 25 të tjerë në Fakultetin e Filozofisë, në qendër të qytetit historik.

Advertisements

Banorët po kujtojnë viktimat, ndërsa policia ka dalë në rrugë, për të shmangur çdo incident të mundshëm. Republika Çeke ka shpallur ditë zie për të nderuar viktimat.

Advertisements

Qytetarët në Pragë kanë ndezur qirinj dhe kanë vendosur lule pranë ndërtesës së Universitetit të Karlit.

22 dhjetor 2023

Selma Muhiq Dizdareviç, një nga banoret e Pragës, tha se ata ende po e marrin veten nga ajo që ndodhi më 21 dhjetor. Ajo është pedagoge në Universitetin e Karlit dhe ka djalin që studion në po të njëjtin fakultet ku ndodhi sulmi. Atë ditë ai ishte nisur për në mësim, por harroi kuletën e tij.

“Për këtë shkak ai u vonua për 10-15 minuta. Kur arriti në fakultet, nuk mundi të hynte, të shtënat sapo kishin filluar. Ne shpëtuam, por na vjen keq për të gjithë”, tha Dizdareviç.

Djali i saj 26 vjeç, Tariç, student i historisë në të njëjtin departament ku studionte sulmuesi, tha se ai ishte i befasuar dhe i hutuar dhe ende po pret që të zbardhen detajet.

“Metroja nuk u ndal në stacionin që duhej të zbrisja. Isha rrugën dhe veçse në metro flitej për ngjarjen. Kur pashë se diçka po ndodhte, se kishin nisur të shtënat dhe një stacion para stacionit ku unë duhej të zbrisja, na njoftuar se aty metroja nuk do të ndalej. Por, autoritetet nuk shpjeguan pse. Unë vendosa të kthehesha”, tha një tjetër student që ka shpëtuar.

Nëna e tij, pedagoge në programin master të studimeve për shoqëri civile në Fakultetin për Shkenca Humane, tha se e gjithë ngjarja është e pakuptueshme. Djali i saj, tha ajo, duhej të merrte pjesë në një seminar në katin e tretë, ndërsa sulmuesi vrau persona në katin e katërt.

“E kritikova për punën e kuletës. Por, në fund ai ka shmangur një tragjedi shumë më të madhe për shkak të kuletës. Kjo tregon se sa shumë varet lumturia jonë në disa gjëra në të cilat ne nuk kemi fare ndikim”, shtoi Dizdareviç.

Një prej viktimave ishte edhe drejtoresha e institutit të muzikës. “Ajo ishte një grua e jashtëzakonshme, që ka punuar shumë për të popullarizuar muzikën mesjetare”, tha Dizdareviç.

Në mesin e viktimave nuk ka shtetas të huaj, ndërkaq në mesin e të plagosurve janë dy shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe një shtetas i Holandës. Kjo ishte hera e parë që në Republikën Çeke kishte të shtëna masive në një institucion arsimor dhe ishin të shtënat masive më të rënda që kanë ndodhur në këtë shtet.

Çfarë ndodhi?
Pas sulmit, policia ndërmori masa mbrojtëse për shkollat, spitalet dhe ngjarjet kulturore dhe sportive. Masat parandaluese do të jenë në fuqi deri më 1 janar. Zyrtarë policorë janë vendosur nëpër rrugë.

“Nuk kemi informacione për kërcënime konkrete. E gjithë kjo është një masë paraprake, një sinjal se jemi këtu dhe jemi gati”, tha policia çeke përmes një njoftimi të publikuar në “X”.

Mëngjesin e 21 dhjetorit, policia kishte marrë një informacion se një djalë i ri nga qyteti Hostouns, në afërsi të Pragës, ishte nisur drejt kryeqytetit çek dhe po planifikonte të kryente vetëvrasje. Menjëherë autoritetet nisën një kërkim gjatë të cilit zbuluan trupin e babait të tij në shtëpinë e tyre. Sulmuesi, më vonë i identifikuar si David K., 24 vjeç, kishte leje për posedim të disa armëve, përfshirë edhe pushkë të llojit AR-15, dhe nuk kishte të kaluar kriminale.

Siç tha më vonë shefi i policisë, Martin Vondrasek, policia shkoi në një prej objekteve të Fakultetit të Filozofisë së Universitetit të Karlit, ku ai studionte.

David K., megjithatë shkoi në ndërtesën kryesore të fakultetit, që gjendet në një zonë turistike të Pragës, hyri brenda dhe hapi zjarr. Ai vrau 14 persona dhe plagosi 25 të tjerë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 27 persona janë shtruar në spital, shumica prej tyre me plagë nga arma e zjarrit. Nga ta, 12 janë në gjendje serioze, dhe të paktën një prej tyre është në gjendje kritike.

Drejtori i policisë në Pragë, Petr Matejcek, tha se sulmuesi ka vrarë veten kur policia u afrua në ballkonin e ndërtesës.

Ai po ashtu tha se autoritetet gjetën municione në korridoret e fakultetit dhe se beson se reagimi i shpejtë i policisë parandaloi gjakderdhje më të madhe. 21 minuta kaluan nga sinjali i parë për të shtënat deri në vdekjen e sulmuesit. Ndërkaq, policia tha se sipas testeve balistike, arma që u gjet në shtëpinë e sulmuesit përkonte me armët që ai përdori në universitet dhe me armën që ishte përdorur për të vrarë dy persona në një pyll në Pragë fundjavënpara masakrës.

Në ditën e masakrës, një numër i madh personash, përfshirë kryeministrin çek, Petr Fiala, nderuan viktimat, duke ndezur qirinj dhe duke vendosur kurora lulesh pranë ndërtesës së universitetit.

“Ne jemi këtu për të mbështetur kolegët tanë”, tha për “Reuters” studenti Daniel Broz. Në kohën e sulmit, ai nuk ishte në universitet.

“Ishte sureale, unë kurrë nuk kam përjetuar një ngjarje të tillë”.

Universiteti i Karlit ka anuluar të gjitha ligjëratat. Republika Çeke ka një popullsi prej 10.09 milionë banorësh, dhe pothuajse 300.000 prej tyre kanë armë. Por, të shtënat masive janë të rralla në këtë shtet.

Krerët shtetërorë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos përhapin lajme të rreme dhe dezinformata në rrjetet sociale dhe të jenë të kujdesshëm për përmbajtjen që shpërndajnë. Policia ka thënë se ka regjistruar disa raste kur njerëzit supozohet se “të inspiruar nga ky akt i tmerrshëm, duan ta bëjnë të njëjtën gjë”. Policia tha se një grua ka kërkuar që të blejë armë që të veprojë njësojë. Ajo është arrestuar, teksa policia u ka kërkuar qytetarëve që të jenë të qetë./REL

You may also like