Meteorologia e IGJEUM, Anira Gjoni, ka dhënë parashikimin e motit për ditët në vijim, duke theksuar se java që po nis do të karakterizohet nga temperatura të ulëta dhe reshje të herëpashershme. Ajo shpjegoi se për ditën e nesërme, temperaturat përkatëse në zonat e ndryshme do të jenë si më poshtë:
Advertisements
Për bregdetin, temperaturat minimale pritet të jenë 7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të shkojnë deri në 11 gradë. Në zonat e ulëta, temperaturat minimale do të jenë 5 gradë dhe ato maksimale deri në 10 gradë. Ndërsa në zonat malore, temperaturat minimale do të arrijnë deri në -4 gradë, dhe maksimalet do të jenë deri në 3 gradë.
Advertisements
Gjoni shtoi se gjatë ditëve në vijim, temperaturat do të shënojnë një rënie të mëtejshme, sidomos në zonat e ulëta, ku minimali mund të zbresë deri në 3 gradë. Sa i përket reshjeve, meteorologia paralajmëroi se do të jenë të pranishme gjatë gjithë javës, me intensitet më të lartë në qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës, ku priten reshje intensive për ditën e sotme.
Në përfundim, Gjoni theksoi se situata do të jetë problematike për shkak të reshjeve, sidomos në zonat jugore të vendit, dhe apeloi që qytetarët të tregohen të kujdesshëm për të shmangur vështirësitë që mund të shkaktojnë këto kushte atmosferike.