Dekriptimi i bisedave nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare dhe vënia në dispozicion të pjesës për Shqipërinë, ka çuar në arrestimin e dhjetëra personave, ndërsa SPAK ka ngritur akuza ndaj tyre. Përveç kësaj, bisedat kanë hedhur dritë mbi implikime në ngjarje kriminale të personave të ndryshëm, por kanë zbardhur gjithashtu edhe lidhjet mes krimit, politikës dhe disa biznesmenëve. Po bëhen të tjera dosje gati nga SPAK, ku nëse ekzekutohen fletë-arrestet do të bien në pranga pushtetarë shumë të lartë , të cilët në përgjime dalin me lidhje shumë të ngushta me krimin e organizuar. Por situata mund të marrë një rrjedhë tjetër.
Advertisements
Tashmë do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë nëse komunikimet në platformën “Sky EC” do të mund të shërbejnë si prova ose jo për SPAK. Biznesmeni Pëllumb Gjoka, i vënë në pranga në kuadër të operacionit Metamorfoza, përmes avokatëve të tij depozitoi një padi në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkoi shpalljen të pavlefshme të provave që janë paraqitur nga ana e prokurorisë së posaçme, që janë bazuar në të dhënat e aplikacioneve të koduara SKY dhe Encrochat.
Advertisements
Pak ditë më parë, avokati i Gjokës, Ylli Manjani, në një deklaratë të dhënë për mediat nga dera e SPAK, tha se klienti i tij nuk ka pasur asnjë profil në aplikacionet e koduara, dhe i gjithë procesi ndaj tij është ngritur në bazën e këtyre përgjimeve të pretenduara. Nëse Gjykata Kushtetuese vendosë që këto përgjime nuk do të merren për bazë si prova, shumë politikanë, biznesmenë të rëndësishëm, pronarë mediesh dhe gazetarë do t’ia hedhin paq duke shpëtuar nga hetimet.