“Erdhi furishëm, s’mund ta fiknim dot” | Zjarri nga shkëndija i shkrumboi biznesin, qytetari kërkon dëmshpërblim

by editor

Altin Dedej, një qytetar nga Lushnja, tregon se në shtator 2023, zjarri i ka djegur biznesin,ku kishte materiale ndërtimi dhe një makinë “Audi”.

Ai thotë se ka pamjet filmike, ku duket që shkëndija elektrike e ka shkaktuar zjarrin. Për këtë arsye Altini kërkon dëmshpërblimin, që mendon se i takon.

Altin Dedej: Jam Altin Dedej nga fshati Dushk i Lushnjës. Në datën 14 shtator ka rënë një zjarr dhe ka përfshirë magazinën edhe garazhin, pasi më ka djegur materialet dhe makinën “Audi”.

Gazetarja: Si ka nisur zjarri?

Advertisements

Altin Dedej: Zjarri ka nisur nga transformatori atje matanë, bëri një shkëndijë, njëkohësisht edhe tek pema këtu. Pastaj degradoi në zjarr, i cili për 7 minuta erdhi dhe shkrumboi gjithçka. Kisha materialet e ndërtimit, të cilat, ngaqë janë të lyera me naftë dhe vaj, i dha më shumë ndihmë për t’u djegur. Zjarri erdhi shumë furishëm, u ndihmua nga një erë edhe nuk mundëm ta fiknim dot; as ne, as zjarrfikësit.

Gazetarja: Më tej çfarë ndodhi?

Advertisements

Altin Dedej: Erdhi policia, mori një deklarim, ku dyshon ku nuk dyshon. Dhashë ato të miat që nuk dyshohet diku, pastaj më kërkuan pamjet filmike të kamerave të shtëpisë. Ia dhashë, nuk konstatuan, nuk gjetën gjë pastaj edhe me ato. Vajta dhe tek OSHEE-ja dhe tregova pamjet filmike, videon, dhe më thanë: “Nuk është e qartë, s’mundet dot ta përcaktosh. Mund të jetë 4 metra larg, matanë pemës.”

Gazetarja: Sa është dëmi që të është shkaktuar?

Altin Dedej: Po tani dëmi që është shkaktuar, për mua është shumë i madh, po tani t’ia lëmë në dorë një specialisti për ta vërtetuar. 10 milionë lekë po!

Gazetarja: Plus makina?

Altin Dedej: Makina, 10, mos më tepër ka vajtur. Përderisa dyshohet dhe është gjendur shkaku, të më dëmshpërblejnë, asgjë më tepër.

Në këto kushte, ai iu drejtua Zyrës së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ku i thanë se duhet t’i drejtohet gjykatës.

Qytetari: Po tani do arrijmë me ndonjë marrëveshje? Nëse vërtetohet që shkaku është nga korrenti, çfarë do bëhet nga ana juaj?

Punonjësi: Vazhdon procesin gjyqësor.

Qytetari: Procesin gjyqësor edhe s’mund ta hap, se mbase biem në marrëveshje bashkë.

Punonjësi: Nëse është ai shkaku, vazhdohet gjyqi dhe kërkon dëmshpërblim! Do dëmshpërblehesh prej OSHEE-së.

Në shkresën e prokurorisë së Fierit për këtë ngjarje, shkruhet, se në bazë të ekspertizave, shkak i zjarrit mund të jetë shkëndija elektrike. Drejtoria e OSHEE-së Berat nuk e ka pranuar këtë konkluzion, pasi sipas saj, kabllot kanë qenë në rregull.

Ne iu drejtuam Drejtorisë Qendrore të OSHEE-së, për të pyetur për një marrëveshje dhe na u tha se duhet të shihet nga grupet e ekspertëve të këtij institucioni, të cilët nëse nuk binden, se shkëndija ka qenë shkaku i zjarrit. Qytetari duhet t’i drejtohet gjykatës

You may also like