Në vitin 2022, Livia*, një studente shqiptare në Francë zbriti në aeroportin e Rinasit me 30 mijë franga zvicerane të fshehura në një beze të lidhur rreth belit. Ajo kujton se ishte në ankth, por arriti të kalonte pa asnjë problem pranë punonjësve të sigurisë së aeroportit.
Advertisements
Në dy udhëtime të tjera drejt Tiranës, ajo kontrabandoi dërgesa me vlerë totale prej 40 mijë frangash. Livia nuk duket një korriere tipike e parave të dyshimta; ajo ngjan me qindra studentë të tjerë të universiteteve europiane.
Advertisements
Por kur u pyet nga BIRN se çfarë dinte për origjinën e parave, ajo u përgjigj me ftohtësi se nuk i interesonte të dinte se nga buronin ato.
“Unë fitova një pagesë të mirë, që më ndihmoi të shlyej shpenzimet e mia,” tha ajo në një nga kafenetë e shumta të Tiranës.
Advertisements
“Ata zgjedhin persona që nuk dyshohen. Ose nuk kanë rekorde kriminale, ose kanë nevojë për para, por prapë duhet të jenë të pastër, pa probleme,” shtoi ajo.
Livia është vetëm një nga korrierët e shumtë të sasive të pallogaritshme të parave cash me prejardhje të dyshimtë, që depërtojnë në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë pa u diktuar.
Origjina kryesore e tyre mendohet se buron nga grupet shqiptare të krimit të organizuar, që gjatë dekadës së fundit e kanë shtrirë aktivitetin në vendet e Bashkimit Europian, Britaninë e Madhe, Amerikën Jugore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndonëse gjithnjë e më shumë transnacionale, grupet shqiptare vazhdojnë t’i pastrojnë fitimet e tyre në Shqipëri.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes intervistave dhe dosjeve gjyqësore tregojnë se strukturat e krimit në Perëndim shfrytëzojnë njerëz të zakonshëm dhe mekanizma më të sofistikuar për të kontrabanduar drejt kufijve shqiptarë paratë e fituara në aktivitete të paligjshme.
Forma më e përhapur është përmes agjencive të transportit rrugor, të licensuara në Shqipëri ose në vende të tjera si Britania e Madhe, Italia apo Franca. Sipas hetimeve të analizuara nga BIRN, këto agjenci e mbështesin aktivitetin e tyre te strukturat e dobëta të kontrollit në pikat e kalimit kufitar si dhe te korruptimi i punonjësve të sigurisë.
Ndërkohë, korrierët e vlerave të vogla hetohen kryesisht për veprën e “mosdeklarimit të të hollave në kufi” – një kundravajtje penale që shpesh dënohet me gjobë ose falet si në rastin e ligjit të amnistisë penale të vitit 2024.
Sipas zyrtarëve të drejtësisë në Shqipëri, kjo rrjedhë e parave të pista lehtësohet edhe nga mungesa e hetimeve proaktive dhe e bashkëpunimit në kohë reale me agjencitë e huaja ligjzbatuese.
Gjyqtari Erion Bani i Gjykatës së Posaçme i tha BIRN se për të zbuluar se sa të pafajshme janë dërgesat e padeklaruara në kufi nevojitet që hetimet të orientohen drejt pastrimit të parave.
“Nëse dikush fsheh një sasi të hollash me qëllim përvetësimin për vete apo për të tjerë duke ndihmuar në fshehjen e tyre, duke ditur që këto të ardhura janë nga veprimtaria kriminale, mban përgjegjësi, edhe nëse sasia e të hollave është më e vogël se vlera që duhet të deklarohet në kufi,” tha gjyqtari Bani.
S’ka hetime proaktive
Të dhënat e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se porta kryesore e monedhave të huaja të padeklaruara është porti i Durrësit, i ndjekur nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, ku sekuestrimi i parave të thata ka shënuar rritje vit pas viti.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë vitit 2023 u bllokuan në pikat e kalimit kufitar gati 2 milionë euro dhe rreth 455 mijë paund britanikë.
Trendi në rritje i sekuestrimit të parave cash është më i dukshëm për paundin britanik, i cili është gati trefishuar në krahasim me vitin 2022.
Për ekspertët e ekonomisë, paratë e padeklaruara në kufi nuk rrjedhin domosdoshmërisht nga aktivitete kriminale, por ato tregojnë një prirje edhe në këtë drejtim.
“Nëse hulumtohen të ardhurat nga aktiviteti i paligjshëm i trafikimit të lëndëve narkotike, ato kanë burimin nga ato tregje që dominojnë tregtinë si Hollanda, Britania e Madhe apo Italia,” tha Artan Gjergji, ekspert i çështjeve financiare.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi në Prokuroritë e rretheve tregojnë se gjatë viteve 2020-2023 u regjistruan të paktën 99 procedime penale për veprën e “mosdeklarimit të të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”, por në asnjë rast çështjet nuk u hetuan nën dritën e dyshimit të pastrimit të parave.
Numri më i madh i çështjeve u regjistrua nga Prokuroria e Durrësit, e ndjekur nga Prokuroria e Gjirokastrës në kufi me Greqinë dhe ajo e Kukësit në kufi me Kosovën. Prokuroria e Tiranës, e cila ka në juridiksion aeroportin e Rinasit nuk e vuri në dispozicion këtë shifër.
Nga numri total i vënë në dispozicion, 80 çështje u dërguan për gjykim, por shumica e tyre u mbyll me gjoba në vlera të përafërta me përqindjet që përfitojnë korrierët e dërgesave të parave.
Drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela, i tha BIRN se nga të gjitha çështjet e hetuara për mosdeklarim të të hollave në kufi, nuk u është referuar nga Policia asnjë rast i dyshuar për pastrim parash.
“Kapja e shumave të padeklaruara në kufi në të gjitha rastet është rastësore dhe nuk ka patur raste të hetimeve të referuara me mjete proaktive, në të cilat ne do të ndiqnim persona të caktuar për të hetuar fluksin e lëvizjes së parave si dhe personat e destinuar, pritës apo përcjellës të tyre,” tha Çela për BIRN.
Ngërçi i hetimeve sipas tij lidhet me momentin e ndalimit të personave në kushtet e flagrancës.
“Nuk arrihet të provohet, pasi të gjitha rastet janë kapje në flagrancë dhe nuk është e mundur ndjekja e sasisë së të hollave për të ndjekur edhe personat që i presin apo i dërgojnë,” shtoi ai.
Edhe Prokuroria e Gjirokastrës theksoi në një përgjigje me shkrim vështirësitë në zbulimin e rasteve të dyshuara si pastrim parash.
“…kemi të bëjmë me shtetas të hetuar për veprën penale të mosdeklarimit të të hollave në kufi, por nuk mund të karakterizohen si korrierë të parave, term i cili është shumë më i gjerë se vepra penale e sipërpërmendur,” tha Prokuroria e Gjirokastrës.
“Nuk rezulton të ketë raste kur i dyshuari ka pranuar se është korrier parash,” shtoi Prokuroria.
Minibusët e cash-it
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, 152 transportues shqiptarë dhe 214 transportues të huaj ishin të pajisur me autorizim për të udhëtuar në qytete të ndryshme të Europës dhe anasjelltas deri në korrik të vitit 2024. Një numër kompanish transporti të shtetasve shqiptarë janë të regjistruara në Britani dhe vende të tjera të Europës, por numri i tyre është i paqartë.
Dokumentet hetimore të analizuara nga BIRN dhe të referuara në të gjitha rastet nga agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere tregojnë se grupet shqiptare të krimit të organizuar përdorin linjat e licensuara të transportit ndërkombëtar të pasagjerëve për të sjellë në Shqipëri paratë që burojnë nga aktivitetet e tyre të paligjshme.
Rolin e korrierit të parave në këto raste e luan shoferi ose pronari i agjencisë, i cili merr pagesa që variojnë nga 3 për qind të shumës që po transportohet deri në 7 për qind, për raste që përshkruhen në dosje “me garanci doganore”.
Një tjetër faktor që e përcakton përqindjen është “prerja e valutës”; sa më e vogël të jetë ajo, aq më i lartë është rreziku i zbulimit dhe përqindja që i paguhet korrierit. Rrjete të tilla përdorin gjithashtu një gjuhë të koduar për t’i shpëtuar përndjekjes së policisë, ku vlerat e parave përshkruhen zakonisht si “pasagjerë”.
Policia franceze ra në gjurmët e një grupi të tillë në shtator të vitit 2020, pas ndalimit të dy shqiptarëve në të njëjtin minibus transporti pasagjerësh; herën e parë me 70 mijë euro dhe 800 gramë bizhuteri ari dhe herën e dytë me 10 mijë euro dhe 500 gramë flori.
Në të dyja rastet, furgonët dukej se ishin nisur nga hoteli Alcase në Villeurbanë, një komunë në afërsi të Lionit, recepsionisti i të cilit ishte një shqiptar me nënshtetësi franceze i njohur si Sokol Balili alias Sokol Briant.
Hetimet 4- vjeçare dhe raportet e vëzhgimit të policisë franceze, që u sollën më pas në SPAK, tregonin për ekzistencën e një grupi të strukturuar për pastrimin e parave, që kishte në qendër tre kompani shqiptare të transportit të udhëtarëve.
Pronarët e kompanive të transportit, Dritan Ulqinaku i “Tani Tours”, Agustin Mesuli i “Erdisa Tours” dhe Altin Doda i “Altini Travel” u akuzuan për pastrim parash dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal nga Prokuroria e Posaçme.
“Minibusë të shumtë dërgoheshin nga Shqipëria në Lion të Francës për të mbledhur produktin e aktiviteteve kriminale të shtetasve shqiptarë të vendosur në të gjithë territorin Auvernia- Rhone-Alpes,” shkruhet në një dokument për njoftimin e akuzës së Prokurorisë së Posaçme.
“Këto mjete kanë pak udhëtarë, gjë që tregon rentabilitetin e ulët të këtyre shoqërive kundrejt kostove të transportit. Ato vetë përdorin një fasadë të ligjshme pa fitim që fshehin aktivitetet e paligjshme dhe veçanërisht fitimprurëse,” citohet raporti i vëzhgimit të policisë franceze.
Përveç linjës së transportit me Lionin, Mesuli operonte edhe furgonë që udhëtonin nga Shqipëria drejt Zvicrës dhe Italisë. Hetimet dokumentuan se furgonë të tillë kontrabandonin deri në 60 mijë euro për rrugë ose ekuivalentet e tyre në franga zvicerane dhe stërlina drejt Shqipërisë. Përgjimet telefonike zbuluan gjithashtu ekzistencën e një marrëveshjeje me policët vendas për futjen e kontrolluar të një shume të madhe parash apo mbështetjen e tyre ndaj këtij aktiviteti.
Një shqetësim i ngjashëm u ngrit në vjeshtën e vitit 2022 edhe nga Agjencia Kombëtare e Krimit në Britaninë e Madhe, sipas së cilës grupet shqiptare të krimit të organizuar kontrabandonin qindra milionë paundë në vit me origjinë nga shtëpitë e barit apo trafiku i kokainës drejt Shqipërisë.
Të paktën në një rast të hetuar nga policia britanike, një vlerë prej 200 mijë paund u bllokua në furgonin e një kompanie transporti të licensuar në Britani gjatë rrugës së saj për në Shqipëri.
“Grupet shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar pasi bëjnë para e kanë objektiv kryesor largimin nga vend isa më shpejt të jetë e mundur. Ndaj ata i kontrabandojnë paratë nga Britania në Shqipëri, në çfarëdolloj forme të munden,” deklaroi një zyrtar i lartë i NCA.
/Reporter.al. *Emri i studentes është ndryshuar për të ruajtur anonimatin e saj. Albeu.com