Ekzekutoi në lokal Elton Çiçën, kush është Jani Alia, i dënuari me burgim të përjetshëm që fshihej në Athinë! Krimi që tronditi ish-Bllokun dhe zanafilla e hakmarrjes

Jani Alia, i dënuar me burgim të përjetshëm për ekzekutimin në ish-Bllok të Elton Çiçës, krim i ndodhur mbrëmjen e 1 majit 2016 në një lokal në Tiranë, është arrestuar në Athinë nga policia greke dhe pritet ekstradimi i 47-vjeçarit drejt vendit tonë.

Advertisements

“Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia Greke finalizoi operacionin “IN TIME”, duke arrestuar këtë shtetas”, njoftoi policia e shtetit.

Advertisements

Masakra ne ish-Bllok

Jani Alia është dënuar në maj të vitit 2018 për vrasjen e Elton Çiçës në zonën e ish-Bllokut.

Çiça dhe Alia, të dy nga Tepelena, kishin një histori të gjatë konfliktesh mes tyre që dyshohet se kishin si zanafillë prishjen e pazareve të drogës mes dy grupeve të tyre.

Ndërsa një tjetër pistë ishte se Alia i ka vrarë Çiçës shokun e fëmijërisë dhe kjo u bë shkak për nisjen e një serie vrasjes dhe atentatesh.

Ngjarja që dyshohet për nisjen e konfliktit mes dy tepelenasve është vrasja e E. Ballazhiut nga Jani Alia, i cili e goditi 20-vjeçarin me thikë. Ngjarja ndodhi në vitin 2000 në Greqi dhe viktima ishte bashkëmoshatar dhe shok fëmijërie i Elton Çicës. Alia dhe Çica u përballën në një burg të Greqisë, pasi ishin arrestuar për drogë, ku ky i fundit tentoi të hakmerrej për shokun e tij, duke e goditur Alian me thikë. Pas daljes nga burgu, ata nisin atentatet ndaj njëri-tjetrit në Shqipëri.

Në janar 2016, Alias iu bë atentat, por ai u shpëtoi plumbave, ndërsa mbeti i plagosur një kalimtar rasti. Më 25 prill 2016, Alia u qëllua përsëri, ku këtë herë mori plumb në dorë. Vetëm një javë pas kësaj, Çiça u vra në një lokal në zonën e ish-Bllokut. Hetuesit arritën të identifikojnë Alian si autor përmes bishtit të një cigareje, pasi në kokë mbante kapele dhe nuk identifikohej nga kamerat e sigurisë.

Si ndodhi vrasja

Jani Alia ekzekutoi me gjakftohtësi Elton Çiçen në prani të tre personave të tjerë në lokalin “De Niro” në kryeqytet.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë së lokalit pranë stadiumit “Selman Stermasi”, në Tiranë, ku ndodhi vrasja e Elton Çiçës, shihej momenti kur rreth orës 22:15 minuta vrasësi futet në lokal.

Në atë moment, në bar “De Niro” fokusohen 5 persona nga kamerat. Një person që qëndronte në këmbë pranë derës, te banaku dhe pak hapa më brendësi të lokalit, në një tavolinë ishin të ulur 4 persona. Në pamje ballore shquhej viktima, Elton Çiça, që qëndronte me kokën ulur duke shkruar diçka në celular, ndërsa në krahun e tij të majtë ndodhej oficeri i Policisë së Tiranës.

Përballë tyre qëndronin edhe dy persona të tjerë, një gazetar, që ndodhej në krahun e viktimës, me shpinë nga kamera dhe një stomatolog, që shquhej në profil, i cili ndodhej i ulur në karrigen pranë oficerit të Policisë.

Në lokal u fut një person i veshur sportiv (Jani Alia) dhe me një kapele të bardhë në kokë, që fillimisht dukej si klient që ishte drejtuar për t’u ulur në ndonjë prej tavolinave.

Por në fakt, ai me hapa të shpejtuar u drejtua te tavolina ku ndodhej viktima. Sapo u afrua aty, duke qëndruar mes Çiçës dhe gazetarit, ai iu drejtua me emër viktimës dhe për më pak se 2 sekonda nxorri pistoletën, duke qëlluar dy herë dhe më pas u largua nga lokali.