Duhet apo jo të votojë Diaspora!(Shkrim nga një mjeke)

by editor

Nga Enxhi Kastrioti(Mjeke qe jeton dhe punon jashte Shqipërisë)

Advertisements

Duhet apo jo të votojë Diaspora!
Një ditë mbasdite sapo isha kthyer nga puna, siç bëj pothuajse gjithmonë, po shfletoja buletinin e lajmeve në Shqipëri. Një çështje tepër e zjarrtë kishte marrë rrjedhën e studiove televizive dhe ishte bërë tema e ditës, nxitur dhe nga takimet e fundit të Ramës në Itali dhe Greqi: “Duhen apo jo emigrantët të votojnë?” Kjo temë shpeshherë trajtohej me një ton grotesk dhe përçmues. Deri diku në mirëkuptim pasi mosbesimi ndaj pushtetit, sidomos kur tërthorazi si ide propozohet prej tij, të nxit gjithmonë opozitarizmin; edhe unë jam natyrë e tillë që nuk bëj shpesh kompromise me të vërtetën. Por kësaj here nuk e di pse më dhembi deri në trishtim.

Advertisements

Më kujtohet si sot dita kur një e nga një mbyllja rrobat në valixhe dhe së bashku me to me forcë edhe kujtimet. U sigurova mirë që gjithçka të ishte fort e mbyllur si ato gujtinat e mesjetës sepse vetëm ashtu mund t’ia dilja. Një valixhe që peshonte relativisht pak por më rëndonte shumë. Aq shumë sa supet e mia relativisht të vogla të krusura si shkëmbinjtë e maleve kur borën mbi vete duhet të mbajnë, zotoheshin se do t’ia dilnin. Dhe ashtu e hallakatur shtrëngova dhëmbët, mblodha forcat me përbetimin që s’do e ktheja kokën mbrapsht si një Don Kishot, nisa rrugëtimin tim. E bindur që s’do gjeja parajsën, por thjesht doja të ikja. Shqipëria ime asokohe po më merrte frymën. Kujtoj qartësisht atë ndjenjë të ngatërruar të lamtumirës. Ndërsa ecja drejt portës së aeroportit, ndieja një përzierje të frikës dhe shpresës. Ishte një vendim pikërisht në moshën dhe momentin kur ëndrrat dhe idealizmat për të ndryshuar botën sapo ndesheshin me realitetin kacafyteshin frikshëm. Si rrugëdalje e vetme ishte të bëheshe palë dhe të pranoje realitetin ose të kërkoje ëndrrën tënde gjetiu.

Unë i përkas një gjenerate të re emigrantësh, ata që gjejnë dhe ushtrojnë profesionin e tyre, të cilëve nuk u është dashur të përballen me egërsinë deri në kufijtë e tragjedisë. Dramat e të cilëve luhaten midis vështirësisë së normales. Si një zgjedhje për të jetuar jetën në një botë pa kufij. Ata që në një pjesë po jetojnë ëndrrën e tyre dhe shumica prej tyre duke qenë shembull dhe për qytetarët e tjerë në botë.

Emigracioni modern nuk ka drama të mëdha, ndoshta nuk ka tragjedi, ndoshta nuk ka, por është i frikshëm. I ngjan Purgatorit ku ecjejaket ferr-parajsë lëvizin aq shpesh sa tiktaket e orës. Krijojnë qytetarë dhe individë pa atdhe, të ndjerit i huaj në vendet e huaja dhe i huaj dhe i papranuar në vendin e tënd. Ku ato pak orë mbi ajër teksa kalon këto kapërcime janë të vetmet orë të tua të qetësisë. Sepse ti i përket dy botëve të ndryshme dhe asnjërin plotësisht. Dhe gjithmonë me një luftë të brendshme të përditshme për të ruajtur identitetin tënd si shqiptar.

Advertisements

Shpesh bisedoj me kolegët e mi shqiptarë të diasporës dhe përtej propagandës, truket manipulative të supozuara të pushtetit dhe që kësaj here dua t’i lë anash, ndjesia që mora nga takimet ishte se të gjithë, myslimanë dhe të krishterë, burra, gra, djem dhe pleq, kanë një dëshirë të përbashkët në limitet e një thirrje të dëshpëruar: duan të dëgjohen, duan të ndihen të përfaqësuar, kanë nevojë të jenë bashkë. Duan dhe duam të gjithë të ndihemi pjesë e Shqipërisë. Shpesh me të drejtë thuhet ngrihen pikëpyetje a u duhet lënë në dorë fatet e atyre që zgjodhën të jetojnë në Shqipëri të vendosen nga ata që në fund të fundit ishin ata që nxituan të iknin. Përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep vetë historia, mjafton të kthehesh pak në kohë dhe kupton rolin e rëndësishëm në momente vendimtare të popullit tonë që ka luajtur diaspora. Mjafton të kujtosh kush ishte Naim Frashëri, Fan Noli, De Rada e të tjerë me radhë. Mjafton të kujtosh Rilindjen Kombëtare deri në Shpalljen e Pavarësisë, mbështetjen e paçmuar për rënien e Komunizmit dhe përkrahjen jetike për lobimin në Luftën e Kosovës.

Kjo ndodh sepse Diaspora dhe emigrantët janë njerëz të lirë që nuk u binden orfiqëve të pushtetit, nuk tundohen nga interesat meskine të momentit, janë natyra guximtare dhe idealiste. Absolutisht nuk dua të mitizoj Emigrantët dhe Diasporën sepse e di që pyetja tjetër do ishte “A ktheheni ju për Shqipërinë?” Dhe për këtë e kam një përgjigje: 90% jo, pasi këtu ku jemi kemi ndërtuar ato shtëpizat dhe rutinën tonë pikërisht për ato arsye që na nxitën të ishim qytetarë të botës. Por e di me bindje të plotë që nëse do pyeteshin të gjithë, do ishin të gatshëm kush më pak e kush më shumë me përvojën e marrë përtej kufijve të të voglës Shqipëri, me gjithë dëshirë, vullnet dhe idealizëm do kontribuonin edhe pse prej së largu.

Na lejoni dhe të jemi pjesë e integruar e asaj shtëpisë sonë të përbashkët që quhet Shqipëri. Së bashku mund të ndërtojmë një Shqipëri më të mirë. Përfyturoni si do ishte një Shqipëri e Mira Muratit, e Mentor Permetit, e Ferid Murad së bashku me më shumë e së bashku me me shume e shume te tjere që zgjodhën që kontributin e tyre ta japin ne Shqiperi , a e perfytyroni dot kete binom ?

Ndaj na lejoni të jemi dhe ne pjesë e juaja na lejoni të frymojme dhe ne shqip, na ndihmoni që mes luftes se globalizmit te ruajmë identitetin tone shqiptar dhe te ndihemi plotesisht te tille. Dhe sebashku te ndërtojmë një shqiptari me te mire. E gjitha kjo arrihet vetëm nëpërmjet një mënyrë, nëpërmjet te shenjtës se drejtës per te votuar. Ndaj dhe sot me besim te plote një zërazi themi : Diaspora shqiptare duhet te votoje!

You may also like