Rrëmbimi e vrasja e Jan Prengës, vëllai dëshmon në GJKKO, zbardh telefonatat para krimit

by editor

Ndrek Prenga, vëllai i Jan Prengës, që u rrëmbye dhe zhduk pa gjurmë janarin e vitit 2020, kishte udhëtuar nga Londra në Tiranë për të dëshmuar në gjyqin ndaj atyre që akuzohen si porositës të këtij krimi.

Advertisements

Në seancën e së premtës në Gjykatën e Posaçme ndaj Gramoz Rexhepajt, Gentian Funiqit e të tjerëve, Ndrek Prenga tha se në vitin 2020 kishte qenë në burg në Londër, nga ku kontaktet me familjen i mbante përmes telefonit të burgut. Në këtë periudhë, tregoi ai, një shtetas i huaj i ka futur një telefon në qeli.

Advertisements

Në këtë aparat është kontaktuar në aplikacionin WhatsApp nga një person që i është prezantuar si Gentian Funiqi, që i ka thënë se vëllai i tij Astrit Prenga, emigrant në Britani, duhet t’i kthente “atë gjënë”.

Dëshmitari shpjegoi se më tej kishte mësuar se bëhej fjalë për një sasi prej 260 kg kokainë. Ai tha se ishte përpjekur të vihej në kontakt me vëllain, por nuk kishte mundur. Pas një ose dy ditësh është njoftuar nga e shoqja e tij se vëllai tjetër i tij në Shqipëri, Jan Prenga, ishte marrë peng. Sipas Ndrek Prengës, për të sqaruar situatën, xhaxhai i tij dhe një person tjetër kanë shkuar në Shkodër, ku janë takuar me babain e Gentian Funiqit (Doçit), por ky i fundit ka thënë se nuk ka dijeni e përgjegjësi se çfarë bënte i biri.

Sipas dëshmitarit, pas ndërprerjes së komunikimit me Gentian Funiqin, nga një numër tjetër i ka shkruar një person i prezantuar me emrin Gramoz. Ky i fundit ka pretenduar se sasia e kokainës e vjedhur nga Astrit Prenga ishte e tij. Dëshmitari Prenga ka treguar se në momentin që policia ndërhyri në kompleksin “Golden” në Shijak, ku dyshet se ndërroi jetë edhe vëllai i tij, ai ka ndërprerë komunikimim me gjithë ata që kishte folur.

Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz, 17 janarin e vitit 2020. Sipas SPAK, rrëmbimi u porosit nga Dritan Rexhepaj e Gentian Funiqi, aktualisht të arrestuar në Turqi e Spanjë, si presion për vëllanë e tij, që kishte vjedhur një sasi droge në Angli. Për rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës SPAK akuzon edhe 5 persona të tjerë.

You may also like