Vlora e tradhëtuar

by editor

Me shiun e parë të stinës Vlora e përmbytur ulërin dhimbjen e një qyteti të tradhëtuar nga ata që do të duhej të kujdeseshin për çdo metër katror të tokës, kanalizimet dhe të ndërtimeve mbi të.

Advertisements

E mbaj mend mirë një udhëtim në Vlorën e 2012-s! E trishtuar, e vrarë, e gërryer, e mjeruar. Në 2024-n mbi by-pass-in në Kaninë, Vlora nga lart dukej si shtëpia e perëndive, një qytet i bekuar i dalë nga pluhuri i diskriminimeve dhe i urrejtjeve. Por ata që e kanë në dorë këtë bukuri e këtë ndryshim nuk duhet ta tradhëtojnë duke e shfrytëzuar vetëm për t’u mburrur e për t’u argëtuar e të mos përveshin mëngët e të gdhihen e ngrysen me marrjen në kujdes të qytetit që iu është besuar.

Advertisements

Sot, pas përmbytjeve që zunë në pabesi banorët e saj, këta administratorë që nuk duhet t’i zinte gjumi për qytetin, na tregojnë se paska probleme me diznivelin e rrugëve, se pompat e hidrovorit na qënkan të vjetra e të tjera përralla si këto.

Vlora është tradhëtuar dhe për këtë pabesi dikush duhet të paguajë, minimalisht me postin politik që i është besuar e më pas, duhet parë nëse rrugët, pallatet, kanalizimet në gjithë këto vite janë bërë në respekt të asaj toke të mrekullueshme dhe të banorëve të saj, apo me babëzinë e fitimeve të momentit.

Advertisements

Pasi i shijuan detin, i hëngrën peshqit e midhjet, u mburrën me bukuritë dhe mikëpritjen e turistëve, përmbytjet e fundit nxorrën në sipërfaqe atë që e sëmurë ndodhet nën të. Siç nuk e meritonte dikur Shkodra apo Lezha, as Vlora sot nuk e meriton të vuajë për mungesën e punës nga ana e mburravecëve të mediave sociale, të cilët mendojnë se 3 fotografi me diellin e perëndimit, do të lajnë djersën që duhet për ta merituar drejtimin dhe mirëmbajtjen e qytetit.

Uji në shtëpi, në biznese, është një mesazh i dyfishtë dhe tepër i rëndë, që nga një anë shkatërron deri në palcë mundimet e një jete të qytetarëve, dhe nga ana tjetër, është një alarm për politikën dhe komunitetin që dëshiron të na thotë se nën atë që shohim ka probleme strukturore jetike. Në Vlorë, por dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, nga Veriu në Jug, duhet parë dhe i duhet paraprirë asaj që mund të nxjerrin papritur në dritë të diellit fenomenet natyrore: Tradhëtinë e njeriut për njeriun në emër të përfitimit.

You may also like