Pasuria me vlerë 1 miliardë lekë apo 1 milionë euro në pronësi të shtetasit Redjan Rraja dhe personave të lidhur me të, ka kaluar në pronësi të shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për 5 dyqane, dy makina dhe një orë luksoze e markës “Rolex”.
Advertisements
Redjan Rraja është nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja dhe është dënuar me burgim të përjetshëm për atentatin e ndodhur pesë vite më parë te Mbikalimi i Shkozetit, ku u plagos ish-prokurori Arjan Ndoja, Pëllumb Muharremi (Rrumi i Shijakut), si dhe humbi jetën shoferi Andi Maloku.
Advertisements
Duke qenë se ai është shpallur zyrtarisht fajtor, Agjencia e Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara, ka vendosur të zbatojë vendimin e Gjykatës së Posaçme, si dhe të vërë në lëvizje Policinë e Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
Janë pesë dyqane me sipërfaqe të ndryshme në qytetin e Tiranës, dy në emër të Redjan Rrajës dhe tre në emër të bashkëshortes së tij, Marsela Çiça, një automjet po në pronësi të Redjan Rrajës dhe një orë dore luksoze “Rolex”, si dhe një makinë në pronësi të modeles Kejvina Kthella.
Njoftimi
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara, operacioni “RESEMBLANCE”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nr. 05, datë 07.02.2024, lënë në fuqi me vendimin nr. 211, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në zbatim të këtij vendimi u bë konfiskimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme:
1. Një njësi me sipërfaqe 30 m², në emër të shtetasit Redjan Rraja
2. Një njësi me sipërfaqe 76 m², në emër të shtetasit Redjan Rraja
3. Një njësi me sipërfaqe 127.5 m², në emër të shtetases Marsela Çiça;
4. Një njësi me sipërfaqe 18.09 m², në emër të shtetases Marsela Çiça;
5. Një njësi me sipërfaqe 18.09 m², në emër të shtetases Marsela Çiça;
6. Një automjet në pronësi të shtetasit Redjan Rraja
7. Një automjet në pronësi të shtetases Kejvina Kthella
8. Një orë dore (Rolex).
Pasuritë e mësipërme, të cilat kanë një vlerë tregu rreth 1 milion euro, u konfiskuan me qëllim kalimin në favor të shtetit dhe ju dorëzuan Agjencisë së Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara.