Kryetari i Partisë Republikane në Serbi, Nikolla Sandulloviç i cili u dhunua brutalisht nga shërbimi sekret serb pasi mbajti homazhe në varret e familjes Jashari në Prekaz, ka folur së fundmi për dhunë e ushtruar ndaj tij.
Advertisements
Në një intervistë për RTK në Kosovë, ai mohoi se ka kryer veprën penale për të cilën pas dhunimit u arrestua dhe u akuzua, duke paralajmëruar se do të kërkojë përgjegjësi ligjore “për torturën që e ka përjetuar”.
Advertisements
Kujtojmë se Sandulloviç akuzohet se “ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe jo-tolerancës kombëtare, racore dhe fetare”, kjo pasi në rrjetet sociale ka njoftuar se ka kërkuar falje për krimet ndaj shqiptarëve dhe ka treguar se ka vendosur lule në varrin e familjes së Jashari ne Prekaz.
Opozitari serb, i cili është në përkujdesje në shtëpi pas lirimit nga paraburgimi, tha se i është nënshtruar “dhunës disa orësh nga pjesëtaret e BIA-së”, për shkak të së cilës ka pësuar disa lëndime të rënda.
“Më rrahën, më rrahën dhe më kërcënuan mua dhe familjen time. Kjo tregon se në çfarë lloj sistemi jetojmë. Unë nuk do të ndërhyj dhe ndikoj në hetim në asnjë moment, por do të kërkoj përgjegjësi të plotë për atë që më ndodhi. Nëse ka drejtësi dhe nëse prokuroria në Serbi është e pavarur, atëherë do të zbulohet rasti im”, tha ai.
Ai është shprehur se nuk është marrë ende në pyetje nga Prokuroria, ndërsa thekson se do t’i përgjigjet ftesës për të pasur mundësi t’i përgjigjet akuzave.
Çfarë krimi është nëse i vendos lule mbi varrin një vajze të vrarë 7-vjeçare, është shprehur ai, ndërsa shton se një veprim të tillë e ka konsideruar si detyrim njerëzor dhe moral.
“Çfarë krimi është nëse i vendos lule mbi varrin një vajze të vrarë shtatëvjeçare, ku ka faj ajo, kushdo qoftë babai i saj, çfarë lidhje ka kjo me vajzën. E bëra si njeri, babai, bashkëshorti, si lider i një partie, politika e së cilës është paqja dhe pajtimi në rajon. E konsiderova si detyrim njerëzor dhe moral të shpreh respektin dhe keqardhjen për vrasjen e një vajze shqiptare në këtë rast, të gjithë fëmijët janë viktima të pafajshme”, thotë Sandulloviç për RTK.
Ndërsa ai beson se ky akt nuk ka të bëjë me urrejtje kombëtare dhe fetare, thekson se i gjithë rasti ndaj tij është i motivuar politikisht.
Sipas tij, ekipe të ndryshme juridike, madje edhe avokatë nga Britania e Madhe, kanë konstatuar se “nuk ka vepër penale të nxitjes së urrejtjes fetare dhe kombëtare”.
“Rasti im është bërë problem ndërkombëtar sepse tregon thelbin dhe fytyrën e sundimit aktual politik në Serbi. Sipas kushtetutës dhe ligjit, si përfaqësues i një strukture politike, kam të drejtën e mendimit dhe pikëpamjeve politike. Politika ime është një politikë e pajtimit në rajon, një politikë e përparimit”, thekson ai.
Ndër të tjera, Sandulloviç thotë se u lirua “nën presionin e madh të komunitetit ndërkombëtar dhe në bazë të kërkesës së Këshillit të Evropës”.
“Jam liruar, por nuk më lejohet të largohem nga territori i Republikës së Serbisë. Nuk kam dhënë ende një deklaratë në prokurori dhe mezi pres të fillojë procesi gjyqësor për rastin tim”, tha ai.
Një pjesë e avokatëve në Serbi vlerësuan se i gjithë rasti tregon shkallën e mosrespektimit të të drejtave të njeriut në procedurat penale në Serbi.
Disa organizatat joqeveritare ne Serbi, si Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, kërkuan që të “hetohen akuzat për dhunën ndaj Sandulloviqit”.
Vetë Sandulloviq njofton se do të vazhdojë të kërkojë qe te zbardhen të gjitha rrethanat e “dhunës që ka përjetuar, arrestimit dhe krimeve për të cilat akuzohet”.
“Komuniteti ndërkombëtar do ta ndjekë këtë deri në fund dhe nuk duhet të lejojë që ky rast i imi të fshihet”, tha ai.