“U telefonova nga një mikeshë, pimë kafe më pas…”- I shpëtoi atentatit, zbulohet kush e nxori në pritë “të fortin” e Niklës! Çfarë dëshmoi Marklen Haka

by editor

Më 8 qershor 2022 një atentat me armë zjarri ndodhi pranë fshatit Nikel ndaj Marklen Hakës, i cili kishte rënë edhe më parë pre e sulmeve të ngjashme me armë, ku kishte mbetur i plagosur rëndë.

Advertisements

Emisioni “Në Shënjestër” ka zbardhur detaje të reja në lidhje me ketë ngjarja të rëndë, ndërsa ka treguar edhe për rolin e dy mikeshave që e nxorën në kafe, para se ai të ishte pre e atentatit.

Advertisements

Dokumentari, pjesa e parë:

Marklen Haka kishte kohë që nuk dilte nga vila e tij luksoze në fshatin Nikël në Fushë-Krujë, që nga atentati i fundit në shtator të vitit 2019. Atje u plagos rëndë në pragun e banesës së tij dhe humbi jetën më pas në spital halla e tij, Shpresa Basha. Pas atentatit, ai kishte bërë veten të padukshëm për shënjestruesit e tij, të cilët kishin shprehur qëllimin e qartë për eleminimin e tij. Madje, ai kishte vendosur të braktiste edhe Shqipërinë dhe të zhvendosej në Belgjikë. Megjithatë, edhe atje ai kishte preferuar të qëndronte në fortesën e tij në fshatin Nikël.

Megjithatë një telefonatë nga ish-kunata e tij e çoi atë përsëri në pritën e qitësve të tij, të cilët ishin në përditësim të çdo lëvizje të tij dhe kishin marrë çdo masë për eleminimin e tij. Ata ishin të përgatitur dhe dispononin informacion në terren, kështu që kur Marklen Haka zgjodhi të dilte nga vila e tij, ajo u përfundua me atentatin që ndodhi mesditën e 8 qershorit 2022 kur një telefonatë miqësore për kafe nga ish-bashkëshortja e vëllait të tij të ndjerë, e cila ishte e shoqëruar nga një mikesha e saj, e nxorri atë edhe njëherë në rrugë, aty ku në kthim e prisnin sërish në pritë armiqtë e tij.

Policia e Shtetit

Më datë 8 Qershor 2022, rreth orës 14.30 është marrë njoftim nga salla operative se në vendin e quajtur kryqëzimi i fshatit Nikël të Njësisë Administrative, Nikël-Krujë, është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit Marklen Lutfi Haka, i cili ka shkuar në spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim.

Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes grupi hetimor, provoi se në segmentin rrugor, 35 metra në anën lindore të kryqëzimit të fshatit Nikël, mbi asfalt, janë gjetur të shpërndara në mënyrë të çrregullt, 17 gëzhoja në formë cilindrike, 12 nga të cilat janë të shtypura me kapsollë të goditura me mbishkrimin në fundin e tyre 14 G.F.L, një predhë metalike e shformuar dhe një këmishë predhe.

Marklen Haka ia hodhi paq edhe këtë herë, si në sulmet e tjera me armë ku objektiv i armiqve të tij kishte qenë ai vetë dhe pjesëtarë të familjes Haka. Ai mori një plumb në nofull, ndërsa dëshmitarë të batareve ndaj makinës së tij u bënë edhe të pranishëm të rastësishëm apo jo në vendngjarje. Ata panë të tmerruar se si plumbat vërshuan edhe ndaj tyre, duke rrezikuar seriozisht jetën. Disa prej qitjeve përfunduan edhe në lokalin ngjitur me skenën e atentatit.

Përparim Caca ishte duke shërbyer në lokalin e tij kur ndjeu së pari të shtënat e shumta që vinin nga jashtë kafenesë së tij të vogël. Ai nuk pati mundësi të dilte dhe të shikonte menjëherë se çfarë po ndodhte në rrugë. Një vrimë tejshpuese e mbetur në xhamin e lokalit tregoi për terrorin që ai dhe të tjerë të pranishëm në kafene në atë moment përjetuan nga plumbat që vinin nga përtej rrugës.

Dosja Hetimore

Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, në lokalin në pronësi të shtetasit Përparim Caca, u konstatua një vrimë tejshpuese në xhamin e dritares së kafenesë.

Po kështu nga kqyrja e automjetit model ‘Golf 5’, me targa AB 728 CB, 5 vendësh, me ngjyrë të zezë, e cila është në pronësi të shtetasit Kurt Hidri dhe që më datë 8 Qershor 2022, ka qenë në përdorimin e Marklen Hakës, u konstatuan vrima tejshpuese, me drejtim nga e majta në të djathtë, të cilat korespodojnë me xhamin e krahut të pasagjerit të parë të automjetit ne fjalë.

I pari që u mor në pyetje lidhur me ngjarjen ishte pikërisht Marklen Haka, njeriu që ishte edhe në qendër të sulmit më të fundit me armë ndaj tij. Pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, pas dëmtimit që kishte marrë në nofull, ashtu si edhe në atentatet e tjera të ngjashme ndaj tij, nuk dha asnjë informacion me interes për kundërshtarët e tij, që i ishin vënë nga pas për të qëruar hesapet me të.

Megjithëse nuk dha njohje për armiqtë e tij të mundshëm, Marklen Haka nuk mohoi dyshimet që ai pati në momentin kur makina e tij u vu në ndjekje nga një tjetër automjet, fill pasi kishte konsumuar një kafe me dy mikeshat e tij, një lokal jo shumë larg vilës së tij në fshatin Nikël. Ai tha se doli nga banesa rreth orës 12.00 të drekës, pas ftesës për kafe që i kishte bërë një e njohura e tij, të cilën e identifikon me emrin Alketa. E cila i tha se ishte e shoqëruar me një mikeshën e saj, të quajtur Rita.

Marklen Haka: Më datë 8 Qershor 2022, unë po qëndroja në banesën time kur rreth orës 12.00 u telefonova nga një mikesha ime, Alketa. Ajo më tha se jam me Ritën dhe më ftonin për kafe. E lamë të takoheshim te ‘Klajdi Park’ në Tapizë. Unë aty shkova me makinën time tip ‘Golf 5’ me ngjyrë të zezë. Kur shkova aty pashë që Alketa dhe Rita kishin mbërritur para meje dhe po më prisnin. Unë qëndrova me to në lokal përreth një orë. Pasi përfunduam kafen, unë u përshëndeta me Alketën dhe Ritëm dhe shkova të paguaj faturën.

Pasi u nda me vajzat, Marklen Haka tha për hetuesit se ai mori sërish rrugën e kthimit për në banesën e tij në fshatin Nikël. Megjithatë, me daljen nga lokali, ai vuri re nga pasqyrat e makinës një lëvizje të pazakontë të një automjeti që vinte pas tij. Ky automjet e ndiqte përgjatë gjithë kohës, pa iu ndarë për asnjë moment të vetëm. Kjo situatë shkaktoi dyshime te ai vetë, se automjeti që vinte pas tij dhe njerëzit në bord, nuk ishin përdorues të zakonshëm të rrugës.

Marklen Haka: Pasi pagova faturën dola dhe shkova te makina ime. Ndërkohë që Alketa dhe Rita po qëndronin në makinën e tyre në oborrin e lokalit dhe të dyja po merreshin me telefonin. Gjatë kësaj kohe unë u ngjita në makinën time dhe u nisa drejt Fushë Krujës, ndërsa vajzat u nisën për në drejtim të Tiranës me një automjet A Class. Por sapo u nisa unë pata dyshime, pasi në ndjekje të automjetit tim u vu një tjetër makinë, Audi A8.

Dyshimet e Marklen Hakës në atë moment nuk rezultuan thjesht të tilla. Manovrat që ai kreu në rrugë e bindën se automjeti me xhama të zinj që po e ndiqte nga pas ishte aty pikërisht për të. Ai nuk mundi të shquajë asgjë nga brenda automjetit përveç xhamave të zinj dhe targës së huaj në pjesën e saj të përparme. Ndërkohë, e vetmja mundësi shpëtimi për të ishte të jepte gaz sa më shumë të mundej makinës së tij, e cila ishte disa kuaj kubik më pak e fuqishme se Audi që po e ndiqte.

Marklen Haka: Nuk kisha ecur as 200 metra nga lokali kur vura re një automjet tip Audi A8, prodhim i viteve 2008-2010, me ngjyrë të zezë, me xhama komplet të zinj, me targa të bardha të huaja, me gërma të vogla, që më bëri shumë përshtypje. Në këtë moment i dhashë gaz makinës dhe e parakalova Audin. Por aty vura re se kjo makinë po vazhdonte të më ndiqte dhe qëndronte pranë meje në një distancë rreth 100 metra.

Por kur mendoi se i shpëtoi kurthit të radhës, Marklen Haka nuk llogariti se ndjekësit e tij do ta godisnin pikërisht në momentin kur ai do të merrte frymë lirisht dhe ia kishte hedhur pa u lagur shënjestruesve të tij. Ai tha për hetuesit se sapo hyri në Nikël, një tytë arme zjarri doli nga xhami i zi i ulur i makinës që e kishte ndjekur përgjatë gjithë rrugës, dhe qëlloi në drejtim të automjetit të tij, që në këtë moment ishte ndalur në anë të rrugës.

Marklen Haka: Kur mbërrita në vendin e quajtur stacioni i Niklës, mora kthesën për në fshat. Aty pashë djalin e xhaxhait tim që duhet Tani Haka. Ai po qëndronte në këmbë në rrugë para lokalit dhe ma bëri me dorë që ta merrja. Unë ndala makinën dhe Tani mu afrua që të hipte në automjet. Në këtë moment, pranë makinës sime u afrua Audi A8, i cili uli xhamin dhe nga aty u qëllua me armë. Unë u shtriva në sedilje, ndërsa të shtënat vazhdonin. Ndërkohë që një plumb më kapi në nofull.

You may also like