Personi që shikoni në këtë fotografi dhe emri i të cilit ishte enigmë për më shumë se dy javë, thuhet është Ibrahim Mustafa Lici. Ibrahim Lici ndodhej pasagjerë në mjetin Mercedes Benz S Class me targa kroate që ishte futur në kryeqendrën e veriut pak para se të bëhej shënjestra e një prej atentateve më të ashpra kriminale. Bashkë me të vëllanë, Hamzanë dhe mikun e tyre Arlind Bushati, ai sapo ishte kthyer nga Podgorica.
Advertisements
Dy informatorët që e kanë ndjekur nga territori malazez dhe kanë hyrë pas tyre në doganë, kanë dhënë informacione të sakta te grupi i ekzekutorëve, se në Mercedesin e zi ndodhej “Fantazma” dhe dy persona të tjerë. Ata janë vënë menjëherë pas shënjestrës tashmë të konfirmuar të cilën e prisnin prej vitesh në Shkodër. Sapo kanë hyrë në Dobraç, makina Range Rover e vjedhur muaj më parë në Durrës ka dalë paralel me Mercedesin S Class dhe ka hapur breshëri zjarri me automatik.
Advertisements
Hamza Lici, djali i vogël 23 vjeçar i familjes, mbeti i vdekur në vend. Ai dyshohet se ka qenë shofer, kurse Arlind Bushati dhe Ibrahimi kanë qenë pasagjerë dhe kanë pasur mundësi t’i shpëtonin shumicës së plumbave. Djali i Xhemal Bushatit, një intelektual shkodran dhe kandidat për bashkinë e këtij qyteti, Arlindi mori një plumb në kokë dhe pas disa orësh në spital ndërroi jetë, duke lënë pas dy fëmijë.
“Fantazma” u kujdes që ai të nisej menjëherë me ambulancë në spital, ndërkohë vetë qëndroi në vendngjarje dhe nxori të vëllanë nga makina.
Ai ka provuar vetë t’i bënte frymëmarrje artificiale Hamzait, por fatkeqësisht 23 vjeçari kishte ndërruar jetë. Me dy plumba në trup, Ibrahim Lici u largua menjëherë nga Dobraçi dhe prej dy javësh nuk ka asnjë informacion për të. Gjithë shteti është ngritur në këmbë për gjetjen e një prej eksponentëve më të rëndësishëm të krimit në kryeqendrën e veriut. Forcat Speciale kanë bastisur disa ambiente private në Shkodër e Lezhë, si dhe ditët e fundit në Vlorë e Fier, por nuk kanë rënë dot në gjurmët e “Fantazmës”.
Njeriu që askush nuk arriti ta identifikonte për dy javë me radhë edhe përse gjithë Shkodra e pa në vendngjarje, ose më saktë askush nuk pati guximin ta konfirmonte, është Ibrahim Mustafa Lici. I mbetur në krye të familjes dhe fisit, “Fantazma” tashmë është zhdukur sërish, ashtu siç bëri për vite me radhë. Ashpërsia e madhe e goditjes dhe breshëria e plumbave duke mos marrë parasysh dëmet anësore, provojnë faktin se grupi i ekzekutorëve ishte informuar se në Mercedesin me targa kroate ndodhej njeriu që ata e kërkonin prej vitesh.
Fatkeqësisht, nga ky atentat mafioz humbën jetën dhe dy qytetarë të pafajshëm të Shkodrës. Çifti Bashkim dhe Flutura Basha sapo kishin dalë ngs shtëpia dhe po shkonin në tokat e tyre me motor, por vrulli i makinës ku ndodheshin Licët i mori përpara, pasi shoferi Hamza Lici ishte prekur nga plumbat dhe e kishte humbur kontrollin.