Mëngjesi i djeshëm e ka gjetur RENEA-n dhe Byronë Kombëtare të Hetimit në disa rrethe dhe qarqe, në një operacion që mund të konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë dhe më të rëndësishmit në vendin tonë.
Advertisements
Shkodra, Lezha, Fushë-Kruja me dy fshatrat që mbartin më shumë krim, mbase edhe në të gjithë Shqipërinë, Vlora, Durrësi me Shijakun dhe Tirana janë shënjestruar për të bërë të mundur kapjen e ndonjë prej të paktën 50 urdhër arresteve të kërkuara nga Prokuroria e Posaçme dhe të miratuara nga Gjykata e Posaçme!
Advertisements
Pas një sërë informacionesh që pasuan operacionin në disa rrethe të vendit, u mësua se në fakt, më shumë se sa individë të krimit e jo vetëm, SPAK ka vënë në shënjestër familje kriminale, ku bie në sy urdhërarreste për nga dy-tri njerëz të së njëjtës familje.
Në Shkodër u godit familja e biznesmenit strategjik, Pëllumbi Gjoka, duke i arrestuar djalin e dajës së tij, një tjetër biznesmen. Në Lezhë janë goditur dy familje; një e ish-deputeti dhe e një deputeti të Parlamentit aktual. Bëhet fjalë për familjen e Arben Ndokës dhe të Eduart Ndrecës, të dy përfaqësues të Partisë Socialiste.
Po ashtu, bëhet me dije se janë shpallur në kërkim djemtë e familjes Bami nga Fushë-Kruja, vëllezërit Avdylaj nga Shijaku, Dukët nga Tirana dhe një sërë emrash të tjerë, të gjithë të njohur të botës së krimit në vend. Në fakt, SPAK nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare në lidhje me këtë operacion, duke lejuar të rrjedhin vetëm disa të dhëna sporadike për disa nga emrat kryesor që janë shpallur në kërkim, shumë prej të cilëve gjenden, në fakt, nëpër burgje, ose nën të tjera masa arresti.
Në kuadër të këtij operacioni, që dyshohet se ka dalë nga zbardhja e bisedave të ardhura nga megaprocesi “SKY ECC”, në disa dosje, janë vënë në shënjestër edhe tre efektivë të Policisë së Shtetit. Edhe ata janë në kërkim, pasi nuk janë gjendur të arrestohen, ndërsa vlen të përmendet se nga gjithë materiali hetimor që ka çuar në lëshimin e dhjetëra urdhër-arresteve për të gjithë bosët e krimit në vend, është se pretendohet që është hedhur dritë mbi ekzekutimin e Bardhok Pllanajt, emrit proverbial të trafikut të drogës, që u ekzekutua pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të prillit të 3 vjetëve më parë në Shkodër! Sot Prokuroria e Posaçme pritet të japë deklaratë zyrtare për çka ka realizuar që nga mbrëmja e së enjtes në atë që quhet një prej operacioneve më të mëdha kundër krimit të organizuar!
OPERACIONI NË SHKODËR
Në qytetin verior, në një prej rretheve që mban rekordin e grupeve kriminale, mësohet se policia ka ndërhyrë duke sjellë në pranga një person, në fakt të panjohur deri më tani. Ai rezultoi të ishte biznesmen dhe lidhje e afërt e Pëllumb Gjokës, investitorit strategjik që u arrestua në kuadër të operacionit “Metamorfoza” bashkë me grupin e Bajrajve, të cilët u vunë nën akuzën e vrasjes së një të riu nga Vau i Dejës.
Bëhet fjalë për Mir Brulin, ku sipas të dhënave paraprake, ai është biznesmen dhe kushëri i parë i Gjokës. Sipas të dhënave hetimore, dyshohet se ai është i përfshirë në aktivitetin e biznesmenit tjetër, ndërkaq që rezulton të jetë edhe vetë pronar i një resorti të njohur në Velipojë. Po ashtu ai ka pasur nën pronësinë e tij edhe një tjetër ndërtim, të cilin ia ka shembur IKMT-ja.
Do të jetë Prokuroria, që do të hedhë dritë mbi akuzat që janë lëshuar mbi kushëririn e parë të investitorit strategjik të Velipojës, bashkëpunëtorit të grupit mafioz Bajraj! Për sa i përket Brulit, dyshohet se aktiviteti i tij kriminal shtrihet në “Trafikun e lëndëve narkotike” dhe kultivimit të marjuanës në zonën e Dukagjinit dhe Velipojës, megjithatë deri orëve të vona të së premtes nuk u mësua asnjë detaj nga implikimi i tij.
Emrat e anëtarëve të bandave të Shkodrës kanë dalë në dosjen “Metamorfoza”, ku kjo çështje tashmë është ndarë në 4 procedime të ndryshme, ku janë regjistruar vepra penale si “Kultivim dhe tregtim të drogës”, “Sigurim i kushteve për të kryer vrasje”, “Korrupsion i zyrtarëve shtetërorë” e të tjera. Aksioni i SPAK vijon të jetë ende aktiv, pasi shumë prej personave të proceduar janë larguar nga Gjermania duke gjetur strehim në Dubai. Ndërsa disa persona të tjerë u është komunikuar gjendja e arrestit në dhomat e burgut ku ndodhen.
GJURMIMI I NJERËZVE TË BEN NDOKËS
SPAK duket se ka nisur gjuetinë e personave për të cilët ka lëshuar urdhër arreste edhe jashtë vendi, duke ua përcjell emrat edhe INTERPOL-it. Dy prej tyre kanë rënë në pranga ditën e djeshme, njëri në Spanjë dhe tjetri në Itali. Ajo që bie në sy është personi që është arrestuar në Itali, ku sipas të dhënave dyshohet se është dhëndëri i Arben Ndokës, ish-ligjvënësit socialist, që është shpallur në kërkim tashmë, gjithnjë sipas SPAK bashkë me nipin e tij.
Dje u bë me dije se në kuadër të operacionit që po kryhet nga SPAK për goditjen e grupeve kriminale, në bashkëpunim me Interpol është arrestuar në Itali, Arian Tuku. Nga hetimet e SPAK rezulton se Arian Tuku, 36 vjeç nga Lezha, ka tentuar të vrasë Aleks Ndrekën (Deda) i njohur si “Leksi i Druve”. Gjithashtu 36-vjeçari ka siguruar kushtet për të kryer edhe vrasjen e Durim Bamit.
Po sipas SPAK, në 2020 ai ka trafikuar në Mal të Zi 168 kg kanabis sativa të cilat janë sekuestruar nga autoritetet malazeze. ‘Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se shtetasi Arian TUKU, djali i Zef dhe Veranikës, i datëlindjes 02.02.1988 në Lezhë, më datë 01.12.2020 ka tentuar të vrasë shtetasin Aleks NDRKA.
Gjithashtu ky shtetas ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Durim BAMI. Më datë 03.11.2020, ai ka trafikuar në Mal të Zi 168 kg kanabis sativa, të cilat janë sekuestruar nga autoritetet malazeze.
Veprat e mësipërme janë kryer prej tij në një formë të veçantë bashkëpunimi, atë të një grupi të strukturuar kriminal”, -njofton SPAK. Arian Tuku është dhëndri i Arben Ndokës, ish-deputetit të PS-së, i cili po ashtu është në kërkim pasi ndaj tij SPAK ka lëshuar urdhër-arrest. ‘Leksi i Druve’ ka pasur përplasje të forta me ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka.
DISA PREJ URDHËR-ARRESTEVE
1- Leonard Duka – Tiranë
2- Erlis Duka – Tiranë
3- Astrit Avdylaj – Shijak
4- Altin Avdylaj – Shijak
5- Valter Bami – Krujë
6- Durim Bami – Krujë
7- Endrit Dokle – Durrës
8- Plarent Dervishaj – Durrës
9- Arben Ndoka, ish-deputeti i PS – Lezhë
10- Xhevi Ndoka në burg, vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka – Lezhë
11- Fatmir Hyseni alias Doçja -Vlorë
12- Albert Zaja, i dënuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit –
Fushë- Krujë
13- Armando Ndreca, vëllai i deputetit të Partisë
Socialiste, Eduard Ndreca – Lezhë
14- Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të deputetit të PS-së,
Eduard Ndreca – Lezhë
15- Miri Bruli – Shkodër
16- Lulzim Berisha, i arrestuar në Spanjë
17 – Ergert Mitri – Polic, ish-drejtori i policisë, Lezhë
18- Klodian Shahini – ish-punonjës policie Kufitare
19 – Altin Morina – Ish-efektiv i RENEA-s
20- Marklen Haka – Nikël
21- Arjan Tuku, arrestuar në Itali
22- Denis Meta, arrestuar në Spanjë
NGJARJET KRIMINALE QË PRITEN TË ZBARDHEN
1-Ekzekutimi i Bardhok Pllanës në Shkodër
2-Përplasja e Avdylajve me Bamët e Niklës
3-Vrasja e Brilant Martinajt me shokët
4-Vrasja e Can Karriqit
5-Vrasja e Erigers Mihasit 6-Vrasja e Armando Dumani