Një 40-vjeçar në Fier, i cili është në proces divorci me bashkëshorten është plagosur nga i dashuri i kësaj të fundit pas mosmarrëveshjeve për kujdestarinë e fëmijës. Ngjarja e rëndë kriminale ka ndodhur në sytë e fëmijës, i cili sot ka mamanë në arrati dhe babanë në gjendje të rëndë për jetën. Avokati Ermal Hamataj ka treguar ngjarjen për ‘Report TV’
Advertisements
Një fëmijë vetëm 9-vjeç në Fier ka mbetur pa kujdesin e prindërve. Mamaja e tij u arratis me bashkëjetuesin, ndërsa i ati është në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë për jetën. Babai i fëmijës, Gledian Hoxhallari u plagos mbrëmjen e së dielës (5 janar) në një lokal tek ‘Zogu i Zi’ në Fier, ndërsa në kërkim është shpallur autori i dyshuar, Klement Beqaj dhe mamaja e fëmijës, Melisa Beluli (Hoxhallari).
Advertisements
Ngjarja kriminale
40-vjeçari, Hoxhallari me profesion kameranan, gjendej në lokal me të birin 9-vjeç në pritje për të takuar bashkëshorten (vetem me letra) pasi ata prej 3 muajsh nuk jetonin bashkë dhe ishin në proces divorci. Kjo e fundit u paraqit në lokal bashkë me të dashurin, 25-vjeçarin Klement Beqaj dhe aty kanë debatuar të tre për kujdestarinë e fëmijës. Beqaj ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar Hoxhallarin, duke e lënë të plagosur rëndë. E gjithë skena është zhvilluar në sytë e fëmijës 9-vjeç. Mamaja e tij, 29-vjecarja Melisa Beluli sot ndodhet në kërkim policor për moskallëzim krimi bashkë me autorin e krimit, Klement Beqaj, siç bën të ditur policia e Fierit.
Martesa e dështuar
Përfaqësuesi ligjor i të plagosurit, Gledian Hoxhallari, avokati Ermal Hamataj ka treguar për Report Tv se vetëm një javë më parë, Gjykata e Fierit ka lëshuar urdhër mbrojtje për Melisa Hoxhallarin (Beluli), e cila kishte deklaruar se ndihej e kërcënuar nga bashkëshorti. Në urdhërin e mbrojtjes, Gjykata kishte vendosur që kujdestaria të ushtrohej nga të dy prindërit deri në përfundim të procesit gjyqësor për zgjidhjen e martesës.
Ditën e ngjarjes (5 Janar), Gledian Hoxhallari i ka telefonuar gruas që të shkonte të merrte fëmijën, sipas grafikut të caktuar nga Gjykata, por ajo është paraqitur në lokal bashkë me të dashurin. Të tre kanë debatuar dhe më pas Beqaj ka qëlluar Hoxhallarin me pistoletë, me një plumb në bark.
Ajo çfarë e bën më të rëndë është fakti se ngjarja ka ndodhur në sy të fëmijës 9-vjeç, i cili aktualisht qendron me gjyshërit në gjendje të rënduar psikologjike. ‘Kjo është një papërgjegjshmëri amësore e paprecedentë’,- tha avokati Hamataj – ‘dhe do bëjmë gjithçka që Melisa Hoxhallarit t’i hiqet kujdestaria e të birit’.
Njoftimi i policisë së Fierit
Në vijim të informacionit të datës 05.01.2025, mbi plagosjen me armë zjarri të shtetasit G. H., 40 vjeç, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Zogut të Zi”, sqarojmë se si rezultat i veprimeve hetimore u bë shpallja në kërkim e shtetases M. H., 29 vjeçe (bashkëshortja e 40-vjeçarit, me të cilën është në proces për zgjidhjen e martesës). Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e saj, si dhe të autorit të plagosjes, shtetasit K. B., 26 vjeç.
Më datë 08.01.2024, për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, përkatësisht për shtetasin K. B., për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, ndërsa për shtetasen M. H., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.