Vrau 23-vjeçarin shqiptar Klajdi Bitri me shtizë peshkimi, dënohet me burg algjeriani! Ja sa vite do të qëndrojë pas hekurave

Fatah Melloul, i cili vrau me shtizë peshkimi 23-vjeçarin shqiptar Klajdi Bitri është dënuar nga Gjykata e Assize e Ankonës me 18 vjet burg.

Advertisements

Prokurori Marco Pucilli kishte kërkuar 24 vjet burg, por togat e zeza e dënuan me 18 vite qëndrim pas hekurave 28-vjeçarin Fatah Melloul, i akuzuar për vrasje të rëndë me dashje.

Advertisements

Gjithashtu do të duhet që t’i paguajë edhe një shumë prej 40 mijë eurosh prindërve të viktimës.

Krimi ndodhi më 27 gusht 2023, në via Cilea, në Sirolo. Sherri nisi për bllokimin e trafikut pranë një rrethrrotullimi, sipas mediave italiane, ku të përfshirë ishin edhe miq e të afëm të viktimës (në dy makina të ndryshme ndodheshin punëdhënësi i 23-vjeçarit, gruaja, vëllai i tij).

Pas debatit, 28-vjeçari është kthyer në makinë e tij për të marrë shtizën e peshkimit dhe goditi Klajdi Britrin në gjoks.

I riu shqiptar ndërroi jetë pak minuta më vonë. Algjeriani (i cili ishte me të dashurën e tij atë ditë) u largua nga vendngjarja me makinë.

Ai u arrestua në Falconara disa orë pas krimit, duke u kthyer nga peshkimi. I akuzuari gjithmonë ka pohuar se nuk e kishte kuptuar se e kishte vrarë.

Krimi ndodhi në sy të vëllait të viktimës, i cili në atë kohë deklaroi: “Unë dua drejtësi. E pashë vëllain të vdiste para meje, të vrarë me indiferencë totale, pa e kuptuar as pse. Pa pasur kohë për të kuptuar se ai po vdiste. E pashë të zbehej gjithnjë e më shumë, krejt papritur, dhe nuk më përgjigjej më sepse kishte vdekur. Ai nuk ishte vetëm vëllai im, ai ishte edhe babai im. Ai ka punuar gjithmonë dhe vetëm për të më çuar në Itali, për një jetë më dinjitoze.”