“Dy qitës ende të paidentifikuar”, zbardhet vendimi për vrasjen në Elbasan, Gjykata: Të parët qëlluan nga grupi i Xhuvanit

Gjykata e Apelit ka zbardhur vendimin në të cilin ricilësohet akuza ndaj Arbër Paplekaj, që u gjet fajtor dhe u dënua me shtatë vite burgim për vrasjen në rrethana të tronditjes së fortë psikike në dëm të Pjerin Xhuvanit.

Advertisements

Sipas gjykates, në vendngjarje atë ditë në Elbasan ishin edhe dy qitës të tjerë të cilët rezultojnë se kanë qëlluar dhe janë ende të paidentifikuar nga prokuroria e Elbasanit.
Për gjykatën e cila ka përshkruar edhe njëherë skenën e shkëmbimit të armëve të zjarrit në 21 prill 2021, ngjarje e ndodhur katër ditë para zgjedhjeve parlamentare, përgjigjet e ekspertëve janë në harmoni me dëshmitë dhe pamjet filmike.

Advertisements

Gjatë rikualifikimit të akuzës ndaj Paplekaj Gjykata shton në këtë verdikt se bazuar në ekspertimin e kryer njëri nga qitësit e paidetnifikuar ka qenë në një distancë të afërt jo më tepër se një metër me viktimën Xhuvani.Provohet thotë gjykata se Paplekaj dhe Pjerin Xhuvani kanë qenë në distancë të afërt me njëri tjetrin dhe jo më tepër se katër metra, ashtu siç provohet se në afërsi të Paplekaj ndodhej shoku i tij Pavlo Vuksani i cili mbeti i plagosur nga pas kokës gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Gjykata thotë se provohet se fillimisht është qëlluar me armë zjarri nga grupi i personave që kanë sulmuar Paplekaj, në krye të të cilëve ishte viktima Xhuvani. Për Gjykatën e shtëna e parë ka ardhur nga njëri prej dy qitësve që gjendej në krah të viktimës.

Gjykata thekson se Paplekaj ka qenë në kushtet e tronditjes psikike e cila është shkaktuar nga fyerja dhe dhuna dhe se gjatë kësaj gjendjeje autori nuk e ka patur kontroll mbi veprimet e tij pasi vetëdija i është errësuar. Po ashtu Apeli shton se ai ka qëlluar për shkak të pasigurisë për jetën.

Gjykata shton se nuk ka prova për të dënuar efektivët për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Gjykata thotë se ndryshe nga prokuroria nuk provohet nga hetimi që Paplekaj të jetë autor i plagosjes Eltjon Bodinaku dhe Emilian Prenga, ndërkohë që për plagosjen e efektives Xhensila Sota shkruan “ plagosja e lehtë e punonjëses në këmbë është tregues se i pandehuri nuk ka patur qëllim apo dashje ta qëllojë, por se plagosja e saj ka ardhur nga pakujdesia”.

i pandehuri Nuredin Kasma në lidhje me momentin e konfliktit, ka deklaruar se:

“Në momentin kur jane share dhe goditur, ata shanin: do ju vrasim, fjalor fyes nga të gjithë mënyrat, na shanë. Në atë moment Arbëri ka qenë përpara dhe Emiljan Prenga. Kanë shtyrë, sharë Arbërin, ka vënë dorën një personi dhe e kapi për dore dhe i ka thënë: jo se nuk bën kështu. Debati ka qenë duke vazhduar. Ata janë fokusuar te Arbëri duke qenë më i gjatë.

Në atë moment Arbëri spostohet, ata kanë patur çanta. Dy personat ishin përballë RangRover dhe njëri nga këta persona ka nxjerrë pistoletën, unë kam marrë majtas, kam dalë nga rrezja e qitjes.
Kishte edhe persona të tjerë. Në atë moment qe nxorrën armën, kanë qenë duke u shtyrë dhe konfliktuar”.
Nuredin Kasma deklaroi se nuk ka dijeni se kush ishte personi që kishte armë. Ai ka dëgjuar krismat dhe ka parë dy pistoleta, vetëm njërin nga personat ka parë, por që nuk e di kush ishte, kurse personit tjetër që shtinte me armë i ka parë vetëm dorën.

Arma ishte e kalibrit 9 mm. Dy personat sipas tij po gjuanin me armë në drejtim të të pandehurit Arbër Paplekaj. Pasi kanë qëlluar personat, ka parë të pandehurin Arbër Paplekaj me pistoletë dhe duke lëvizur në mënyrë të çrregullt. Pasi kanë pushuar krismat e armëve ai ka parë të shtrirë në tokë dy persona, njëri ishte Emiljan Prenga tek bordura e rrugës dhe një person tjetër pa vajtur tek bordura, të cilin nuk e njihte. Këta persona ishin 1 deri në 2 metra afër me njëri-tjetrin.

Mé pas ka parë Emiljanin që është çuar dhe më pas ka ndjekur një rrugë pas pallateve për të parë Arbërin nga iku dhe për të parë se mos ishte plagosur.

Kasma ka treguar edhe momentin kur në vendngjarje kanë ardhur disa persona me automjete, që sipas tij kanë qenë 15-20 persona dhe sa kanë ardhur i kanë shtyrë dhe kanë përdorur fjalë fyese ndaj tyre.
Këta persona sipas tij kanë nxjerrë, direkt armën nga çanta dhe kanë gjuajtur. Bashkë i pandehuri tregon se ka qenë ngjitur me të pandehurin Albert Nushi, njëri nga personat që ka gjuajtur ka ikur me vrap në drejtim të kundërt të mjeteve të parkuara, dhe tjetri ka ikur me armë në dorë kur ka mbaruar qitja.

“Grupi i personave kanë ardhur direkt në mënyrë agresive me automjete, nuk ka patur debat sqarues. Kanë sulmuar, sharë dhe shtyrë me duar grupin e vullnetarëve të PD-së. Kanë përdorur fjalor fyes, kanë sharë nga familja, të gjithëve, …robt, familjen, lloj-lloj fjalësh. Edhe viktima Pjerin Xhuvani ka përdor fjalë fyese. Fillimisht fjalët fyese u janë drejtuar në grup, por i pandehuri Arbër Paplekaj ka qenë përballë qe ka kontaktuar me ata. Nga çasti kur erdhën personat deri në momentin që u dëgjuan krismat e fundit kanë kaluar rreth 20 sekonda”, ka deklaruar ai./Top Channel