“Procedura në port zgjati pak”/ Emigrantët në Gjadër u kthyen në Itali, BIRN: E paqartë nëse marrëveshja do funksionojë

by editor

Pas vendimit të Gjykatës së Romës që urdhëroi rikthimin e tyre, 12 emigrantë nga Egjipti dhe Bangladeshi u rikthyen në Itali nga një anije e rojes bregdetare italiane. Autoritetet italiane u vunë në lëvizje të shtunën për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Emigracionit në Romë për emigrantët, të cilët ishin vendosur të mërkurën në kampin e Gjadrit në Lezhë. Anija e rojes bregdetare italiane mbërriti rreth orës 7:30 të mëngjesit të së shtunës në portin e Shëngjinit për transportimin e emigrantëve drejt shtetit fqinj. Menjëherë pas ankorimit të mjetit lundrues në port, autoritetet italiane, nën shoqërimin e policisë shqiptare, transportuan 12 emigrantët nga kampi i Gjadrit drejt Shëngjinit.

Advertisements

Procedurat në port zgjatën vetëm pak minuta dhe emigrantët, të shoqëruar nga forcat italiane, hipën në anijen e rojes bregdetare, e cila rreth orës 9:00 u nis drejt Portit të Barit në Itali. 12 emigrantët nga Bangladeshi dhe Egjipti u kapën nga Guardia di Finanza dhe u sollën në kampin e Gjadrit nga anija e marinës italiane të mërkurën e 16 tetorit.

Advertisements

Por, pas dy ditësh, Gjykata e Romës vendosi kthimin e tyre në Itali, duke u bazuar në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë më 4 tetor për azilkërkuesit e vendeve të pasigurta. Duke iu referuar edhe Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, në vendimin e trupës së gjyqtarëve të Romës thuhet se Egjipti dhe Bangladeshi konsiderohen vende të pasigurta dhe, për këtë arsye, 12 emigrantët duhet të qëndrojnë në Itali dhe jo në kampe, as nuk mund të lihen të lirë në territorin shqiptar.

Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët u nënshkrua në nëntor të vitit 2023 mes kryeministrave të të dy vendeve, Rama dhe Meloni, por me këtë vendim të Gjykatës së Romës mbetet e paqartë nëse kjo marrëveshje mund të funksionojë, ndonëse në Shëngjin dhe Gjadër shteti italian ka investuar miliona euro në ngritjen e dy qendrave./BIRN

You may also like