Panik në ajër/ 5 avionë kinezë dhe 6 rusë fluturojnë mbi Korenë e Jugut, Seuli bën lëvizjen urgjente

by editor

Frontet e luftës janë të hapura nga Europa në Lindjen e Mesme dhe frika për përshkallëzimin e konflikteve deri në përdorimin e armëve bërthamore, mban në tension botën mbarë.

Advertisements

Në kulmin e tensioneve në Ukrainë dhe Gaza e Liban, një incident është shënuar edhe në Azi. Ushtria e Koresë së Jugut ka njoftuar se ka ngritur aeroplanët ushtarakë në ajër dhe në gjendje gatishmërie, pasi 5 avionë ushtarakë kinezë dhe 6 rusë fluturuan mbi zonën e saj të mbrojtjes ajrore.

Advertisements

“Pesë avionë ushtarakë kinezë dhe gjashtë rusë hynë dhe dolën nga Zona e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Koresë në Detin Lindor dhe Detin e Jugut”, tha në një deklaratë Shefi i Shtabit të Përbashkët të Seulit.

Po ashtu sqarohet se avionët nuk e shkelën hapësirën ajrore të Koresë së Jugut, e cila ishte në gjendje t’i identifikonte ata dhe të merrte masa për çdo rast.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Kinës i quajti fluturimet si “patrulla e tyre e nëntë e përbashkët strategjike” duke shtuar se ato u zhvilluan “sipas planit vjetor të bashkëpunimit midis ushtrisë kineze dhe ruse”.

Që nga viti 2019, Kina dhe Rusia kanë fluturuar rregullisht avionë ushtarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut pa njoftim paraprak, duke i cilësuar si stërvitje të përbashkëta. Incidente të ngjashme ndodhën edhe në muajt qershor dhe dhjetor të vitit të kaluar, por dhe në maj dhe nëntor 2022.

Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut kërkoi që të merren masat e duhura për të parandaluar të përsëriten këto fluturime, duke shtuar se veprime të tilla mund të “rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet në rajon”.

Kina dhe Rusia kanë zgjeruar lidhjet ushtarake dhe të mbrojtjes që kur Moska nisi luftën me Ukrainën gati tre vjet më parë. Të dyja janë gjithashtu aleatë tradicionalë të Koresë së Veriut, armikut kryesor të Jugut.

Ngritja e avionëve në gjendje gatishmërie nga Seuli shënojnë incidentin e fundit që përfshin ushtritë ruse dhe kineze në muajt e fundit. Në fillim të nëntorit, Italia dhe Norvegjia mobilizuan avionët e tyre luftarakë pasi bombarduesit rusë u panë mbi Detin Baltik dhe përgjatë bregdetit norvegjez.

You may also like