“Lidhje me grup kriminal e nxjerrje sekreti shtetëror”, SPAK prangos Jurgis Çyrbjen! Ish-ligjvënësi socialist doli në “SKY ECC”

by editor

Ka përdorur platformën “SKY ECC”, ka bashkëpunuar me një grup kriminal dhe ka tregtuar/nxjerrë sekrete shtetërore. Këto janë tri shkaqet-akuza për të cilat SPAK i ka kërkuar GJKKO-së një urdhërarrest për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja.

Advertisements

Deputeti socialist, që vinte nga detyra të rëndësishme, u bë deputet i Durrësit nën akuza të forta të PD-së, si personi që shpërndante legalizimi për fushatën elektorale. SPAK e mori të pandehur pak ditë më parë, duke i komunikuar akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, por e la në hetim pa ndonjë shtrëngim të posaçëm si masë sigurimi.

Advertisements

Gjatë seancave të marrjes në pyetje në SPAK nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, Çyrbja e dorëzoi edhe mandatin e deputetit, nën pretekstin se ai ishte i sëmurë dhe i duhej të kujdesej për ‘sëmundjen’ që e kanoste. Por në fakt, pasditen e djeshme, ka qenë SPAK dhe BKH që kanë zbarkuar në Durrës duke vënë në pranga ish-deputetin. Bashkë me të mësohet se është arrestuar edhe një 41-vjeçar, i njohur prej kohësh për ‘kontrabandë’. Ndonëse emri i tij nuk është bërë me dije zyrtarisht nga SPAK, mësohet se bëhet fjalë për Ahmet Mashën, i cili është ndaluar në Rinas, ku ende nuk dihet nëse ka qenë duke tentuar të largohet jashtë vendi.

Po ashtu, mësohet se është shpallur në kërkim edhe një person i tretë, ndërsa ende nuk bëhet me dije numri i urdhër-arresteve të lëshuara për këtë rast, ku dyshohet se ish-deputeti ka bashkëpunuar dhe komunikuar me një grup kriminal, që aktivitetin kryesor e ka në Durrës. Referuar të dhënave që vijnë nga hetimi, dyshohet se në kohën kur ka qenë deputet Çyrbja të ketë konsumuar edhe një akuzë mjaft të rëndë për një ligjvënës, atë të tregtimit të sekretit shtetëror, megjithatë, detajet e operacionit dhe të akuzave mbi ish-deputetin socialist do të bëhen me dije përgjatë të sotmes. Deri orëve të vona të së mbrëmshmes, Çyrbja dhe i arrestuari në kuadër të këtij hetimi, Masha kanë qenë në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, në pritje të transferimit në drejtim të Tiranës.

Advertisements

ARRESTIMI DHE AKUZAT

Pak ditë pasi dorëzoi mandatin e deputetit dhe pasi SPAK i komunikoi marrjen si të pandehur për shpërdorim detyre, ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja arrestohet, por për një çështje të re. Zyrtarisht u tha se ish-deputeti i PS, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Burime hetimore thonë se Çyrbja është arrestuar pasi dyshohet për lidhje me një grup kriminal në Durrës. Çyrbja dyshohet se ka dalë në komunikime në platformën e koduar “SKY ECC” pikërisht me këtë grup. Burimet thonë se në pranga ka rënë edhe Ahmet Masha, një emër i njohur për drejtësinë dhe policinë. Ish-deputeti i PS ra në pranga në Shijak, teksa ishte duke udhëtuar me makinë me shoferin e tij. SPAK konfirmoi mbrëmë 3 akuzat ndaj Çyrbjas, por pa dhënë detaje të hollësishme, të cilat tha se do i ndajë me publikun ditën e sotme. Akuzat që rëndojnë ndaj Çyrbjas janë “Korrupsion aktiv zgjedhor”, “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror”. Ndërkohë, GJKKO ka caktuar ndaj ish-deputetit edhe masën e sigurisë arrest me burg, e cila u ekzekutua dje me urdhër të SPAK.

REAGIMI I SPAK

Menjëherë pas vënies në pranga të Çyrbjes dhe të Mashës, Prokuroria e Posaçme doli me një njoftim të shkurtër ku njoftoi: “Nisur nga interesi i madh i mediave, ju komunikojmë se Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot masën e sigurimit “arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuat, ndaj shtetasit Jurgis Çyrbja, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal. Nesër do të ketë një njoftim për shtyp me më shumë detaje”, njoftoi SPAK-u shkurtimisht për mediat. Arrestimi i ish-deputetit ka lidhje me këtë çështje dhe jo me atë të denoncimit nga deputeti demokrat Edi Paloka, e për të cilën është marrë i pandehur. Më 11 tetor, Çyrbja u mor i pandehur nga SPAK për “Shpërdorim detyre” gjatë kohës kur ai ka qenë në krye të hipotekës së Durrësit. Në këtë çështje, Çyrbja u kallëzua nga deputeti i PD-së, Edi Paloka, gjatë fushatës elektorale të 2021 dhe opozita e akuzonte se shpërndau leje legalizimesh me qëllime elektorale. Bëhet fjalë për një vepër penale të kryer më 2016-n. Gjatë kohës që Çyrbja drejtonte Hipotekën e Durrësit, ai është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë, pasi dyshohej se kishte favorizuar Emiljano Shullazin për të përfituar prona në Durrës. Ndërkohë Lulzim Basha e kishte etiketuar deputetin disa herë si bashkëpunëtor të krimit. Kurse tani duket se Prokuroria i ka ngritur edhe një tjetër çështje, për të cilën edhe është prangosur. Çyrbja dorëzoi mandatin më 9 tetor dhe më 11 tetor SPAK njoftoi marrjen të pandehur.

KALLËZIMI I PALOKËS

Ishte data 18 prill 2021, vetëm një javë para zgjedhjeve parlamentare të atij viti, kur në cilësinë e drejtuesit politik të PD në Qarkun e Durrësit, Edi Paloka, dërgoi në SPAK deputetin dhe kandidatin atëhershëm socialist Jurgis Çyrbja, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”. Në konferencën për mediat nga selia e degës lokale të PD, aso kohe, Paloka tha se Çyrbja ka kryer edhe mbivendosje pronash. Sipas Palokës, ish-drejtori i Hipotekës së Durrësit, Jurgis Çyrbja brenda një dite kishte firmosur dy praktika për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar kështu në mbivendosje prone. Në të njëjtën kohë, Paloka tha se edhe javët e fundit (prill 2021), Çyrbja ka qenë i pranishëm në Kadastrën e Durrësit duke shpërndarë certifikata dhe legalizime, njësoj sikur të ishte ende drejtor Hipoteke. Ndërkohë pjesë e denoncimeve të PD ishin edhe drejtues të institucioneve lokale dhe anëtarë të PS në Durrës, me akuzën e përfshirjes në blerjen e votave, e jo vetëm ato lokalë. Aso kohe Partia Demokratike denoncoi me qindra raste, ku një pjesë e mirë e denoncimeve, për mungesë kompetencash SPAK i delegoi në prokuroritë e rretheve, të cilat u zhduken thuajse të gjitha, po ashtu siç u ‘zhduken’ edhe kallëzimet që u bënë në SPAK!/Gazeta Panorama

You may also like