Detaje të reja nga masakra me 4 viktima në Dobraç.
Advertisements
Mësohet se dy javë më parë policia ka arrestuar personin që kishte vjedhur makinën tip Range Rover që u përdor nga autorët e krimit dhe u dogj pas vrasjes.
Advertisements
Mjeti rezultoi të ishte vjedhur në Durrës, dhe ishte denoncuar nga pronarët më 17 Prill të këtij viti.
Autori i vjedhjes së makinës është arrestuar në Shkodër dhe është marrë disa herë në pyetje për të treguar nëse ka djeni për rrethanat e vrasjes në Dobraç, por nuk ka pranuar të japë deklarime.
Advertisements
Deshmia e tij, konsiderohet kyçe për policinë e Shkodrës dhe prokurorët e SPAK që po hetojnë çështjen.
Çfarë ndodhi më 30 tetor në Shkodër?
Hamza Lici, 23 vjeç, Arlind Bushati, 32 vjeç dhe Flutura Basha u vranë pas një atentati mafizo të mirëorganizuar, i cili u regjistrua në zonën e Dobraçit. Bashkim Basha, bashkëshori i Fluturës u plagos dhe u dërgua në spital në gjendje të rëndë, ku humbi jetën pas disa ditësh.
Dyshohet se në atentat morën pjesë 4 autorë. Në makinën tip “Range Rover” që u gjet e shkrumbuar në fshatin Golem, vetëm 5 kilometra larg vendit të atentatit, sipas burimeve policore gjendeshin 3 persona, shoferi dhe dy qitës që qëlluan me breshëri kallashnikovi. Ndërsa personi i katërt i ka pritur në zonën ku është djegur automjeti, duke i ndihmuar të largohen.
Jo vetëm kaq, por grupi hetimor ka dyshime të forta se autorët janë vrasës me pagesë nga Mali i Zi, në moshë të re.
Hetuesit sekuestruan më shumë se 35 gëzhoja në vendngjarje. Për ngjarjen e rëndë në komisariatin e Shkodrës u shoqëruan mbi 20 persona, mes tyre edhe Safet Bajri dhe anëtarë të tjerë të familjes. Ky i fundit qëndroi rreth 2 orë në polici dhe mësohet se mohoi të ketë lidhje me atentatin, duke deklaruar se ishte në banesë me familjen. Sipas tij, shtëpia është e monitoruar me kamera dhe e vërteton një fakt të tillë.
Deri më tani, pista kryesore ku janë përqendruar hetuesit është ajo e hakmarrjes për shkak të konfliktit të gjatë mes familjes Lici dhe Bajri. Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, një nga personat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare.
Kush është Ibrahim Lici
Ibrahim Lici akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës në maj të vitit 2021.
Në 13 shkurt të këtij viti, ai u arrestua në Turqi, por disa javë më vonë ai u la i lirë nga autoritetet turke si pasojë e mungesës së marrëveshjes së ekstradimit drejt vendit tonë.
Hamzai, viktima e 30 tetorit, foli nga Turqia, duke thënë se i vëllai ishte i pafajshëm. Por konfliktet mes grupeve vijuan.
Akuzat ndaj Ibrahim Licit u ngritën pas dëshmisë së 15 vjeçarit, Ergys Malja. Fillimisht Malja, ka treguar se ishte ai që kishte nxjerrë nga shtëpia Endri Mustafën dhe së bashku ishin drejtuar në zonën e quajtur “Gropat e Eskavatorit”. Sipas 15-vjeçarit, papritur i ka dalë në rrugë, Ibrahim Lici me një motor, i cili e ka qëlluar me pistoletë, Endri Mustafën, duke e lënë të vdekur në vend. Ndërsa vetë i mituri Ergys Malja, ka treguar se është larguar me vrap duke mundur të shpëtojë, shkruan Vizionplus.tv.
Vetëm një javë pas krimit të rëndë, policia arrestoi Ergys Maljan si bashkëpunëtor në këtë vrasje. Fillimisht Malja, u dënua me 24 vite burgim nga gjykata e Shkodrës, por për shkak të moshës, dënimi i tij u reduktuar, duke u dënuar përfundimisht me 12 vjet heqje lirie.
Lici nga arratia ka mohuar të gjitha akuzat, madje ai ka pretenduar se ditën e ngjarjes ka qenë në Tiranë në shoqërinë e shokëve dhe një vajze.
31-vjeçari Ibrahim Lici është dhe i dyshuari kryesor i vrasjes së dy vëllezërve Bilali në Shkodër. Astrit dhe Brahim Bilali, më 30 mars 2019, u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi në portën e shtëpisë. Ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër.
Astrit Bilali, i cili mbetur i vdekur së bashku me të vëllanë e tij, është babai i Astmer Bilalit, ish kampionit të boksit i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.