U dënua me 2 vite burg për blerje votash, ja sa muaj i kanë mbetur Fredi Belerit për të qëndruar në qeli! Dënimin do e vuajë në një burg të…

by editor

Gjykata e Posaçme, ditën e djeshme ka dhënë verdiktin për kryebashkiakun e Himarës, Fredi Beleri.

Advertisements

GJKKO vendosi ta dënojë me 2 vjet burg të zgjedhurin e himarjotëve për kryetar bashkie, ndërsa po dje GJKKO dënoi 1.6 vjet burg Pandeli Kokaveshin, por dënimi me burg për të është pezulluar dhe do të qëndrojë 3 vjet në shërbim prove. Dënimi alternativ për Kokaveshin u vendos për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Advertisements

Në fakt, Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar dy vjet e gjysmë burg për Belerin, nën akuzën e blerjes së 8 votave për shumën prej 40 mijë lekësh. Seanca kaloi mes debateve mes të pandehurit dhe gjyqtarit, para se sa trupa të tërhiqej për vendim, ndërkohë jashtë prisnin mbështetësit e kryebashkiakut të Himarës, të cilët kanë reaguar në kor pas dhënies së vendimit për dënimin e tij.

Vetëm pak çaste pas dhënies së vendimit për dënimin e Fredi Belerit, GJKKO me anë të një njoftimi për mediat ka sjellë edhe vendimin e plotë të marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga tre gjyqtarë.

Sipas GJKKO, vuajtja e dënimit për Fredi Belerin nis që nga dita kur është arrestuar, pra më 12 maj 2023. GJKKO thotë se dënimin do ta kryejë në një burg të sigurisë së zakonshme. Fredi Beleri po qëndron në paraburgim që prej zgjedhjeve të majit të vitit 2023, që do të thotë se i kanë mbetur rreth 9 muaj dënim për të shlyer në qeli. Kjo për shkak se ditët e paraburgimit llogariten si një ditë e gjysmë në qelinë normale të burgut.

VENDIMI I PLOTË E GJKKO-SË:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 31.07.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Dhionisios Alfred Beleri dhe Pandeli Kokaveshi akuzuar për figurën e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim e parashikuar nga nenet 328 – 25 të Kodit Penal.

Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj, me vendimin Nr. 14, datë 05.03.2024 vendosi: Deklarimin fajtor të të pandehurit Pandeli Kokaveshi, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 – 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave, dënimin e tij me 1 (një) vit dhe 6 (gjashtë) muaj burgim.

Në aplikim të nenit 59 të K. Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, për pjesën e mbetur pa vuajtur të tij, duke e vënë të pandehurin Pandeli Kokaveshi në provë për një periudhë kohe prej 3 (tre) vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vendbanimin e tij.

Në zbatim të nenit 261/ 1 shkronja “b” të K.Pr.Penale, shuarjen e masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” e caktuar ndaj të pandehurit Pandeli Kokaveshi me vendimin Nr. 19, dt. 01.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Deklarimin fajtor të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 – 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave, dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.

Vuajtja e dënimit për të pandehurin Dhionisios Alfred Beleri, fillon nga dita e arrestimit të tij dt. 12.05.2023 dhe të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme. Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit në shumen totale 166.920 (njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e njëzet) lekë si dhe shpenzimet gjyqësore, sipas formularit përkatës, u ngarkohen të pandehurve, në mënyrë solidare. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.

Seanca për dhënien e vendimit

Në materialin e lexuar në Gjykatën e Posaçme, Fredi Beleri ka paraqitur një mori faktesh që sipas tij rrëzojnë të gjitha akuzat, ose më saktë, tregojnë se gjithë dosja për të është e sajuar. Ai ndalet te një datë, ku sipas tij, është hartuar plani i arrestimit para zgjedhjeve, me idenë se do ta humbte garën dhe më pas të lirohej. Ai i tha gjykatës se plani është hartuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, më 10 maj.

“Por, – thotë Beleriplanin e lirimit tim, e prishi elektorati himarjot që më dha votat, e për pasojë, unë jam në kafazin e gjykatës”! Duke iu referuar materialit të plotë të fjalës së tij mbajtur dje në GJKKO, shihen të radhitura me pika të gjitha shkeljet e sajesat që ai pretendon që janë bërë; që nga gjetja e një dëshmitari të rremë, “i dënuar për mashtrim dhe vjedhje” e deri tek qëllimet e kryeministrit Edi Rama për të zaptuar Himarën. Por në këtë material, duket se Beleri është i bindur në vendimin e dënimit dhe po kaq hapur lexohet këmbëngulja e tij për ta gjetur pafajësinë në të gjitha gjykatat e mundshme, një paralajmërim që çështja e tij mund të drejtohet edhe në Gjykatën Ndërkombëtare. Sjellim pjesë nga materiali i lexuar prej tij, që kanë të bëjnë me fakte dhe me atë që ai e quan hartim plani për arrestimin e tij.

DËSHMITARI “DETARI”

Beleri tregon me detaje krejt fazën hetimore, që sipas tij, është përgatitur për të ardhur deri në këtë pikë të gjykimit duke hedhur poshtë faktin që ai të jetë takuar me dëshmitarin e prokurorisë: “Prokuroria në çdo fazë të hetimit dhe gjykimit është përpjekur të sajojë prova të mbulojë gafat e policisë, që e vërteta të mos dalë në dritë. Që me ankimin kundër masës së sigurimit, kemi pretenduar se nga vëzhgimi 24 orësh i policisë duket qartë që nuk e kam takuar asnjëherë ‘Detarin’ e prokurorisë. Prokuroria justifikohet se është e vërtetë që jam vëzhguar dhe ndjekur 24 orë në ditë, por rezultati nuk është ezaurues dhe për të provuar këtë sjell ca gjoba që ka marrë ‘Detari’ me një makinë, një vit më parë në Vlorë dhe po e njëjta makinë duket diku përballë një lokali ku unë qëndroja.

Po ashtu gjeti një njeri me kapuç në një foto Prokuroria e Posaçme dhe e hodhi shashkën; duket si Arseni. Arsenin të gjallë në seancë nuk e pyeti për foton, por e pyeti për veshjet që mbante. Kur e sollëm njeriun që ka qenë atë ditë me mua, prokuroria e posaçme këqyri kamerat nga kaloi, majtas apo djathtas dhe kaq mjafton për të bërë të pabesueshëm dëshmitarin. I kërkuam gjykatës të thirrej përsëri ‘Detari’, të bëhej ballafaqim ndërmjet tyre, le t`i shikonte vetë gjykata, me sytë e saj, pse t`u besonte syve të oficerit të Policisë Gjyqësore?! Në fund të fundit, tre palë sy gjyqësorë janë më shumë se dy sy oficeri, por gjykata e refuzoi edhe këtë kërkesë.

Kemi deklaruar që ‘Detari’ gënjen, është dënuar për mashtrim, prokuroria duhet t`i verifikojë deklarimet e tij. Nuk mund të mbahem në burg me deklarimet e një njeriu të vërtetuar si mashtrues dhe hajdut. Një 20-vjeçar, para 10 viteve ishte 10 vjeç dhe nuk mund të ketë bërë biznes me mua siç deklaronte ai. Kur i merren deklarimet e tjera, Prokuroria e Posaçme kujdeset që ‘Detari’ të thotë që familja e tij kishte biznes me mua, më shiste peshk dhe ai ndihmonte familjen, ndërkohë që po ky ‘Detari’ duhet të ketë bërë shkollën këto 10 vitet që më shiste peshkun, siç e tha dhe vetë, në Vlorë, në një shkollë që nuk i kujtohet. Po gjatë këtyre 10 viteve ky ‘Detari’ ka qenë në burg në Vlorë për mashtrim e në Durrës për vjedhje banesash në bashkëpunim me autorë që nuk i tregoi kurrë”.

KUNDËRSHTIMI I PËRGJIMIT

Beleri flet me emra dhe hedh akuza mbi personat që, sipas tij, kanë kopsitur të gjithë materialin hetimor: “Kundërshtuam përgjimin se prokuroria i kishte bërë letrat pas arrestimit tim dhe i ka dorëzuar në gjykatë jashtë afatit. Gjykata e Posaçme e Apelit në një gjykim të filluar me ankimin tim, e pranon që kërkesa e prokurorisë është pa orar, por i kërkon Prokurorisë Vlorë, më dërgo një regjistër ku të jetë shënuar ora e dorëzimit të kërkesës në gjykatë. Pra, i tregon prokurorisë, gjej një regjistër e shëno orën e ma dërgo. Dhe prokurorja Matilda Peza e gjeti një protokoll ku një punonjës anonim i gjykatës së Vlorës, ku kryetar është i vëllai, Enkel Peza, hodhi një firmë, pa emër e mbiemër. Me kaq, një regjistër pa vlerë, me një firmë anonime, shërbeu për të ligjëruar veprimet e policisë pa vendim gjykate.

Nuk i bëri përshtypje askujt që del sekretarja në punë në orën 12 të natës, për një kërkesë që sikur është dorëzuar në orën 14/45 të ditës, një veprim ky që do të kryhej prej saj vetëm me urdhër të kryetarit, vëllait të prokurores, Peza. I kemi kërkuar këtij kryetari regjistrin e përgjimeve, emrin e punonjësit që ka firmosur në protokollin e prokurorisë, por refuzon të përgjigjet, normalisht do mbulojë të motrën. Dhe nga ju është konsideruar veprim normal, nuk pranuat kërkesën time që t`i kërkonit ju informacion Gjykatës së Vlorës.

“PLANI PËR ARRESTIMIN TIM”

Vendimi për arrestimin tim është marrë të mërkurën, datë 10.05.2023, në një mbledhje të zhvilluar në Drejtorinë e Përgjithshme të policisë, ku morën pjesë drejtues nga të gjitha dikasteret e policisë. Pikërisht këtë vendim, erdhi të legjitimojë pretenca e prokurorëve. Plani ishte të më arrestonin sa të humbisja zgjedhjet dhe të më lironin përsëri një javë pas zgjedhjeve.

Plan, i cili u prish nga qytetarët e Himarës që më zgjodhën kryetar. Kjo është arsyeja që e tërheq zvarrë këtë çështje që nga fillimi, duke shkelur të gjitha parimet e drejtësisë, prezumimin e pafajësisë, barazinë para ligjit, procesin e rregullt ligjor, hierarkinë gjyqësore etj.. Të gjitha vendimet tuaja ishin vendime politike. Vendim politik ishte dhe refuzimi i lejes për kryerjen e betimit, duke tejkaluar kompetencat. Këtë pjesë të vendimit ua rrëzoi Gjykata e Apelit. Vendim politik përbën edhe fakti se kallëzimet e mia janë në shqyrtim pa përgjigje, edhe pse ka kaluar shumë kohë.

Po ashtu, edhe kërkesa e prokurorisë për masën e dënimit 2 vjet e 6 muaj burg, nuk ka asnjë logjikë juridike. Për asnjë të pandehur me të njëjtën akuzë nuk është kërkuar kjo pretencë. Të gjitha vendimet e GJKKO-së për këtë akuzë janë një vit me shërbim prove. Dy kryetarë bashkie me të njëjtën akuzë, jo vetëm nuk gjenden në burg si unë, por qëndrojnë në detyrë. Natyrshëm lindin pyetja: Pse të gjendem unë përballë këtij diskriminimi? Kërkesa e prokurorisë nuk ka aspak qëllim për të bërë drejtësi. Qëllimi i saj i vetëm është dënimi im me burg për aq kohë sa i duhet kryeministrit të bëjë zgjedhje të reja në Himarë.

Dua t’i garantoj që edhe tek ky objektiv do dështojnë, sepse sa herë që të bëhen zgjedhje në Himarë, rezultati do të jetë i njëjtë. Shurdhët dëgjuan dhe të verbrit panë, qytetarët e Himarës nuk mund t’i gënjejë njeri, siç nuk i ka gënjyer historikisht. Është e padrejtë që kësaj çështjeje t’ i jepet konotacion patriotik. Është e pavërtetë dhe në të njëjtën kohë ofendim dhe moskonsideratë, jo vetëm për qytetarët e Himarës që më votuan, pavarësisht etnisë dhe besimit fetar, por edhe kundrejt opozitës së bashkuar. Ekskluzivitetin e patriotizmit nuk e ka vetëm kryeministri, policia, prokuroria dhe patronazhistët e PS-së, por është detyrë kushtetuese e çdo qytetari. Patriotizëm është të duash vendin dhe të mos bësh asgjë që cenon pavarësinë dhe përparimin e tij, të zbatosh Kushtetutën dhe ligjet, pavarësisht kostove momentale personale që mund të kesh.

Patriotizëm është të kryesh detyrën me ndershmëri, të mos bëhesh vegël e qëllimeve momentale të politikës. Patriotizëm është të vësh para përgjegjësisë penale këdo sado i pushtetshëm të jetë. Patriotizëm është t‘i trajtosh të gjithë në mënyrë të barabartë, si shtetas të barabartë të të njëjtit shtet, të përdorësh të njëjtat mjete hetimi dhe gjykimi për të gjithë, të mos fshehësh shkeljet e ligjit nga kushdo që i ka kryer.

Zoti Xholi, në gjendjen që janë aktet e kësaj dosje, do të ishte e vetmja rrugë ligjore të tërhiqnit akuzën dhe të gjeni përgjegjësit e vërtetë të kësaj situate që ka vënë sistemin e drejtësisë në provë. Unë jam i qetë dhe besimplotë. Nuk e ndiej veten fajtor për asnjë akuzë. Herët a vonë, unë do ta gjej drejtësinë. Do të doja të ishte ky trup gjykues që t’i jepte fund kësaj farse dhe marrëzie. Nëse kjo nuk ndodh, unë kam aq durim sa t’i shkoj deri në fund çështjes”.

You may also like