Jorida Tabaku ngre alarmin: Ligji i Investimeve Strategjike favorizon një grup të vogël klientësh

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka vijuar kritikën e saj të hershme ndaj Ligjit të Investimeve Strategjike, duke e cilësuar atë si një shembull të qartë të korrupsionit dhe mungesës së meritokracisë në qeverisjen socialiste. Tabaku kujtoi në fundjavë se ajo e ka kundërshtuar ligjin që në vitin 2015, kur u miratua si një masë e përkohshme, dhe thekson se koha i ka dhënë të drejtë. “Ligji i Investimeve Strategjike është shembulli më i mirë se si një ligj i përkohshëm kthehet në të përhershëm.

Advertisements

Është rasti i vetëm. Fakt është për rekord Guinness”, shprehet Tabaku, duke denoncuar shtyrjen e përsëritur të ligjit, tashmë plot tetë herë, pa konsultime dhe pa debat parlamentar në rrjetet sociale. Tabaku veçoi se ligji ka favorizuar një grup të vogël klientësh të afërt me qeverinë, duke dhënë 80% të investimeve strategjike në sektorin e turizmit dhe duke lënë pas dore sektorë të tjerë si energjia elektrike. Ajo theksoi se nga 4% e investimeve direkte të huaja që kishte energjia, sot mbetet vetëm 1%.

Advertisements

“Ky ligj ka shkatërruar tregun dhe sistemin ekonomik, duke dhënë asete publike pa garë dhe duke krijuar një pabarazi të jashtëzakonshme në ekonomi, ” nënvizoi deputetja, duke paralajmëruar për efektet shkatërruese në konkurrencë dhe drejtësi. Tabaku theksoi se Ligji i Investimeve Strategjike është kthyer në një mjet për zapton pronat publike, duke dhënë 6.5 milionë metra katrorë me një euro për klientët e qeverisë. Ndërkohë, shtresa e mesme dhe grupet e tjera shoqërore përballen me taksa të larta dhe lëmosha të pamjaftueshme. Në fund, ajo bëri thirrje për ndryshim të sistemit ekonomik dhe ndalimin e këtij ligji, duke propozuar një kuadër të ri për tërheqjen e investimeve sipas standardeve evropiane. ” Shqipëria ka nevojë për meritokraci, për garë dhe për një sistem që mbështet bizneset e ndershme”, përfundoi Tabaku.