S’po punon mirë me pensionet, Rama i përgjigjet komentuesit: Pensionistët e dinë kush e bëri Shqipërinë “lesh e li”, më të mirë se ne s’ka

Kryeministri Edi Rama, në episodin e radhës të rubrikës së tij në “Facebook”, “Sy m’sy”, u shpreh se qeveria socialiste ka bërë për pensionistët më shumë se kushdo tjetër.

Advertisements

Sipas Ramës, e majta realizoi reformën e pensioneve dhe “mundësoi për këdo që ka dalë në pension 10 vitet e fundit, të ketë një pension më të lartë se 10 vite më parë”.

Advertisements

“E mira s’ka fund dhe borxhi i kësaj shoqërie ndaj pensionistëve, qoftë atyre që jetuan diktaturën, qoftë atyre që jetuan rrumpallën pa shtet të viteve të tranzicionit, nuk lahet kurrë.

Por, nëse ka një qeveri që ka bërë dhe mund të bëjë akoma më shumë për pensionistët është vetëm kjo qeveri e Partisë Socialiste.

Ishte kjo qeveri që bëri reformën e pensioneve. Mundësoi që kush ka dalë në pension 10 vitet e fundit, merr një pension konsiderueshëm më të lartë se 10 vite më parë.

Është kjo qeveri që u dha pensionistëve pak javë më parë plot 100 milionë euro si bonus për vitin e ri.

Për herë të parë, do të japë edhe një bonus të dytë në pranverë dhe do të mbajmë dy bonuse, këto janë fakte të kujdesit të vazhdueshëm për pensionistët”, tha Rama.

Rama kritikoi edhe liderin demokrat Sali Berisha dhe kundërshtarët e tjerë.

“Të tjerët, ata që s’kanë dhe s’do kenë asgjë në dorë, që nga një katran i madh te ca katranë të vegjël, pa cipë e pa Nishan, ofrojnë për pensionistët qilima fluturues, si trashëgimtarë të denjë të politikës së Sudes.

Pensionistët nuk e harrojnë kush e bëri Shqipërinë lesh e li, e dinë aritmetikën më mirë se sa Lulat e rinj, e kanë më të qartë se kushdo tjetër që ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne, ky vend as ka pasur, as nuk gjen dot dhe për 10 vite të tjera njëherë, pa diskutim”.