Pas konfliktit 3-vjeçar, emri, logoja dhe vula e PD-së iu rikthehen Sali Berishës, çfarë thuhet në vendim! Lëvizjet e Bashës pasi Apeli i rrëzoi ankimimin

by editor

Gjykata e Apelit vendosi dje që t’i japë ish-kryeministrit Sali Berisha vulën dhe logon e Partisë Demokratike.

Advertisements

Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Alma Ahmeti, Elona Toro dhe Iliba Bezati, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, vendosi të mos pranojë ankimimin e firmosur nga deputeti Enkelejd Alibeaj, duke lënë në fuqi një vendim të gjyqtarit Agron Zhukri të shkallës së parë.

Advertisements

Ndaj emri, logoja dhe vula e Partisë Demokratike iu rikthyen dje grupimit më të madh të opozitës që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, pasi Gjykata e Apelit rrëzoi një ankimim të grupimit tjetër me në krye Lulzim Bashën. Ky vendim i treshes së gjyqtarëve të Apelit me kryesuese Alma Ahmatin dhe anëtare Iliba Bezati e Elona Toro, i dha vulën, ose thënë ndryshe njohu si përfaqësues ligjor të Partisë Demokratike grupimin e rithemelimit të drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Shkalla e Dytë la të paprekur vendimin e dhënë më 25 mars të 2022 nga gjyqtari Agron Zhukri, i cili miratoi ndryshimet statutore të Kuvendit Kombëtar të PD-së mbajtur në 11 dhjetor 2021 thirrur nga Komisioni i Rithemelimit, rrjedhimisht edhe të gjitha vendimet që u morën në Kuvend, shkarkimi i kryetarit në atë kohë Lulzim Bashës dhe ndryshimet në strukturën e partisë.

Advertisements

Përfaqësues të Lulzim Bashës, Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa pretenduan se Kuvendi dhe vendimet e dalë prej tij ishte në kundërshtim me ligjin. Por Ivi Kaso, Oerd Bylykbashi dhe Ledina Mandia, si përfaqësues të grupimit të Berishës, renditën bazën ligjore për të gjithë veprimtarinë e Komisionit dhe më pas vendimmarrjeve të Kuvendit. Çështja e vulës së Partisë Demokratike kaloi një kalvar gjyqësor që nga data 25 mars 2022, kur një ankim i bërë nga Enkeled Alibeaj, ndaj vendimit të Shkallës së Parë pasoi 2 vite proces.

Në një vendim të mëparshëm Apeli kishte kthyer çështjen për rigjykim, por Gjykata e Lartë e prishi vendimin duke urdhëruar që të dilte vetë me një vendim përfundimtar. Vendimi u mirëprit nga deputetët demokratë të pranishëm në sallë.

“Megjithëse në oazin e padrejtësisë, u gjetën gjyqtarë me integritet që i dhanë zë të vërtetës. Unë në emër të gjithë kolegëve iu bëj thirrje çdo demokrati të gënjyer, të mashtruar dhe të keqinformuar, kthehuni në shtëpinë tuaj se shtëpia juaj ka vend për çdo qytetar të këtij vendi që është kundër narkoregjimit”, tha Noka.

Vendimi i Apelit, i jep fund kështu një prej krizave më të thella që ka përjetuar Partia Demokratike prej themelimit të saj, krizë që nisi me vendimin e Lulzim Bashës për të përjashtuar liderin historik, Sali Berisha, pas shpalljes se tij “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vendimin e Apelit thuhet se kundër këtij vendimit mund të bëhet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditëve duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit. Gjyqtari Zhukri kishte njohur vendimet e Kuvendit Kombëtar të PD-së të mbledhur nga Berisha me firmat e ¼ së anëtarëve, ku u shkarkua nga detyra e kryetarit të partisë Lulzim Basha dhe organet drejtuese dhe partia do të drejtohej nga një organ i quajtur “Komision i Rithemelimit”.

Por, një ankimim i bërë në Apel nga deputeti Alibeaj, i cili në atë kohë u autorizua si kryetar partie pas dorëheqjes së përkohshme të Lulzim Bashës, bëri që çështja të zvarritej ligjërisht deri në Gjykatë të Lartë, e cila në dhjetor 2023 zhbëri vendimin e parë të Apelit, që e njihte Alibeajn si palë në proces, duke kthyer çështjen për rishqyrtim. Me vendimin e fundit të Apelit duket se përfundon dhe saga ligjore më shumë se 3-vjeçare e partisë më të madhe opozitare, e cila që prej vjeshtës 2021 është e përçarë në dy grupime kundërshtare.

Beteja ligjore për vulën dhe emrin e partisë bëri që Partia Demokratike të futej e përçarë dhe të përjetonte një humbje të thellë në dy palë zgjedhje vendore, ato të pjesshmet në mars 2022 si dhe zgjedhjet e majit 2023. Organet vendimmarrëse të procesit zgjedhor i njohën Bashës të drejtën për të përdorur vulën dhe logon, si dhe të përfitonte fondet e buxhetit të shtetit për zgjedhjet, ndërsa grupimi i Berishës garoi nën siglën e një koalicioni me partinë e aleate të ish-presidentit Ilir Meta.

Lëvizja e radhës e Bashës

Por pas këtij vendimi, Lulzim Basha u vu menjëherë në lëvizje duke mbledhur strukturat e partisë për hapat e mëtejshëm. Lulzim Basha mblodhi për më shumë se dy orë strukturat partiake, për të diskutuar mbi vendimin e Gjykatës së Apelit që i dha Sali Berishës vulën dhe logon e PD. Basha tha se do të zhvillohet edhe mbledhje e Kolegjit të kryetarëve. Ai nuk bëri asgjë të ditur në lidhje me ndonjë vendimmarrje.

“Kemi ecur me mbledhjen e kryesisë, por nuk e kemi përfunduar. Do t’i bashkohemi kolegjit të kryetarëve. Gjithçka që ju thashë, kur hyra, vazhdon të qëndrojë. Do vazhdojmë takimet me kolegjin e kryetarëve dhe kryesinë”, tha Basha. Më herët Lulzim Basha bëri me dije se pavarësisht se Apeli i hoqi logon dhe vulën e PD, beteja do të vazhdojë. Duke folur për gazetarët, Basha nuk e komentoi vendimin e gjykatës, por tha se beteja për një Shqipëri më të mirë do të vazhdojë.

“Nuk komentoj vendimet e gjykatave, ky është një standard i imi, i yni si Parti Demokratike. Ajo që dua t’u them shumë mbështetësve, demokratëve por dhe qytetarëve që janë mërzitur nga ky vendim, e vetëkuptueshme që janë mërzitur sepse prisnin një vendim tjetër, është t’ju them që mos të mërziten, mos dëshpërohen. Në fund të fundit këtë betejë as nuk e kemi nisur, as nuk e vazhdojmë për logo, vulë apo karrige, jemi bërë bashkë për diçka shumë më të madhe, është një betejë shpirtrash të bashkuar për idealet e Dhjetorit me të cilat ka lindur PD, për të përndjekurit politikë, për pronarët, për shtresën e mesme shqiptare, për familjet shqiptare dhe sot është më e qartë se kurrë që Shqipëria meriton ndryshe, meriton më mirë, meriton më shumë, ndaj ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë, dhe nuk kemi pak në dorë, që mos ta shpërdorojmë këtë besim të qindra mijëra njerëzve që besojnë në një të ardhme më të mirë për vendin, por të vazhdojmë betejën tonë, të vazhdojmë përpjekjet tona për një Shqipëri më të mirë. Nuk e komentoj vendimin e gjykatës”, u shpreh Lulzim Basha.

Këtë deklaratë ai e bëri para mbledhjes me strukturat e grupimit të tij. Kurse Enkelejd Alibeaj njoftoi se do ta zbatojnë vendimin e Apelit për Vulën e PD-së pikë për pikë. I pyetur nga gazetarët para se të futej në mbledhjen me Bashën, Alibeaj nuk komentoi gjatë. Ndërkohë, edhe deputeti Kreshnik Çollaku, tha se do respektojnë vendimin e Apelit. Ai tha se është deputeti i PD dhe do mbetet deputet i PD. “Do e zbatoni vendimin e Apelit? “Pikë për pike”, deklaroi Alibeaj.

Ndërsa Kreshnik Çollaku u shpreh: “I qëndroj atyre që kam deklaruar. Ka një vendim të gjykatës që kemi detyrimin ta respektojmë. Do komunikojmë më tej. Jam deputeti i PD dhe do të mbetem deputet i PD. Vendimi është marrë, e respektojmë”. Konflikti mes dy grupimeve lindi në shtator të vitit 2021, kur ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha vendosi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, pasi ky i fundit u emërtua si person i përfshirë në korrupsion madhor nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Por, Berisha nisi një fushatë brenda partisë që kulmoi në janar të 2022-it me një sulm fizik kundër selisë së partisë, e cila u pasua nga ndërhyrja e policisë. Pas sulmit, kryesia e PD-së vendosi përjashtimin e Berishës dhe mbështetësve të tij nga partia. Aktualisht “Rithemelimi” kontrollon pjesën më të madhe të partisë në terren dhe të grupit parlamentar, pasi shumë prej kundërshtarëve të dikurshëm u bashkuan rreth Berishës në këto vite

You may also like