Kombëtarja zbret sonte në fushë përballë Ukrainës

by editor

Shqipëria luan sonte takimin e parë të vlefshëm për Ligën e Kombeve ndaj Ukrainës, në ora 20:45 në stadiumin “Epet Arena”. Në prag të kësaj sfide të rëndësishme për kuqezinjtë, të cilët duan ta nisin sa më mirë këtë edicion, trajneri Silvinjo dhe mesfushori Ylber Ramadani dolën pasditen e djeshme në konferencën zyrtare për media.

Advertisements

Trajneri Silvinjo u shpreh se objektivi kryesor i ekipit në këtë ndeshje është që të marrin një rezultat pozitiv dhe të luajnë njëjtë si në kualifikueset e Europianit, me shpirt e zemër në fushë. Ndër të tjera, tekniku brazilian vlerësoi Ukrainën si ekip shumë të fortë dhe me lojtarë cilësorë.

Advertisements

Sa kanë ndikuar ndryshimet që ka pësuar grupi? – Kjo ndodh shpeshherë në Kombëtare. Është një moment i vështirë, duke qenë se lojtarët pas Europianit kanë pasur pushimet, fazën përgatitore, kanë luajtur dy ose tre ndeshje dhe vijnë në Kombëtare. Duhet të punojmë për këtë situatë, edhe në Varshavë na ndodhi e njëjta gjë kur kemi humbur disa lojtarë. Është momenti i duhur dhe mundësi e mirë për lojtarët e tjerë. Janë gjëra që ndodhin në një Kombëtare dhe duhet të punojmë për këtë pjesë.

Arbër Hoxha? – Të gjithë lojtarët janë gati, kjo është ajo që duam ne. Kemi edhe një stërvitje të lehtë, të shohim. Nuk është e thjeshtë, Arbër Hoxha ende nuk ka nisur një ndeshje si titullar. Në mars e ftuam në Kombëtare, ka luajtur dy miqësore. Udhëtimi në Kombëtare është i tillë, por që hap pas hapi gjërat mund të ndryshojnë. Hoxha është shumë i rëndësishëm për Kombëtaren.

Advertisements

Ndeshja me Ukrainën? – Kur flasim për Ukrainën, flasim për grupin, një grup shumë i vështirë, me të katër ekipet që bënë një Europian të mirë. Jemi në një grup të vështirë në Nations League. Trajneri i Ukrainës është shumë i zoti, e organizon mirë skuadrën, ka lojtarë shumë të mirë, janë Sudakov, Mudryk etj. Janë teknikë, shumë fizikë dhe të organizuar, kanë bërë një Europian të mirë. Grupi ynë është shumë i vështirë. Ukrainën duhet ta përballojmë fizikisht, pasi është skuadër e vështirë dhe shumë teknike.

A jeni të kënaqur me merkaton e futbollistëve të Kombëtares? – Po, ne vazhdimisht i ndjekim lojtarët tanë. Ka qenë një moment i vështirë, duke qenë se pas Europianit kanë qenë pushimet dhe lojtarët kanë pasur edhe presionin e merkatos për të bërë lëvizjet e tyre. Jemi vazhdimisht pas tyre dhe jemi të gjithë të lumtur së bashku me stafin teknik. Kështu mund të përqendrohen më tepër në ekip. Por që jemi shumë të lumtur.

Rikthimi i entuziazmit te futbollistët që nuk luajtën në Europian? – Kjo është puna e Kombëtares. Kam pasur fatin të punoj edhe te Brazili. Kombëtarja është e hapur për të gjithë. Lojtarët vijnë me shumë dëshirë për të përfaqësuar kombin. Kur nuk ka dëshirë për këtë, nuk mund të japë shumë. Nuk jemi të shqetësuar. Kemi bërë 4 ditë stërvitje dhe janë shumë të motivuar. Jemi të kënaqur me motivimin e lojtarëve.

Skema – Për një vit e gjysmë kemi luajtur me skemën 4-3-3, më pas kemi përdorur edhe skemën 4-2-3-1. Ne i përshtatim skemat sipas karakteristikat që kemi te lojtarët. Mund të punojmë edhe me skemën 4-4-2. Seferi mund të bëjë rolin e një sulmuesi të distancuar. Uzuni mund të luajë sulmues qendror. Kemi lojtarë të fortë. Duke njohur karakteristikat e lojtarëve mund të përshtatim edhe skemat.

Ndeshja me Ukrainën? – Është e vështirë për të parashikuar një ndeshje. Do të jetë një ndeshje teknike, e hapur dhe me tranzicione të shpejta nga të dy palët, se ata nisen shumë mirë. Kanë lojtarë të shpejtë, teknikisht të fortë. Pastaj edhe ne jemi një ekip me kundërsulme, kemi cilësi teknike. Mendoj se është mundësia tw shohim një ndeshje të bukur. Ukraina është skuadër shumë e fortë. Është një grup i ekuilibruar dhe na pret një ndeshje e vështirë.

Sa kanë ndikuar ndryshimet që ka pësuar grupi? – Në Varshavë kemi pasur të njëjtën situatë, duke qenë se ishim pa Ismajlin dhe Gjimshitin. Tani jemi pa Ajetin dhe Gjimshitin, por kemi lojtarë të tjerë që mund të përshtaten. Kombëtarja është e hapur, një mundësi për të gjithë, të zbresim në fushë dhe të bëjmë më të mirën.

A do të jeni i kënaqur me një pikë nga kjo transfertë? – Në ndeshjen e fundit ndaj Moldavisë gjatë kualifikueseve për Euro 2024 ne na mjaftonte vetëm një barazim. Por nuk mendoj që ka ndonjë trajner që kënaqet vetëm me një barazim. Ne futemi në fushë për të fituar dhe punojmë vetëm për këtë gjë. Sigurisht që kemi lojtarë të rëndësishëm që na mungojnë, por që do të futemi një fushë për të luajtur fortë dhe për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm nga kjo ndeshje.

Pas Europianit si e vlerësoni ekipin e Ukrainës? – Grupi është shumë i fortë dhe i vështirë. Të katër ekipet kanë luajtuar në Europian. Për të gjithë, Europiani është maksimumi, Nations League është ndryshe. Është tjetër strategji. Jam i shqetësuar, lojtarët vijnë pas pushimeve, kanë luajtur pak ndeshje. Kombëtarja funksionon ndryshe nga klubi. Edhe pse një periudhë pak delikate, lojtarët duhet të japin më të mirën dhe të futen në fushë për të dhënë maksimumin.

Ylber Ramadani tha se atmosfera brenda grupit është fantastike dhe të gjithë lojtarët janë të përqëndruar për të dhënë maksimumin. Mesfushori kuqezi nënvizoi se skuadra do të futet në fushë me objektivin për të bërë sa më mirë, pavarësisht se ndeshja ndaj Ukrainës do të jetë shumë e vështirë.

Atmosfera brenda grupit – Atmosfera e ekipit është fantastike. Jemi shumë të përqëndruar sepse na pret një ndeshje shumë e vështirë. Atmosfera është shumë e mirë.

Përballja me Ukrainën– Jemi shumë gati. E kemi studiuar Ukrainën shumë mirë. E dimë se ku është pika më e fortë dhe jemi duke punuar shumë dhe shpresojmë që të marrim rezultat pozitiv.

Pozitiv fakti që luani në fushë asnjëanëse? – Ne jemi profesionstë dhe si brenda apo jashtë shtëpisë, kur luajmë gjithmonë përqëndrohemi që të japim maksimumin. Nuk ka rëndësi fusha ku luajmë.

Mungesa e liderave dhe sa gati jeni të merrni më shumë përgjegjësi në të ardhmen? – Atë e vendos trajneri. Jemi stërvitur shumë gjatë javës, jemi përgatitur , e dimë se çfarë kundërshtari do të na presë në fushë. Ne jemi të përqëndruar që të japim maksimumin dhe të marrim rezultat.

Medon Berisha? – E shoh çdo ditë në stërvitje. Punon shumë, është profesionist. Është lojtar i ri, shumë i përqendruar dhe gati për të dhënë maksimumin e tij.

Lojtarët e rinj në radhët e Shqipërisë– Janë përshtatur shumë mirë dhe janë duke bërë shumë mirë në stërvitje. Po japin maksimumin.

Shanset e Shqipërisë në Ligën e Kombeve – E kam parë që thuhet se jemi më pak të kuotuarit, por forca jonë është grupi. Do të bëjmë më të mirën tonë për ta fituar këtë grup. Kemi lojtarë cilësorë dhe jemi ekip cilësor. Do të bëjmë gjithçka për të arritur në krye të grupit.

Kapiten? – Nuk e di, e di trajneri. Nëse do të jem, do të ishte kënaqësi dhe do ta bëja me gjithë nder.

Çfarë mësuat nga EURO 2024? – Do na shërbejë si eksperiencë sepse kemi luajtur me kundërshtarë të fortë të Europianit. Tani e dimë se në çfarë niveli kemi luajtur në Europian. Nivel i lartë. Kemi fituar më shumë eksperiencë dhe e dimë se si mund të luajmë së bashku dhe besoj se kjo do na shërbejë shumë.

Asllani – Bajrami apo Asllani – Laçi, me cilën dyshe ndihesh më rehat? – Nuk kam preferenca, me këdo të luaj nuk e kam problem. Përshtatem me të gjithë. Zgjedhjet taktike i di trajneri.

Si jeni përgatitur për Ukrainën & Gjeorgjinë? – jemi shumë të përgatitur. Kemi krijuar eksperiencë dhe do futemi në fushë për të dhënë më të mirën.

You may also like