Opozita do të protestojë sot duke bllokuar disa rrugë të kryeqytetit. Tubimi i Partisë Demokratike është planifikuar të nisë në orën 17:00 dhe rrugët që do të bllokohen janë: Rruga pranë Bashkisë së Tiranës, rreth-rrotullimi tek “Zogu i Zi”, tek sheshi “Wilson”, tek “Pallati me Shigjeta”, si dhe kryqëzimi tek “Rruga e Elbasanit”, pranë xhamisë së “Namazgjasë”.
Advertisements
Organizatorët e protestës kanë njoftuar Policinë e Tiranës se do të bllokojnë disa akse për rreth 3 orë. Blutë u kanë kthyer përgjigje se Policia e Shtetit garanton çdo tubim paqësor, por jo bllokimin e rrugëve dhe se çdo akt i tillë përbën përgjegjësi penale.
Advertisements
Në përgjigjen e kthyer PD-së, Policia shprehet se në bazë të ligjit “Për tubimet”, organizimi i tubimeve në disa segmente rrugore në Bashkinë Tiranë krijon probleme dhe premisa për cenime të rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cenon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon lëvizjen e lirë të automjeteve të transportit publik dhe privat në kryeqytet. Për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë gjatë protestës, Policia do të përdorë forcat e rendit, të Shqiponjave dhe FNSH.
Po ashtu do të vendosen edhe autobote me ujë për të shpërndarë protestuesit në rast se do të jetë e nevojshme. Opozita i është drejtuar me disa kërkesa qeverisë ku më e rëndësishmja është ajo për qeveri teknike, teksa vendi po i drejtohet zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Kërkesë e cila deri tani është refuzuar nga ana e mazhorancës. Më herët, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është shprehur se protesta e 23 Dhjetorit do të bllokojë Tiranën. Lideri demokrat e konsideron si “mosbindjen civile më të fuqishme që ka parë Tirana ndonjëherë”. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi postoi dje një video me pamje nga protestat e thirrura nga PD, duke u ndalur veçanërisht në atë që do të mbahet sot në orën 17:00.
“Marshim në Tiranë kundër padrejtësive, kundër varfërisë, kundër vjedhjeve, kundër pushtetit abuziv”, thuhet në videon e postuar nga Bardhi. Në vijim, në mesazhin e postuar nga Bardhi thuhet se më 23 dhjetor marshohet për qytetarët, për rroga më të larta, për pensione dinjitoze, për zgjedhje të lira dhe për qeverinë teknike.
Kurse Sekretar i Përgjithshëm i Partia e Lirisë, Tedi Blushi bëri thirrje për më shumë pjesëmarrje, duke u kërkuar që të gjithë të ngrihem në mosbindje civile. Ai shprehet se asgjë nuk e ndal misionin kombëtar për të shpëtuar vendin. Po ashtu, Tedi Blushi theksoi sot Tirana do të jetë në duart e qytetarëve.
“Nesër,(sot) ora 17:00, Tirana në duart e qytetarëve! Fortifikimi me beton special i bunkerit në Surrel është frika në palcë e Edi Ramës, nga korrupsioni dhe krimet e përbindshme, nga fundi i shpejtë dhe i pashmangshëm. Asgjë nuk e ndal misionin tonë kombëtar për të shpëtuar vendin! Të gjithë në këmbë, në mosbindje civile! Fitorja është më pranë se kurrë!”, shprehet Blushi