Dy ekspertët: Proga vdiq nga hemorragjia në indin e trurit. Dremishtja në fytyrë me mjet mprehës grusht

by editor

Vdekja e Eglantin Progës në mesin e muajit Gusht në Pogradec ka ardhur si pasojë e hemorragjisë në cipën e trurit dhe hemorragjisë në indin trunor.

Ky është konkluzioni përfundimtar që kanë dalë dy ekspertët e mjekësisë-ligjore Gjergji Kaçauni dhe Klevis Shella, të cilët pas dy javë ekzaminimi dolën në përfundimin se 42-vjeçari Proga ka ndërruar jetë si pasojë e goditjes me grusht.

Advertisements

Sipas ekspertizës të siguruar nga gazetari i “Ora News” Elton Qyno, në pikën dy të konkluzionit dy ekspertët dalin në përfundimin se viktima Eglantin Proga, ka gërvishtje në fytyrë, dëmtim ky që mund të jetë shkaktuar me mjet të fortë mprehës siç mund të jetë dhe goditja e tij me grusht.

Por krahas ekspertizës mjeko-ligjore Eglantin Progës i është kryer dhe analiza e toksikologjisë, ku ekspertja Mirnela Cinije doli në përfundimin se Proga kishte konsumuar alkool në masën 2.82 g/l.

Advertisements

Ndërkohë nuk u zbuluan asnjë produkt helmues fotoksinë apo qoftë dhe përmbajtje të lëndëve narkotike.

Mbi bazën e këtyre konkluzioneve pritet që në ditët në vijim prokuroria e Korçës, të kualifikojë akuzën penale ndaj të arrestuarit të vetëm për këtë ngjarje, shtetasit Denis Meçe.

Advertisements

Prokuroria e Korçës është e ndarë mes “Vrasjes nga pakujdesia” dhe “Vrasjes së thjeshtë”, ndaj pritet një analizim i mirë i dosjes dhe precedentëve të mëparshëm që të dilet në konkluzion përfundimtar për kualifikimin e akuzës penale.

Lidhur me këtë ngjarje të proceduar për “Moskallëzim krimi” janë Voltan Shkulaku, Leonidha Guçe dhe Arjan Manellari, të cilët sipas akuzës nuk kanë treguar detajet e konfliktit dhe goditjes me grusht që i bëri Denis Meçe, Eglantin Progës.

Ngjarja e rëndë që tronditi vendin ndodhi si pasojë e një shakaje që më pas u shoqërua me fyerje të rënda në ambientet e një lokali, mes dy të njohurve në Pogradec, ku për pasojë babai i dy fëmijëve Eglantin Proga ka humbur jetën.

Ngjarja solli një dallgë akuzash të adresuara nga opinioni publik dhe media në drejtim të komisariatit të Pogradecit dhe prokurorisë së Korçës, mbi mënyrën e trajtimit të këtij rasti duke e quajtur ngjarjen si aksidentale.

Në fakt pas shakave të bëra dhe më tej me kalimin në sharje dhe ofendim, ka qenë një goditje me grusht që autori i krimit Denis Meçe, i ka dhënë Eglantin Progës, i cili është rrëzuar në trotuar duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

You may also like