Debate, përplasje dhe tensione mes palëve. Nëna e të vrarit Malko i shkon në fund të seancës te kafazi të pandehurit, e ndalon siguria. I akuzuar si kreu i “Klanit Duka”, për organizimin dhe atentatin e Gushtit 2019 në “Porcelan”, ndaj ish-efektivit të njohur edhe si “ushtari i Ervis Martinajt”, akuzoi prokurorin e SPAK si “të njëanshëm” dhe i kërkon të “mos korruptohet nga kriminelët”. Seanca shtuhet për më 24 Tetor. Duka u ekstradua nga Belgjika
Advertisements
Gjykata e Posaçme nisi sot mes tensioneve dhe përplasjeve seancën për të pandehurin Leonard Duka, i akuzuar si kreu i grupit të quajtur “Klani Duka” dhe akuzuar nga SPAK si organizatori i vrasjes së ish-policit Santiago Malko, në muajin Gusht të vitit 2019 në zonën e “Porcelanit”, në Tiranë.
Advertisements
Leonard Duka u paraqit për herë të parë në seancë që pas arrestimit dhe ekstradimit nga Belgjika, ku ishte arrestuar pasi ishte shpallur në kërkim, teksa sot akuzoi prokurorin Behar Dibra si “të njëanshëm” se “do ta dënojë pa prova” dhe i kërkoi që të “mos korruptohej nga kriminelët e vendit”.
Seanca e sotme nuk kaloi pa incidente dh përplasje mes palëve, teksa ka qenë mamaja e të ndjerit Santiago Malko, e pranishme në sallën e gjyqit, që ka shpërthyer në ulërima dhe fyerje ndaj të pandehurit, duke ndërhyrë disa herë gjatë procesit, madje edhe pasi seanca përfundoi, duke i shkuar Dukës te kafazi:“O maskara, ma vrave djalin 25 vjeç, o qen! Si del ti aty…?!”, ishin akuzat e saj drejtuar Dukës.
Ajo kërkoi edhe dënim me vdekje për njeriun që akuzohet se i vrau djalin. Në seancën që u shoqërua me tensione, akuza dhe debate të forta mes palëve, i pandehuri tha:
“Deklarimet e mia do i jap pasi të njihem me aktet. Do i jap deklarimet një herë tjetër. Dua më shumë kohë”.
Kurse prokurori i dosjes së SPAK, Behar Dibra, u shpreh:
“E konsideroj si kërkesë të padrejtë. Ne ramë dakord seancën e kaluar që ai të fliste sot”.
Këtu ka ndërhyrë përsëri mamaja e Mamaja e Santiagos, duke shkuar më tej me akuzat:
“Nuk ka çfarë lexon fare. Burgim me vdekje!”
Gjyqtarja Rudina Palloj pasi konstatoi ndërhyrjen nga salla i tërhoqi vëmendjen:
“Kërcënimet janë të ndaluara në sallë të gjyqit!”.
Teksa më tej nënvizoi se “meqenëse i pandehuri shfaqi pëlqim për t’u pyetur, por kërkoi kohë, vlerëson se nuk mund ta detyrojë atë të pyetet”.
“Është çështje vullneti. Në këto kushte do i jepet kohë”, tha gjyqtarja e çështjes.
Gazetarja e Report TV, Keti Banushi, raportoi se avokatja e Dukës shprehu dakordësi, por shtoi se “sot nuk jemi gati, por seancën e radhës vijojmë prapsimet dhe kur klienti të jetë gati të përgjigjet”.
Këtu ka ndërhyrë edhe vetë i pandehuri Leonard Duka, duke hedhur në mënyrë të befasishme akuzë ndaj prokurorit Dibra:
“Prokurori është i njëanshëm, më akuzon si organizator i vrasjes së Santiago Malkos. Dhe kam vënë re që do të më dënojë… Prokurori mos të korruptohet nga kriminelet e vendit por të bëjë detyrën. Prokurori po kërkon të më dënojë pa fakt, pa asgjë”.
Teksa seanca u shty për më 24 Tetor, në orën 12:30, ndodhi edhe incidenti i radhës.
Në fund të seancës, mamaja e Santiago Malko u ngrit nga vendi dhe iu drejtua kafazit ku ishte Leonard Duka. Në këto momente ndërhyri dhe siguria e togës së shoqërimit, duke e ndaluar.
Duka u ekstradua në 2 Gusht të këtij viti nga Belgjika në Shqipëri. Anëtarët e tjerë të grupit janë gjykuar dhe hetuar në mungesë, teksa ai pritet të përballet me akuzat e ngritura nga SPAK, në këtë dosje.