Zbulohet skema tjetër e mashtrimeve me kreditë, 34-vjeçari “gropos” disa qytetarë përmes mashtrimit dhe arratiset në Gjermani (Emrat)

by editor

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim një 34-vjeçar i identifikuar si Ledio Vrapi pasi dyshohet për mashjtrimin e disa personave nëpërmjet marrjes së kredivë në emrin e tyre. Ndaj tij gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”.

Advertisements

Mësohet se 34-vjeçari, tashmë me banim në Gjermani, ka mashtruar shtetas të ndryshëm duke ju thënë se i nevojiteshin të dhënat e tyre për të çelur llogari bankare dhe për të tërhequr shuma parash nga banka, në mënyrë që ai të mos tërhiqte vëmendjen e autoriteteve shtetërore.

Advertisements

Pas çeljes së llogarive dhe tërheqjes së parave, ai i ka dhënë secilit nga shtetasve nga 50 000 lekë si shpërblim.

Por ndërkohë që mendonin se kishin fituar nga “qiradhënia” e llogarisë së tyre bankare dhe të dhënave personale, sapo kishte filluar kalvari i tyre.

Kjo pasi sipas policisë, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Ledio Vrapi me anë të fotove të kartave të identitetit të këtyre shtetasve ka marrë kredi pranë disa institucioneve financiare, shuma parash që variojnë nga 5-7 milionë lekë të vjetra, të cilat janë transferuar në numrat e llogarive të shtetasve dhe janë përvetësuar pas tërheqjes prej tij.

Madje, policia thekson se në këtë veprimtari të paligjshme është përfshirë edhe noterja M. D., e cila dyshohet se ka kryer noterizimin e kontratave me palë shtetas që nuk kanë qenë të pranishëm dhe që nuk i kanë nënshkruar këto kontrata dhe për të cilët janë paraqitur të dhëna të rreme lidhur me adresat e banimit dhe të dhënave të tjera.

Policia ka proceduar edhe dy punonjës të institucioneve financiare që kanë lëshuar kredi pa prezencën e personave që supozohet se e merrnin atë.

“Në përfundim të këtyre veprimeve, nga ana e punonjësve të institucionit financiar, konkretisht Lindita Ndroqi, (përgjegjëse zyre) Linda Peci dhe Eros Aliu (oficerë kredie), janë mbajtur relacionet dhe vendimet e miratimit të kredive, të bazuara në të dhëna të rreme, të cilat nuk i përkasin palëve në cilësinë e debitorëve”, njofton policia.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkon masa sigurie ‘Arrest në burg’ dhe ‘Arrest shtëpie’ për 5 persona nën akuzë për veprat penale të ‘Mashtrimit’ dhe të ‘Falsifikimit të Dokumenteve’.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta persona duke përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit, kanë përvetësuar shumat e kredive të marra nga 11 persona që kanë bërë kallëzim penal duke i mashtruar dhe duke ju përvetësuar shumat monetare.

Shtetasi L.V., ka shtyrë të dëmtuarit nga kjo veprimtari kriminale që të hapnin llogari bankare në emër të tyre, ku janë transferuar shumat monetare të marra nëpërmjet kredive bankare. Po kështu, shtetasi L.V., nëpërmjet gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit ka siguruar kopje të dokumenteve të identifikimit për personat e dëmtuar dhe pa dijeninë e tyre, ka bërë të mundur realizimin e dosjeve të kredisë dhe kontratave të kredise, në institucionin financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, duke bërë të mundur çeljen e kredive, disbursimin dhe transferimin e shumave monetare në llogaritë bankare të personave të dëmtuar, tërheqjen e shumave dhe përvetësimin e tyre.

Në kryerjen e këtyre veprimeve, shtetasi L.V., ka bashkëpunuar me shtetasit E. A. dhe L. P., të cilët kanë qënë punonjës të shoqërisë ‘Fondi Besa’ sh.a, që kanë qënë në cilësinë e oficerit të kredisë, në lidhje me personat e dëmtuar. Po kështu, ka bashkëpunuar edhe me shtetasen L. N., e cila ka qënë përgjegjëse e zyrës përkatëse të ‘Fondi Besa’ sh.a, që ka patur në varësi dy punonjësit e mësipërm.

Personat e dëmtuar nuk janë paraqitur ndonjëherë në zyrat e institucionit financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, nuk kanë nënshkruar ndonjë dokument për marrjen e kredive, nuk kanë nënshkruar kontratat noteriale për marrjen e kredive, nuk kanë pasur dijeni në lidhje me ekzistencën e kredive në emër të tyre. Punonjësit e institucionit financiar ‘Fondi Besa’ sh.a kanë qënë plotësisht në dijeni të faktit se personat e dëmtuar nuk janë paraqitur në zyrat e tyre, për të aplikuar për kredi dhe për të dorëzuar dokumentacionin e kredisë, por kanë plotësuar dosjen e aplikuesve me dokumente me përmbajtje të falsifikuar.

Sa më sipër, ekzistojnë prova të mjaftueshme se shtetasi L. V., në bashkëpunim me shtetaset L.N., E.A. dhe L.P., kanë krver veprën penale të “Mashtrimit”, me pasoja të rënda dhe të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 143/3 dhe 25 të Kodit Penal.

Po kështu, ekzistojnë prova të mjaftueshme se shtetasja M. D., në cilësinë e Noteres, ka kryer veprën penale të ‘Falsifikimi i dokumenteve’, nga personi që e ka për detyrë, në 11 raste, të parashikuar nga nenet 186/3 i Kodit Penal.

Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon:

– Të caktohet ndaj personit nën hetim L.V., masa shtrenguese e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale;

– Të caktohet ndaj personave nën hetim L.N., E.A., L.P. dhe M.D., masa shtrënguese e sigurimit personal “arrest në shtepi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale;

– Të caktohet ndaj personit nën hetim M.D. edhe masa ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale”, bën me dije prokuroria.

You may also like