Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, në një intervistë në Top Story, ka folur për raportet e saj me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Advertisements
Ajo ka deklaruar se bashkë me Veliajn, vijojnë të ulen në të njëjtën tryezë pune sa herë që bëhen mbledhjet me drejtuesit e qarqeve për zgjedhjet e 11 majit, teksa shprehet se ai është linçuar publikisht pas hetimeve që ka ndërmarrë SPAK.
Advertisements
Belinda Balluku: “Unë me Erion Veliajn jemi miq të mirë dhe kemi qenë miq prej shumë kohësh, para se të kemi këto detyra. Unë e kuptoj që gjithmonë kërkohet që të ketë një telenovelë”.
Si janë këto akuzat që bëhen…
“Unë e kuptoj shumë mirë që ka një vëmendje dhe tendencë për telenovela nëpër lajme, por për të thënë të drejtën janë duke rrëmuar në vendin e gabuar se as unë, as Erioni nuk kemi ndonjë rezervë ndaj njeri tjetrit”.
Vërtet mendon se goditja e kryebashkiakut nga SPAK, nuk e dëmton PS-në e Tiranës?
“Unë do të doja që të ndiqeshin të gjitha shkallët e drejtësisë ashtu siç duhet. Në rast se hetohet një dosje, kjo nuk e bën personin nën hetim, fajtor. Ky është gabimi më i madh që po ndodh në këto momente, secili që ka një çështje të hapur, duhet patjetër gjithë ky mllefi publik që e vë personin te cepi dhe e trajton si një person të fajshëm. Kjo nuk duhet të ndodhë”.
Kur bëhet për Metën dhe Berishën nuk ka problem…
“Erioni është një figurë politike. Sot ka qenë në tryezë me mua dhe me gjithë drejtuesit e tjerë të qarkut dhe është duke punuar, ashtu siç ka punuar çdo ditë dhe për këtë ju siguroj”.
Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe një nga drejtuesit e Qarkut, është përfaqësues i lartë politik. Deri tani kemi opinionin e kryeministrit që ai po linçohet publikisht. Keni ju një opinion?
“Këtë sapo thashë para pak. Ka një linçim publik të pajustifikuar”.
Po një kosto do ketë PS-ja, jo vetëm në Tiranë, por gjithandej. Për Veliajn nuk kemi thjesht një kallëzim, kemi një kontroll, kemi kontrollin e bashkëshortes…
“Ndaj të njëjtin pozicion me kryeministrin. Po bëhet një linçim publik pa logjikë. Sa i përket impaktit, sot kam qenë në të njëjtën tryezë me Veliajn dhe gjithë drejtuesit e qarqeve, është në punë. Ne jemi në një fushatë që e konsiderojmë të filluar”.
SPAK vepron, por duhet të ketë një diskutim publik pasi Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës…
“Ne nuk bëjmë kurrë gabimin që kanë bërë paraardhësit tanë që të ndikonin në sistemin e drejtësisë. Për këtë arsye ka ardhur momenti i duhur që të ndahet puna e ndershme dhe e pastër nga abuzimet”.
Keni ndonjë dijeni kush është Nesti Angoni?
“Unë as e di kush është Nesti Angoni, as kam ndonjë interes ta di. Kam parë një uragan akuzash të cilat për të thënë të drejtën më kanë bërë të buzëqesh. Nuk është në interesin tim se kam punë shumë më të rëndësishme për tu marrë sesa të merrem me insinutat dhe me akuzat e medias për sa i përket kësaj çështje”.