Ndryshimet në qeveri thjesht për të mos ndryshuar mënyrën e deritanishme të qeverisjes

by editor

Pata më shumë kohë dhe qetësi mendore këtë paradite, për tju rikthyer dëgjimit të “Fjalimit programatik” të KM dhe njëkohësisht Kryetarit të ish PS-së së 12.06.1991 dhe të Rilindjes së pas 23.06.2013 në Kongresin e kësaj force politike të 28.07.2024…. Jam tejet e bindur se me një fjali të vetme ai fjalim mundej të titullohej si: “Ndryshimet në Qeveri për të mos ndryshuar si deri më tash, mënyrën e qeverisjes së Vëndit”….

Kishte në të shumë fjalë apo fjali të kërkuara, të shprehura shpesh me shumë e me shumë pathos, POR aty mungonte analiza e llogaridhënia përpara delegatëve ose “kongresmenëve” rilindas si dhe masës së 800.000 votuesve të zgjedhjeve të fundit të 2021 për ish-PS/Rilindjes mjaftiste, në lidhje me ato çka ishin premtuar dhe jo realizuar në këto 11 vite Qeverisje:

Advertisements

1- U premtua se vëndi ynë do të ishte anëtar i BE në fund të mandatit të parë qeverisës 2013-2017, kur ai ende sot nuk ka hapur një kapitull të vetëm për këtë anëtarësim, ndërkohë që janë jo pak por 35 syresh dhe një gjë e tillë ripremtohet të bëhet në një Mandat të katërt qeverisës.

2- Do të hapeshin 300.000 vënde të reja pune po përgjatë katër viteve 2013-2017, në ndërkohë kur Censusi i 2023 qartazi tregoj se në Shqipërinë e këndej Drinit ka 400.00 qytetarë zyrtarisht më pak në krahasim me Censusin e 2011.

Advertisements

3- Ushtarakëve tanë “dy javë pas riardhjes në Pusht-Shtet të PS më 23.06.2013 do tu rikthehej ndërtesa e SHQUP”, për të cilën më 8.01.2022 sa nuk u vranë mes vedit Demon-kratët e PD-së, që e morën atë para dorzimit të Pusht-Shtetit në Shtator 2013.

4- Do të përfundojnë “rrugët e lëna rrugëve të PD”, por ende Rruga e Arbërit nuku është përfunduar si dhe Rruga e Kombit ende ka plotësime për të bërë.

Advertisements

5- U bë zhurmë për përpunimin e “plehrave të gjelbërta” që do të vinin në Shqipëri, “po aq të vlefshme për ekonominë tonë sa edhe gruri, kafja e sheqeri” (ER), por NE ende nuk kemi vënë plotësisht në efiçiencë dy inceneratorët e përpunimit të mbeturinave në Elbasan dhe në Fier, pa përmendur atë të Tiranës, i cili ekziston vetëm në 3D dhe gllabëron çdo ditë mijra e mijra euro.

6- Vendit po i largohen dita-ditës qindra mjekë dhe infermjere, duke e renditur Shqipërinë si të fundit në Europë për mjekë në raport me popullatën, 1-1.2 mjek për 1000 banorë, dhe ata/ato nuk mundet të mbahen forcërisht me ligje bllokuese diplomash, POR me politika zhvillimore të Sistemit Shëndetsor për përthithjen e këtyre mjekëve në të, si dhe vlersimin monetar e promovimin karieror bashkëkohor të tyre.

7- BAZA e një Ekonomie me synime zhvillimore afatgjata dhe të qëndrueshme nuku mundet të jetë vetëm Turizmi, sepse eksperienca mbarëbotërore e ka treguar tashmë një gjë të tillë. Turizmi pa një Bujqësi, Industri dhe Infrastrukturë të mirëzhvilluara dhe të mirëharmonizuara, KURRË nuku mundet të bëhet promotore e një zhvillimi cilësor dhe e mbrothësimit mbarështresor të popullatës së vëndit.

8- Jemi Ekonomia më e KON-QENËSUAR dhe PPP-zuar në Rajon dhe jo vetëm, në çdo qelizë strukturore dhe funksionale të saj dhe prej tyre “gllabërohen qindra e qindra miliona euro”, pa ndonjë vlefshmëri të tyre në raport me vlefshmërinë e një menaxhim të tyre më mirë të kontrolluar nga Qeveriu.

9- PO ARËSYET se përse kemi pensionistët më të varfër në Rajon dhe një shtresë oligarkësh më të pasur në të, a do të analizohen ndonjëherë nga kjo Forcë politike që pretendon se është e Majtë si dhe pjesë e Internacionales Socialiste Europiane? Do të vijojmë ti indeksojmë herë pas here pensionet e tyre duke i shitur ato si “rritje qënësore të tyre”?!

10- OLIGARKËT e lindur pas 31.03.1991 ishin vetëm nga ata, që “të pabukë i gjeti dreka dhe milionerë i zuri nata”, me asnjë trashëgimi fisniko-pasurore të para 29.11.1944. SOT ata janë vetë shteti dhe diktues të zhvillimit të tij në përputhje vetëm me interesat e tyre të ngushta personale apo klanore. Ishin ata që ipnin “hisen” te Qeveriu para 23.06.2013, dhe pas kësaj date date vetëm ndryshuan derën ku e shpinin atë hise, dhe/ose ndoshta përqindjen e kësaj hiseje. ATA nuk i përmënd dhe nuk i cyt/ngacmon askush nga piramida pusht-shtetare, sepse kanë fije të forta lidhjeje e interesa të ngushta financiare me ta.

11- DIJEDHËNIA do të vijojë të lëvrohet si deri më tash?! Apo ky lëvrim i dijedhënies gradualisht do ti kalojë me tam-tame Inteligjencës Artificiale, mqse Inteligjencën Natyrale pusht-shtetarët tanë do vijojnë ta përdorim vetëm e vetëm “për të Ecur Për-Para”.

12- BJERJA e popullatës do të vijojë të thellohet nga mungesa e perspektivës së punësimit dhe të mbrothësimit në Shqipërinë e këndej Drinit, apo seriozisht dhe jo klanisht do punohet për krijimim e vëndeve të reja të punës, dhe të oksigjenimit të mundësive të bërjes biznes në këtë vënd.

13- PËRSE ka rënë terri informativ në lidhje meatë se çfarë u bë, po bëhet dhe do të bëhet me “Ato dy rrëngallat bangladeshaso/amerikano/italiano a ku e di unë lundruese”, të sjedha dhe vendosura në Gjirin e Vlorës si impiante energji prodhuese me karburant diezel?!?!…..A vijojmë NE të paguajmë mijra euro në ditë për një impiant mjedisoro-ndotës, por që deri më tash nuku ka prodhuar as edhe një kwH energji elektrike?!?!….Janë paratë që vinë nga taksat e një populli të tërë, dhe jo nga xhepat e firmosësve të këtij tenderi të pavlertë e korruptiv.

14– PO ME fondet IPARD të BE për subvencionet e prodhimeve bujqësore dhe ato blegtorale çfarë u bë?!….A ishte kjo një aferë e qartë klepto-korruptive apo ishte thjesht një informacion i rremë nga “mediat e kazanit mediatik europian”?!? Nga gjoksnxjerrja dhe patetizma se “Do bëjmë SHTET”, deri në strukturimin dhe funksionalizimin e tij, duhet shumë-shumë punë dhe gjithëpjesmarje e atyre të cilëve nuku u mungojnë Profesionalizmi, Përkushtimi dhe At-dhedashuria, por që Mediokriteti, Konformizmi, Nepotizmi dhe Militantizmi i deri mësotëm i ka lëmë jashtë përfshirjes së tyre në to. INDIVIDËT e përzgjedhur në detyra të rëndësishme Legjislative, Ekzekutive dhe Administrative me listat e firmosura nga KREU i Rilindjes/ish-PS të 12.06.1991, janë aty pas një proçesi paraseleksionues?! Thjesht dhe vetëm JO.

Në 11 vitet e qeverisjes rilindase shumica e ish-ministrave apo e ministrave aktualë, nuk i njeh askush nga strukturat organizative të Rilindjes përpos vartësve të tyre dhe superiorëve të cilët i emërojnë dhe i mbështesin ata. ATËHERË pse ata/ato kanë vetëm përgjegjësi personale dhe përzgjedhësi i tyre përjashtohet nga kjo përgjegjësi, për veprime e praktika klepto-korruptive të tyre?!?! Sistemi Socio-ekonomiko-politik Partitokratik/Kryetarokratik që u instalua gradualisht në Shqipërinë tonë të këndej Drinit, pas ndryshimeve rrënuese për Demokracinë që ju bënë brënda natës Kushtetutës sonë më 21.04.2008 me dakordësinë e plotë të PD-së në Mazhorancë dhe PS-së në Opozitë në atë kohë, do të mbetet asfiksues për Lirinë e fjalës dhe të aksionit politik të individëve apo forcave të reja politike, të pa ushqyera deri më tash nga “çorba e prishur prej klepto-korrupsionit të brendshëm”, apo prej “erëzave të shërbimeve të huaja të shtëna në këtë çorbë”.

Për çfarë SERIOZITETI në Shtetbërje dhe Shtetfunksion bëhet fjalë, kur nga 112 minutat “e fjalimit dritëdhënës dhe energjinxitës” VETËM DY MINUTAT E FUNDIT TË TIJ ju dedikuan thelbit të asaj për të cilin ishin mbledhur në atë sallë delegatët/kongresmenët e Rilindjes/ish-PS?!?! U zëvendësua ish-Kreu Socialist i dorëhequr i Parla-Pa-Mentit, me një ish-Mjaftiste si Elisa Spiropali”, apo “Mamica” sikundër e emërton atë “Skënderbeu” i saj KM. U emëruan Ministrat e rinj të Brëndshëm, të Mbrojtjes, të Financave dhe të Marrëdhënieve me Parlamentin, tre të parët nga individë deri dje në nivel Drejtorësh, të cilët i njohin vetëm vartësit e tyre dhe aspak të njohur nga asnjë strukturë e Rilindjes dhe të paparapëlqyer prej tyre.

EDHE për këta do të vijohet me “avazin e përgjegjësisë individuale”, edhe pse pasojat e mos realizimeve të tyre (NËSE) në të ardhmen do ti paguajnë në vijimësi taksapaguesit jo vetëm të majtë të vëndit?! Po ai që i përzgjodhi për ato funksione prapë do të mundet si deri më tash, “të lajë duar si Pons Pilati” nga bëmat e tyre?!?! ATA/ATO shuplakërrahësit e mbledhur në atë sallë, a kanë ndopak një bjerje morale, për KËTË MUNGESË TË DEMOKRACISË SË BRËNDËSHME të Rilindjes/ish-PS për çka flitet dhe vendoset aty?!?! KAQ SHPEJT e harruan ata frymën e debatit dhe të demokracisë së brendshme, e cila mbizotëronte në PS-në e para ardhjes në krye të saj të Edi Ramës, dhe të RILINDIZIMIT të saj?!?!

SË PAKU pika kulmore e këtij fjalimi, ishte “gazi dhe hareja” që nuk ju largua nga fytyra “Pandeliut të Nënës” aq sa i ra në sy edhe Kryetarit, çka ai e evidentoj me batutën se “na u rritën e djemtë Pandi” për të mbështetur propozimet e e veta, si dhe për të rikonfirmuar vetë “rritjen 33 vjeçare të këtij politikani” që firmën e parë në bordero e hodhi si deputet i PS, dhe më pas gëzoj poste Ministrash e deri Kryeministeror, pa lënë diku një gjurmëz të vogël të formimit të tij profesional… SERIOZITETI në fytyrat e ish drejtuesve të PS të ftuar në këtë Kongres nuk mungonte, POR zëshprehja e dakordësive apo mosdakordësive të tyre, për ato çka ndodhte në atë sallë pak ose aspak u ndie…

VETË ata/ato a kanë ndonjë ndjesi përgjegjësie për këtë katandisje funksionale dhe ideore jo demokratike dhe jo më social-demokrate të forcës më të madhe politike të vëndit, apo mqse “tashmë e kanë kripur djathin e rehatisë mirëqënësore të tyre”, who cares for the people?!?! Dëshira për pusht-shtetmbajtje të mëtutjemë e KM, u përmblodh në batutën e vijimit 50 ose 100 vjeçar të tij… MIRË E KA kur përballë ka:

1- një OPOZITË të lodhur nga gërr-mërret mes vedit, por dhe jo pak të majmur nga aferet e këtyre 33 viteve Demon-kraci, si dhe

2- një popull të delezuar pas Kryetarëve, që për “ta rrinë pa drita, pa bukë, pa ujë”, por që kurrë nuk ngrihen për hallet e problemet e për çdo dekike në Albanistanin tonë. Apatia dhe militantizmi ekstrem i një Populli, janë asfiksuese për Demokracinë e Shqipërisë së këndej Drinit, dhe ato vijojnë të krijojnë premisa për thellimin e dasive shoqërore….. Quo vadis Shqipëria ime e këndej Drinit?!?!

You may also like