Kryeministri Edi Rama vijon të tallet me pensionistët shqiptarë, duke i lënë ata me premtime boshe dhe shifra që nuk përputhen me realitetin e përditshëm. Dje kryeministri Rama zhvilloi një takim me pensionistët, ndërkohë që bëri premtime, që vetë ai e ka karakteristike, se gjasme të moshuarit do të hanë me lugë floriri nën qeverisjen e tij. Premtimet dhe retorika e Ramës na kujtoi naftën e Shpiragut. Me fondin e naftës së Shpiragut, ai krijoi iluzionin e një pasurie të madhe, duke e paraqitur atë si një mundësi për të transformuar ekonominë dhe për të mbështetur pensionet.
Advertisements
Por në fakt, pensionistët morën në fillim të këtij muaji vetëm lëmoshën 4 mijë lekë të vjetra, një shifër që është qesharake në krahasim me nevojat e tyre të përditshme, sikundër ishte shifra 4.1 përqind e indeksimit të pensioneve që vendosi qeveria. Rama premtoi investime të mëdha në naftën e Shpiragut, duke thënë se këto do të sillnin një fond sovran për të ndihmuar ekonominë. Por deri tani, asnjë nga këto premtime nuk është materializuar; nafta mbetet e padisponueshme dhe, siç duket, vetëm një ëndërr për pensionistët që e meritojnë një shpërblim të drejtë për kontributin e tyre gjatë jetës.
Advertisements
Vitin e kaluar, Rama u ndal në një rezervë gazi natyror dhe nafte që pritej të sillte përfitime të mëdha për vendin, por ndihma për pensionistët ka qenë zero. Dhe sikur të mos mjaftonte ky premtim, theksojmë se pavarësisht investimeve mbi 2 miliardë dollarë në koncesione të dhëna oligarkëve, të moshuarit vazhdojnë të vuajnë nga pensione të ulta, të cilat nuk arrijnë as të mbulojnë shpenzimet minimale. Shumë koncesionet si ato në shëndetësi, apo inceneratorët që nuk ekzistojnë dhe ndërkohë lekët jepen sikur te ishin realiteti, apo tokat dhe pasuritë që iu ka falur oligarkëve, të shkonin për qytetarët, pensionistet sot do të kishin pension dinjitoz.
Kështu që në vend që të përfitojnë nga këto pasuri, pensionistët janë të detyruar të përballen me realitetin e një jetese të vështirë dhe të papërshtatshme për nevojat e tyre. Madje, Rama pati dje guximin të fajësojë bizneset për pensionet e ulta, duke evituar përgjegjësinë e tij për situatën kritike. Një kryeministër që premton dhe nuk përmbush, që bën gjeste simbolike, por lë të moshuarit në harresë, nuk meriton asnjë besim.
E gjithë kjo situatë është një përfaqësim i qartë se si qeveria e tij e trajton një kategori të tillë të rëndësishme si pensionistët, duke i lënë ata në harresë dhe duke iu dhënë vetëm qindarka, në vend që t’u ofrojë një jetesë dinjitoze dhe të qëndrueshme. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që kujdeset për qytetarët e saj, jo për oligarkët e saj.
Reagon Rama
Kryeministri Edi Rama, bashkë me ministrin e Ekonomisë, Bledi Gonxhe, ministrin e Financave, Petrit Malaj, zëvendësministren e Ekonomisë Olta Manjani dhe drejtorin e Tatimeve, Ilir Binaj kanë zhvilluar dje një takim me pensionistët në Tiranë. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se me ata që nuk paguajnë sigurimet shoqërore do të sillet njësoj si me ata qe s’paguanin energjinë. Kreu i qeverisë bëri paralajmërimin gjatë një bashkëbisedimi me pensionistët, ku theksoi se “jemi tek aty ku ishim me energjinë elektrike, ku 50% e popullit paguante edhe për ata që nuk paguanin”.
Por kryeministri thekson se “me të gjithë ata që i shmangen detyrimit për të paguar për pensionet tuaja ne do të sillemi njësoje si me ata që s’paguanin energjinë”, duke shtuar “ndryshe si do të dalin këto”. “Jemi tek aty ku ishim me energjinë elektrike, 50% e popullit paguante edhe për ata që nuk paguanin, kur morëm detyrën ishim në prag të kolapsit energjetik. Jemi në kohën kur me të gjithë ata që i shmangen detyrimit për të paguar për pensionet tuaja ne do të sillemi njësoje si me ata që s’paguanin energjinë. Ndryshe si do të dalin këto”, deklaroi ai. Kreu i qeverisë foli edhe për indeksimin me 4.1% të pensioneve, teksa theksoi se të moshuarit “u përmbytët nga lumenjtë e helmit, që i derdhin të gjithë ata që derdhin lot krokodili për ju”, u shpreh ai.
Po ashtu, ai theksoi se pati përpjekje për të manipuluar me ndjenjat e pensionistëve. “Kur u indeksua pensioni me 4.1% ju u përmbytët nga lumenjtë e helmit, që i derdhin të gjithë ata që derdhin lot krokodili për ju. Por keni jetuar gjatë për ti njohur të gjithë, e dini se çfarë kam bërë për ju kur kishim mundësi të bënim, ashtu sikundër i ndjeni me erë ata që shfaqen me fytyra të reja por janë vazhdim i atyre të vjetra. Njësoj është përpjekja për të manipuluar ndjenjat e pensionistëve me përralla që nuk rrinë as në qiell as në tokë. 4.1 % nuk ka lidhje me atë që ne jemi angazhuar për të filluar për të përfshirë pensionistët në ekonominë që rritet, ishte thjesht një indeksim ligjor, nuk varet nga dëshira jonë, nuk kemi të drejtë që ndërhyjmë të bëjmë 4 në 7.
Ai 4,1% në pamje të parë nuk është asgjë, është direkt 100 mln euro, që janë shtesë në fondin e përgjithshëm të pensioneve. Fondi i përgjithshëm i pensioneve, i mundojnë aktualisht rreth 500 mln euro, për të pasur mundësi të kemi pensione më të larta. Këto 500 mln euro qeveria i nxjerr nga buxheti dhe i kalon tek pensionistët, këtyre do ti shtohet edhe 100 mln të tjera vitin tjetër nga ai 4,1%. Këtu shifrat janë marramendëse kur i shohim në kontekstin e përgjithshëm të buxhetit dhe kur shohim numrin e rritur të pensionistëve.
Disa i bien shkurt, thonë ulini rrogat deputetëve dhe jepjani pensionistëve, shkon me atmosferën e krijuar që mirë gjithë dita u kalon me nipa e mbesa, nuse e dhëndurë, por ju duhen dhe ata në fund të ditës që ju dalin në TV dhe ua bëjnë ditën natë, Është komplet absurd, ata që marrin rroga më të larta paguajnë më shumë për pensionet çdo muaj, japin kontribut për pensionet, pensionet mbulohen me ato kontribute. Taksat nuk paguhen për pensionet”, nënvizoi Rama.
Ja çfarë thoshte Rama për naftën e Shpiragut
Ndërkohë kujtojmë se rreth një vit më parë kryeministri Edi Rama mbajti një konferencë për media ku u ndal tek zbulimi i një rezerve të madhe gazi natyror dhe nafte në malin e Shpiragut. Rama tha se kompania që mere me kërkimin e naftës në këtë zonë pritet të kryej një investim fillestar prej 3 miliardë euro, por projeksionet finale të investimit shkojnë deri në 7 miliardë sipas kryeministrit. Ai shtoi se nafta e Shpiragut është e një cilësie premium të ngjashme me cilësinë e Arabisë Saudite, sipas analizave të kryera në laboratorët holandezë.
“Pas analizave të bëra në laboratorin e Holandës, nafta e zbuluar në zonën e Shpiragut është e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite. Investimi i parashikuar dhe projekti që do të realizohet nis me 3 miliardë euro dhe projeksioni është që deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës së nevojshme, pasi të fillojë puna për një sërë shpimesh për nxjerrjen e kësaj pasurie është 7 miliardë euro. Një investim që parashikon ndërtimin e gjithë infrastrukturës për depozitimin e rezervës dhe ndarjen në gaz, naftë dhe sulphur. Kjo e treta ka rëndësi të të veçantë pasi krijon një bazë qoftë për prodhimin e imputeve bujqësore, qoftë një bazë për prodhimin e produkteve kozmetikë”, tha Rama.
Me të ardhurat nga kjo pasuri, Rama theksoi se do të krijohet një fond sovran që do të përdoret për të ndihmuar ekonominë në të ardhmen, por do t’i vijë në ndihmë dhe skemës së pensioneve. Rama tha se ata të cilët kanë jetuar dhe punuar në Shqipëri kanë të drejtë që në pension të marrin shpërblimin e tyre nga kjo pasuri. “Ajo që është e rëndësishme të thuhet është se prej 1 viti ne kemi filluar punën për ngritjen e fondit sovran të Republikës së Shqipërisë. Qëllimi kryesor në ngritjen e fondit sovran është balancimi i të ardhurave nga rezerva dhe vënien në dispozicionin të një pjesë të të ardhurave për të ardhmen për gjeneratat e tjera.
Fondi ynë sovran do të ketë një profil i cili do të integrojë domosdoshmërinë për mbështetjen e pensionistëve dhe për balancimin e gjithë barrës së tmerrshme të trashëguar nga e shkuara, mbi parimin etik që kjo pasuri është qoftë atyre që jetuan dhe punuan në këtë vend dhe nuk patën pjesën e tyre, por qoftë dhe atyre që lindin sot në këtë vend dhe do të kenë pjesën e tyre. Fondi sovran është një fond investimesh që një pjesë të tyre i vendos në tregun ndërkombëtar për t’i shumëfishuar”, theksoi Rama.