“Ia filmuan dhe kafshatën e bukës”- Revoltohet Robert Aliaj: Parashqevi Simaku është “viktimë”! E nxorën si nënë të papërgjegjshme

Në një rrëfim të sinqertë, Robert Aliaj ka rrëfyer anën tjetër të medaljes së ‘kauzës’ së Parashqevi Simakut. “Boshllëkun shpirtëror, neglizhencën ndaj artit, maskaradë” e quan ai gjithçka që ndodhi në javën e fundit me artisten e njohur. Në intervistën dhënë ekskluzivisht për Panorama, Aliaj rrëfen se Parashqevia u nxor si nënë e papërgjegjshme dhe si një grua e dështuar nga ‘shpëtimtarët’ e saj, që reklamonin edhe buzëkuqtë ‘Dior’.

Advertisements

Ndoshta Robert Aliaj është ndër të vetmet artistë që rrëfen ‘pa dorashka’ edhe prapaskenat e artistëve, duke u shprehur se ishte pikërisht kjo klimë e ndyrë, si ai e quan, një nga arsyet që e detyruar që të emigronte. Artisti nuk përjashton as mundësinë që gjithçka të jetë e përgatitur me regji nga një sharlatan. Duke e quajtur Parashqevinë viktimë në këtë histori, ai shprehet se imazhi i saj sot është dëmtuar edhe më shumë.

Advertisements

Qëndrimi juaj në lidhje me Parashqevi Simakun, ka qenë ndoshta ndër më kontroversët. Si erdhi Roberti deri tek ky reagim, çfarë ju nxiti?

Unë do ta gjeja shkakun tek mentaliteti i turmës që na përcakton. Ne kemi krijuar “njeriun e ri turmë” me ndihmën e politikes dhe mediave. Kjo është drama, kur ruajtja e dinjitetit njerëzor, i privatësisë quhet kontrovers. Si mund të kemi shkuar kaq larg? Niveli i abuzimit me dobësinë e një viktime të mjerë më erdhi fare natyralisht, si një lutje për ringjallje.

Unë reagova me zemër sepse e besoj thellësisht që qëndrimi jokritik, pa mënd, verbërisht dogmatik nën maskën e patriotizmit është mentaliteti më jopatriotik i imagjinueshëm. Nuk kam asnjë konsideratë për patriotizmin njëpërdorimshëm që manifestohet pa kriter, si të kishte vlerën e një letre higjienike për të pastruar shpirtin jashtëqitje të llumit shoqëror. Më ngacmoi për të reaguar efekti i këtij abuzimi.

Ky skandal më shumë zhveshi dhe demaskoi realitetin dhe gjendjen e mjeruar të shoqërisë shqiptare, politikës, mediave, gazetarisë mediokre dhe celebriteteve televizive mjerane që dëshmuan më shumë për veten dhe hallin e tyre sesa atë të Parashqevisë. Qetësohuni, mendoni dhe pyesni veten. Çfarë fitoi viktima? Bukën e gojës që duhej ti ishte dhënë në heshtja pa e filmuar çdo çapë? Ja vlente një këmbim të dinjitetit? Sepse ja nxorën zorrët jashtë, i nxorën në mexhlis gjithçka intime dhe problematike që e dëmton atë më rëndë.

Mendoni se Parashqevia ndjehet krenare tani që “shpëtuesit” e demistifikuan figurën e saj si një grua të dështuar? Si mama e papërgjegjshme në lidhje me familjen dhe djalin e saj? Të gjitha këto po i nxirrni ju, jo unë. Mua më vjen të vjell me gjithë ata që u përfshinë në këtë maskaradë. Çfarë mund të thuash më tepër për një komb që kujtohet rastësisht për ekzistencën e një vlere shpirtërore të braktisur, dhe reagon me zjarrin e një sulmi ataku të panikut sporadik, kaotik dhe të pakuptimtë? Në këtë rast do kisha më shumë dëshirë të flisnim për diçka më kuptimplotë që zbuloi kjo histeri injorantësh.

Boshllëkun shpirtëror, neglizhencën ndaj artit dhe Kulturës së vërtetë që përbëjnë identitetin tonë, arsye të mrekullueshme për të ruajtur dhe forcuar ndjenjën e përkatësisë në një kohë kur kërkojmë masivisht të largohemi. Këtu kuptohet sa shoqëri hipokrite jemi. Duhet të ngremë zërin nëse duam që Shqipërisë ti mbetet pak shpresë për të shpëtuar identitetin e saj kulturor, duke pranuar dështimet sistematike. Shteti duhet të investojë në infrastrukturën kulturore, jo vetëm si një mendim me background politik, por si një prioritet patriotik kombëtar.

Thatë që keni kënduar me të, si e njihnit nga afër. A ishte dhe nga afër ajo koketa që të gjithë flasin?

Shumica absolute e atyre që flasin, e atyre që e abuzojnë dhe e gjithë atyre që po ia shesin shpirtin nëpër ekrane me emisione speciale pafund, të shpërvjelura në mjerim, nuk e njohin fare Parashqevinë, thjesht po shesin natyrën e tyre të kompromentuar pa e kuptuar as vetë ata.

E përsëris që unë nuk komentoj viktimën në asnjë aspekt. Nuk është në natyrën time ky lloj kurioziteti i sëmurë vuajërist. Nuk merrem me jetën e askujt. Po reagoj thjesht për valët e pacipërisë që zbuloi ky fenomen.

Pas viteve ’90 të shumtë ishin artistët që emigruan, ndër to dhe ju. I kujtoni bisedat mes kolegëve në ato vite, ëndrrat që ndanit, ndoshta dëshira për të bërë karrierë edhe jashtë Shqipërisë?

Një nga arsyet që ndikoi të mos këndoja më ishte klima e ndyrë dhe e frikshme që mbizotëronte në klanet artistike, mediokriteti dhe mungesa e çdo lloj argumenti që tejkalonte hapësirën nga syri tek hunda. Ishte dekurajuese në aspektin e besimit. Profesionalisht mediokriteti sundonte në radhën e këngëtarëve. Pra, asnjë bisedë për ‘ kujtuar.

E vetmja gjë që mbaj mënd nga ato kohë ishte kur këndoja në estradën e shtetit, kur shkoja për prova dhe gjithë orkestrantët largoheshin një pas një dhe unë nuk kuptoja arsyen. Don Miluka më zbardhi arsyen pak kohë më parë në një drekë mes miqsh të asaj kohe, Çim Rexha, Genc Dashi e të tjerë “Kishim shumë frikë” tha Doni, “sepse ti flisje kundër sistemit dhe ne kishim familje dhe nuk donim te ishim dëshmitarë”. Kjo besoj ilustron sadopak atmosferën e asaj kohe.

Të shumtë kanë qenë kolegët që edhe kanë thënë se videot e Parashqevisë kanë qenë të parapërgatitura, si e mendon Roberti këtë pjesë. Sa ka reale brenda dhe sa ka skenar?

Unë mund të them që gjithçka që ndodhi ishte e neveritshme, nuk përjashtohet mundësia e një skenari. P.sh., kur një sharlatan që do të bëhet qytetar nderi, sepse kanë ndodh këto gjëra në Shqipëri, nuk ka më çudi.

Pamjet e Parashqevisë, si e pastrehë, dhe më pas shndërrimi i saj, mendoni se e ndihmojnë figurën e saj apo e dëmtojnë?

Si mund të nderohet dikush si i pa strehë? I pa ushqyer? I pa aftë për të mbajtur familjen, 10 vjet pa parë fëmijën e saj? Si mund të mos dëmtohet imazhi i kujtdo qoftë me këto mynxyrete që të gjithë “shpëtimtarët” dhe turma e patriotëve analfabetë ia nxorën në shesh me figurë dhe zë? Besoni që ia nxorën se e deshën? Apo akoma besoni që një buzëkuq “Dior” të shënjtëron?

Ndërkohë që ka pasur edhe reagime që thoshin se disa kolegë e dinin gjendjen e saj, por jo vetëm nuk e kanë ndihmuar, por edhe kanë dashur ta shkatërrojnë. Si i sheh këto deklarata të forta?

Asnjë interes, as për deklaratat, as për deklaruesit.

Ka ‘Parashqevi’ të tjera të harruara apo të braktisura sot nga publiku?

Sigurisht që ka, por janë dinjitoze. Heshtja është fisnikëri. Askush nuk do që hallet dhe turpet e veta t’i bëjë publike. Vetëm nëse ordinerët i zbulojnë dhe ia nxjerrin në shesh. Nuk ka shtëpi, pa nevojtore.

Sipas jush çfarë mund të bëhet më shumë për artistët që kanë qenë ikonë edhe para viteve 90?

Varet nga lloji i ikonës. Unë nuk besoj se ka pas ikona në radhët e zbavitësve. Ndryshe nëse flasim për muzikantë të vërtetë të muzikës klasike, këngëtarë opere, kompozitorë apo koreografi. Por për këtë kategori nuk flitet fatkeqësisht. Opera është simbol kulturor i përsosmërisë, është forma më e lartë e mjeshtërisë dhe shprehjes artistike.

E vetmja që pasqyron kontekst shoqëror, bëhet e vlefshme edhe si pretekst dokumentacioni kulturor dhe historik ne long term nëse duam të shohim ecurinë artistike të një kombi. Opera është përfaqësuese e trashëgimisë më të pasur të shprehjes artistike bashkëkohore, dhe mishëron pasurinë kulturore dhe sofistikimin e shoqërisë Do desha të ishte i vetmi zhanër që të unifikonte vlerësimin dhe mirëkuptimin kulturor./panorama