“Të votojnë emigrantët me ID ose pasaporta të huaja”- Zgjedhjet e 11 Majit/ Propozimet e PD për ndryshimet në Kod! Si do të zgjidhet vlefshmëria e kartave të skaduara

Demokratët dhe socialistët u dakordësuan dy ditë më parë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor në prani të kreut të Komisionit Zgjedhor Ilirjan Celibashi.

Advertisements

Damian Gjiknuri në emër të Ramës dhe Oerd Bylykbashi në emër të Berishës, i dhanë dritën jeshile tre ndërhyrjeve në Kodin Zgjedhor dhe një rregullimi që do ta bëjë qeveria. Pakti kënaq të dyja palët, duke plotësuar kërkesa e shqetësime të tyre si dhe ndihmon KQZ-në, të përshpejtojë punën me votën e diasporës.

Advertisements

Në emër të procesit, propozimet ligjore u dërguan në Kuvend nga Komisioneri Celibashi, për 3 çështje. Pjesa e tretë e marrëveshjes, plotëson një kërkesë të opozitës, që është numërimi i votave nga diaspora po nga komisionerë politikë, kur ligji aktual lejonte numërimin e tyre nga KQZ.

Vlefshmëria e kartave të skaduara ID pritet të zgjidhet nga qeveria me akt normativ, pasi nuk realizohet me Kod Zgjedhor. KQZ raporton se mijëra votues nga jashtë janë refuzuar, edhe pse kanë aplikuar disa herë, pasi nuk kanë provuar si duhet adresën e qëndrimit. Ky është gabimi më i shpeshtë i bërë nga zgjedhësit në Itali, që fotografojnë faqen e parë të dokumentit identifikues italian, dhe jo faqen e dytë, që përmban edhe adresën.

NDRYSHIMET

Pasi kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi njoftoi dakordësinë me PD e PS për të ndryshuar Kodin Zgjedhor në 3 pika që lidhen me votën e diasporës, demokratët kanë bërë disa propozime shtesë. PD kërkon një ndryshim të vlefshëm vetëm për zgjedhjet e 11 majit, përmes një dispozite tranzitore, që lidhet me mundësinë e emigrantëve, për të votuar edhe me ID ose pasaporta të huaja. Por jo vetëm kaq. Zgjatja e afatit të përdorimit të ID-ve të skaduara, PD kërkon të caktohet në Kod dhe jo me akt normativ të qeverisë, sikurse një ditë më parë kërkoi kreu i KQZ Ilirjan Celibashi.

“Dispozitë tranzitore.” 1. Vetëm për zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2025, dokumente të vlefshme identifikimi, me qëllim mundësimin për të votuar, zgjedhësve brenda dhe jashtë vendit, do të konsiderohen: a) Pasaportë ose letërnjoftim/ kartë identiteti biometrik, brenda afatit të vlefshmërisë, të lëshuar nga Republika e Shqipërisë, b) Pasaportë ose letërnjoftim/ kartë identiteti biometrik, pavarësisht afatit të vlefshmërisë, të lëshuar nga Republika e Shqipërisë, c) Pasaportë ose letërnjoftim/ kartë identiteti biometrik, brenda afatit të vlefshmërisë të lëshuar nga vendet e Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe çdo vend tjetër”, -thuhet në propozimin e depozituar zyrtarisht në Kuvend këtë të martë dhe i firmosur nga 11 deputetë të PD, mes të cilëve edhe vetë Sali Berisha.

PD evidenton në relacionin shoqërues se janë rreth 600 mijë qytetarë me një ID të skaduar.

“Raporti paraprak NAM (Needs Assessment Mission) i OSBE-ODIHR, për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025, (raport që mban datat 3 dhe 6 dhjetor 2024), evidenton rreth 600.000 mijë zgjedhës me letërnjoftime të skaduara, e dhënë kjo e konfirmuar publikisht edhe nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Ky shqetësim përfshin shtetasit shqiptarë me banim brenda dhe jashtë vendit, të cilët mund ta kenë më të vështirë sesa shtetasit brenda vendit për të rinovuar dokumentet e identifikimit, dhe rrjedhimisht e gjithë kjo kategori zgjedhësish rrezikon seriozisht të mos jenë në gjendje të votojnë në 11 maj 2025, nëse nuk amendohet Kodi Zgjedhor”,– thuhet në relacion.

Sa i takon propozimit për të votuar me pasaporta të huaj, PD sqaron se ka të bëjë me ata zgjedhës që janë larguar nga Shqipëria para fillimit të pajisjes me dokumente biometrike, duke nisur nga janari i 2009, apo që kanë lindur jashtë territorit të Republikës, por që kanë fituar të drejtën e votës. Ndërkohë që procesi i aplikimit të diasporës në KQZ për pjesëmarrje në votimet parlamentare të 11 majit 2025 po vijon me ritme të shpjeta duke shkuar në 50 mijë aplikime numri i emigrantëve, në vetëm 10 ditët e para të procesit.