Presidenti rus, Vladimir Putin, konfirmoi dje se Rusia sulmoi Ukrainën me raketën me rreze të mesme veprimi të quajtur “Oreshnik”.
Advertisements
Putini tha se sulmi rus ishte përgjigje ndaj veprimit të SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar, pasi këto të fundit i dhanë Kievit dritën jeshile për të përdorur armë perëndimore me rreze të gjatë veprimi kundrejt objektivave ruse.
Advertisements
Lidhur me sulmin rus, i pari i Kremlinit dha dje detaje duke thënë se raketa “Oreshnik”, me të cilën sulmoi Dnipron ka një shpejtësi 10 herë më shumë se shpejtësia e zërit.
Putini zotohet se “nuk ka mënyra në botë që të luftojmë këtë armë”.
Advertisements
Por përtej shpjegimit të presidentit rus duket se nuk ka një konsensus unanim lidhur me karakteristikat e kësaj arme, shkruan BBC.
Inteligjenca ushtarake ukrainase këmbëngul se raketa me të cilën u godit Dnipro, ishte raketë balistike ndërkontinentale (ICBM) e njohur si Kedr (kedri).
Një analist ushtarak rus tha për gazetën Izvestiya se mund të jetë version i zvogëluar i kësaj.
Zyrtarët amerikanë, megjithatë, thonë se lëshimi i një rakete të tillë do të kishte shkaktuar një alarm bërthamor në Uashington.
Ndërkohë një tjetër ekspert thotë se raketa mund të ishte krijuar mbi bazën e raketave Iskander me rreze më të shkurtër veprimi – tashmë të përdorura zakonisht në Ukrainë – por me një motor të gjeneratës së re me karburant të ngurtë.
Nëse, siç thotë Putin, është një raketë me rreze të mesme veprimi, rrezja e saj do të ishte 2,500-3,000 km (1,550-1,860 milje), potencialisht duke u shtrirë në 5,000 km. Kjo do ta vendoste pothuajse të gjithë Evropën brenda rrezes.
Presidenti rus Vladimir Putin tha gjithashtu se do të vazhdojë të testojë raketat balistike hipersonike Oreshnik.
Raketa e lëshuar të enjten u testua “me sukses”, tha Putin, duke shtuar se asnjë komb tjetër nuk ka armë si kjo.
Duke folur në një takim me udhëheqjen e mbrojtjes dhe anëtarët e Këshillit të tij të Sigurimit, ai tha se zhvillimi i sistemit të raketave është jetik “pasi Rusia po përballet me kërcënime të reja”.
Udhëheqësi rus tha ndër të tjera se raketa nuk mund të kapet dhe se “Rusia disponon stok sistemesh të tilla gati për t’u përdorur”, duke shtuar se tani ai ka urdhëruar prodhimin serik të raketave.