Vrasja e Erlado Nevruzit ende nuk ka një motiv të qartë se përse ndodhi! Edhe pse policia dhe prokuroria kanë lënë të kuptohet se mes tyre ka pasur një konflikt të mbartur nga vendi ku të dy djemtë kanë emigruar, ende është i paqartë fakti se përse viktima shkoi dhe kërkoi punë pikërisht në hotelin e personit me të cilin kishte konfliktin.
Advertisements
Ndërkohë që pritet që drejtësia greke të lejojë një ekstradim me procedurë të përshpejtuar për të sjellë para gjykatës së Vlorës ekzekutorin e të riut, dje në Gjykatën e Vlorës janë dhënë masat për dy bashkëqytetarët e viktimës, të cilët pranuan se e ndihmuan autorin për të fshehur trupin e pajetë.
Advertisements
Dy bashkëpunëtorët kanë mohuar të kenë marrë pjesë në krim, por që ata janë përfshirë nën kërcënimin e armës nga ana e Gerald Shehut, 43-vjeçarit nga Memaliaj, që mundi ta kalonte kufirin pa u pikasur nga policia kufitare. Ai i ka kërkuar prokurorisë dhe gjykatës greke që ta ekstradojnë në Angli, në vendin ku ai qëndron prej vitesh, pasi në vendin tonë i rrezikohej jeta.
Autori i vrasjes, mësohet se në Angli jeton me dokumente, duke bërë që kërkesa e tij të vonojë dhe komplikojë ekstradimin për llogari të drejtësisë shiptare. Dy të arrestuarit si bashkëpunëtorë nuk kanë pranuar të dëshmojnë asgjë në lidhje me rrethanat e këtij krimi të rëndë, por policia dhe prokuroria kanë siguruar me dhjetëra dëshmi, përfshi edhe vjehrrën e autorit të krimit, e cila është pronare e hotelit në të cilën u ekzekutua 31-vjeçari nga Korça, Eraldo Nevruzi.
MASAT E SIGURISË
Të akuzuar si bashkëpunëtorë në vrasjen e të riut që punonte si recepsionist, Eraldo Nevruzi, dy punonjësit e hotel ‘Greccia’ në Dhërmi do të qëndrojnë në burg. Daniel Qose, 34 vjeç dhe David Larti 31 vjeç, u njohën me masën e arrest me burg në Gjykatën e Vlorës. Punonjësit akuzohen se ndihmuan pronarin Gerald Shehu që të fusë trupin e viktimës në një qese plehrash dhe më pas e kanë futur atë në bagazhin e makinës. Të dy kanë shprehur pendesë në Gjykatë dhe kanë thënë se të gjitha veprimet i kanë bërë pasi pronari i ka kërcënuar me armë. Ata kanë asgjësuar të gjitha provat e vrasjes, duke djegur sendet personale, telefonin dhe rrobat e 31- vjeçarit në furrën e picerisë.
Arma e krimit ende nuk është gjetur, ndonëse në kasafortën e pronarit Gerald Shehu u gjet një gëzhojë plumbi. 43-vjeçari u arrestua në Korfuz në përpjekje për të shkuar në Angli, ndërsa pritet ekstradimi i tij në vendin tonë. 31-vjeçari Eraldo Nevruzi u vra mesnatën e 5 qershorit nga pronari Shehu. Ai e qëlloi me dy plumba në kokë në shkallët e hotelit dhe e ka tërhequr trupin zvarrë deri në katin e nëndheshëm të hotelit. Më pas ka detyruar dy punëtorët e hotelit ta ndihmojnë për ta zhveshur kufomën, mbështjellë trupin e viktimës me plastmas e çarçafë dhe transportuar në bagazhin e makinës.
HETIMET
Për krimin monstruoz të kryer në hotel, në Dhërmi, deri më tani, numri i të arrestuarve ka shkuar në 4 persona. Bashkë me autorin-pronar të hotelit, dy bashkëpunëtorët-punonjës në atë hotel në pranga është vënë edhe një punonjës morgu, i cili e fotografoi trupin e viktimës në vendin ku e kishte hedhur autori i vrasjes. Në fakt, grupi hetimor ka siguruar një sërë dëshmish që lidhen me momentin e vrasjes dhe tentativës për të zhdukur gjurmët, jo vetëm të ngjarjes brenda hotelit, por edhe të krejt trupit.
Por deri më tani ka pak fakte të reja që lidhen jo vetëm me motivin që çoi në kryerjen e atij krimi, por edhe të rrugëtimit të autorit bashkë me trupin e të ndjerit deri në momentin që e ka hedhur në anë të Përroit të Gjipesë. Familjarët e viktimës kanë pranuar se djali iu kishte treguar se kishte ndryshuar vend pune, pasi në lokalin ku kishte nisur nuk kishte puna sa duhet dhe kishte vendosur të shkonte në një hotel. Në fakt, ajo që dihet, aty punonin edhe dy persona të tjera që ishin nga qyteti i Korçës, që të dy tashmë të arrestuar si bashkëpunëtorë në krimin e rëndë.
Po ashtu ende nuk bëhet me dije se çfarë kanë fiksuar kamerat e sigurisë së hotelit për sa i përket se si janë zhvilluar episodet para se sa Gerald Shehu të nxirrte armën dhe t’i merrte jetën të riut me dy plumba në kokë!