Mungesa e prodhimit vendas dhe zhvillimi i turizmit, është duke nxitur rritjen e shpejtë te importeve, sidomos në disa grupe ushqimesh ku sasitë u rriten me mbi 30 për qind në vitin 2024.
Advertisements
Ri-zgjimi i kanaleve të importit po e bën edhe më të vështire konkurrencën e prodhimit vendas dhe po ul vlerën e mbetur në vend nga prurjet e turizmit.
Advertisements
Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT në vitin 2024, importet e kafshëve të gjalla shënuan rritje me 35.5 për qind, në sasi.
Rreth 32 mijë tonë kafshë të gjalla, u importuan nga rajoni dhe më gjerë nga 22 mijë tonë në vitin 2023.
Rritja e importeve të kafshëve po vjen për dy arsye kryesore.
E para, si rrjedhojë e rënies së numrit të bagëtive, nga plakja e popullsisë dhe pakësimi i popullsisë në fshat. Numri i bagëtive në vendin tonë është përgjysmuar në dekadën e fundit.
Së dyti, konsumi i mishit ka pësuar rritjen prej zhvillimit të turizmit. Kuzhina shqiptare ka në themel të saj mishin dhe bulmetin.
Në njërën anë numri i vizitoreve dhe njësive të agro-turizmit po rritet, e nga ana tjetër numri i bagëtive në vend po pëson rënie duke bërë që hendeku të plotësohet në import.
Përveç kafshëve edhe importet e në sasi zarzavatet pësuan rritje me 29 për qind vitin e kaluar. Gjatë 2024, u importuan 61 mijë tonë zarzavate nga 47 mijë tonë më 2023.
Pavarësisht se prodhimi në sera po rritet vit pas viti, ai është destinuar për eksport, teksa falimenti i ngastrave të vogla i ka kthyer në konsumatorë fermerët e vegjël edhe në fshatra.
Gjithashtu, sektori i turizmit ka rritur kërkesën për zarzavate duke nxitur rritjen e importeve.
Në total importet e ushqimeve në sasi janë rritur me 15 për qind vitin e kaluar. Rritja me shpejtësi e vizitorëve të huaj në vendin tonë, është një mundësi e artë për të nxitur më tej ekonominë dhe mirëqenien në vend.
Përvojat e vendeve të tjera mesdhetare na tregojnë se, nga turistët nuk përfitojnë vetëm hotelet dhe restorantet, por të shumë sektorë të tjerë që lidhen me prodhimin dhe sidomos bujqësia dhe i gjithë zinxhiri i furnizimit që i nevojitet turizmit. Kjo lidhje e bën turizmin gjithëpërfshirës dhe zgjeron përfitimet tek më shumë njerëz. Apo ecën në këtë trajektore Shqipëria.
Të dhënat tregojnë një prirje të kundërt. Teksa numri i turistëve është duke u rritur në rekorde, sektori i prodhimit, bujqësia, industria dhe eksportet në përgjithësi po bien me shpejtësi. Bujqësia, sektori kryesor i ekonomisë shqiptare që kontribuon me shumë se 18% të PBB -së shënoi rënie me 2.5% në tremujorin e tretë 2024. Kjo ishte rënia më e fortë që nga tremujori i katërt i vitit 2022 kur prodhimi u dëmtua nga ngrica.
Mungesa e lidhjes së turizmit me sektorët e tjerë, po bën që një pjesë e madhe e fitimeve që vijnë turizmi të dalin jashtë për importin e mallrave që na duhen për turistët. Gjatë vitit artikujt lidheshin me furnizimet e hoteleve pësuan rritje në sasi deri në 50%, duke ndikuar negativisht deficitin tregtar./ Monitor