Tronditëse! Publikohet anketa, 576 mijë persona në Shqipëri jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër! Ulet dhe pabarazia

by editor

Rreziku për të qenë i varfër në Shqipëri ka rënë në vitin 2022, po ashtu është ulur dhe numri i personave që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër. Në rënie ka ardhur he treguesi i pabarazisë.

Advertisements

INSTAT ka publikuar rezultatet e vitit 2022 të Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) e cila mat nivelin e jetesës, varfërinë relative dhe privimin material dhe social në familjet shqiptare).

Advertisements

Treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, në vitin 2022 është 20,6%, duke pësuar një rënie prej 1,4 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021.

Treguesit e varfërisë në anketën e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, bazohen në konceptin relativ të varfërisë, i cili merr në konsideratë të ardhurat familjare të disponueshme, numrin e pjesëtarëve në familje (madhësinë e familjes) dhe shpërndarjen e të ardhurave ndërmjet grupeve të popullsisë.

Advertisements

Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2022 është vlerësuar me 225.931 lekë, në krahasim me 191.791 Lekë që ishte në vitin 2021.

Në vitin 2022 janë vlerësuar rreth 576.316 individë që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër, kundrejt rreth 622.705 individë të vlerësuar në vitin 2021. Numri i individëve në rrezik për të qenë të varfër është ulur me rreth 7,4%.

Shkalla e thelluar e privimit material sipas strategjisë Europa 2020 tregon përqindjen e individëve që jetojnë në familje të cilët nuk përballojnë të paktën 4 nga 9 kategoritë e privimit material.

Ky tregues është vlerësuar 33,2% në vitin 2022, kundrejt 35,2% vlerësuar në vitin 2021, duke shënuar rënie prej 2 pikë përqindje.

Privimi material dhe social i referohet treguesve që tregojnë kushtet materiale që ndikojnë në cilësinë e jetës së familjeve dhe individëve.

Shkalla e thelluar e privimit material dhe social sipas agjendës Europa 2030, paraqet përqindjen e popullsisë që nuk përballojnë të paktën 7 nga 13 kategori të privimit material dhe social. Për vitin 2022, ky tregues është vlerësuar 37,0% kundrejt 39,0% vlerësuar në vitin 2021.

Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social (AROPE) i referohet individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër, ose thellësisht të privuar nga ana materiale dhe sociale, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim. Në vitin 2022, ky tregues sipas strategjisë Europa 2020 është vlerësuar 41,6%, kundrejt 43,9% vlerësuar në vitin 2021 ndërsa sipas agjendës Europa 2030, ky tregues është vlerësuar 44,5%, kundrejt 46,6% vlerësuar në vitin 2021.

Përfitimet sociale, si pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, të përfshirë në të ardhurat familjare të disponueshme, ndikojnë në uljen e rrezikut për të qenë i varfër. Nëse në nivelin e të ardhurave nuk do të përfshiheshin të gjitha llojet e përfitimeve sociale, rreziku për të qenë i varfër në vitin 2022 është vlerësuar 36,5% kundrejt 24,5% që është vlerësuar nëse do të përfshiheshin në nivelin e të ardhurave përfitimet sociale vetëm nga pensionet e pleqërisë dhe ato familjare.

Rreziku për të qenë i varfër sipas grupmoshave dhe gjinisë është analizuar për tre grupmosha. Trendi në zbritje vihet re në të tre grupmoshat, por një zbritje më të madhe kanë grupmoshat 18-64 vjeç ku rreziku për të qenë i varfër në vitin 2022, në krahasim me vitin 2021, është zvogëluar me 1.6 pikë përqindje në këtë grupmoshë. Grupmosha 65 vjeç e lart ka pësuar një rënie të lehtë në vitin 2022 me 0.1 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021.

Rreziku për të qenë i varfër sipas statusit të punësimit, për të punësuarit e moshës 18 vjeç e lart, në vitin 2022 ka shënuar rënie me 2.1 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021. Rreziku për të qenë i varfër tek individët e papunë ka pësuar një rritje prej 0.4 pikë përqindje ndërsa tek pensionistët ka pësuar një rritje prej 0.2 pikë përqindje.

Përqindja e individëve në rrezik për të qenë të varfër sipas tipit të familjes, në vitin 2022, në familjet pa fëmijë në varësi, vlerësohet të jetë më e ulët krahasuar me familjet me fëmijë në varësi, përkatësisht 12,2% dhe 24,4 % e individëve. Familje me fëmijë në varsësi konsiderohen ato familje që kanë fëmijë të moshës nën 18 vjeç si dhe persona të moshës 18 deri 24 vjeç që jetojnë të paktën me një prind dhe janë ekonomikisht inaktiv. Një vit më parë këto përqindje ishin përkatësisht 12,8% dhe 25,9%.

Bie dhe pabarazia

Niveli i pabarazisë sipas shpërndarjes së të ardhurave matet nëpërmjet koeficentit Gini dhe raportit të kuintileve të të ardhurave (S80/S20).

Koeficenti Gini mat pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave, ku vlera 0% shpreh barazinë e plotë dhe të gjithë individët kanë të ardhura të njëjta, ndërsa një koeficient Gini i barabartë me 100% shpreh pabarazinë e plotë ku vetëm një person ka të gjitha të ardhurat.

Në vitin 2022, Gini është vlerësuar 31,0%, duke pësuar rënie me 2 pikë përqindje nga viti 2021.

Raporti kuintileve S80/S20, është një indikator i cili mat pabarazinë në të ardhura me anë të raportit të nivelit më të lartë të të ardhurave disponibël të ekuivalentuara (kuintili i fundit) me nivelin më të ulët të të ardhurave disponibël të ekuivalentuara (kuintili i parë).

Ai paraqet raportin ndërmjet të ardhurave gjithsej të ekuivalentuara të 20% të popullsisë me të ardhura më të larta dhe të 20% të popullsisë me të ardhura më të ulëta. Në vitin 2022 raporti S80/S20 është vlerësuar 5,2 kundrejt raportit 5,7 që u vlerësua në vitin 2021.

Për popullsinë 65 vjeç e lart ky raport në vitin 2022 është vlerësuar me 3,6 kundrejt 3,9 që ishte në vitin 2021. Për personat nën 65 vjeç ky raport u vlerësua 5,4 në vitin 2022 kundrejt raportit 6,1 që ishte në vitin 2021.

Krahasimi me shtetet e tjera

Krahasimi i rrezikut për të qenë i varfër për vitin 2022, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Rajonit dhe të Bashkimit Evropian tregojnë se: Vlera më e lartë e varfërisë relative shënohet në Bullgari (22,9%), Estonia (22,8%), Letonia (22,5%), Rumania (21,2%), Lituania (20,9%), ndjekur nga Shqipëria (20,6%).

Vlerat më të ulëta të varfërisë regjistrohen në Republikën Çeke (10,2%), Sllovenia (12,1%), Hungaria (12,1%), Norvegjia (12,2%) dhe Danimarka (12,4%). Mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian (27 shtete) është 16,5%./Monitor

You may also like