Trafiku në kolaps/ Vendosen fasha orare për qarkullimin e automjeteve, ja akset që preken nga kufizimi

Prej ditësh, trafiku rrugor në Durrës ka arritur nivele kritike, veçanërisht gjatë orëve të pikut në mëngjes dhe pasdite. Për të disiplinuar qarkullimin, Policia Bashkiake ka vendosur kufizime të reja orare për automjetet e tonazhit të rëndë dhe të vogël në rrugët kryesore të qytetit.

Advertisements

Nga 15 janari deri më 15 maj 2025, në rrugët kryesore të qytetit të Durrësit do të ketë ndalim qarkullimi të mjeteve ATP (automjetet të transportit të përzier) në fashën orare 07.00-09.00 dhe 16.00-18.00, nga e hëna në të premte. Ndërkohë do të ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë mbi 6.5 ton, të cilët do të përshkojnë një itinerar të përcaktuar më parë nga bashkia”, u shpreh Ervis Quku, shefi i sektorit të qarkullimit në Policinë Bashkiake.

Advertisements

Urdhri i dalë nga Policia Bashkiake Durrës synon të normalizojë trafikun e rënduar në rrugët e Durrësit në oraret e pikut. Në të gjitha akset kryesore hyrëse dhe dalëse në qytet është vendosur tashmë sinjalistika përkatëse për të paralajmëruar drejtuesit e këtyre mjeteve

Akset e Durrësit që preken nga kufizimi i qarkullimit:

Rruga “Adria”, “Stefan Kaçulini”, “Glaukia”, “Hysen Kërtusha”, “Aleksandër Goga” (nga Drejtoria e Policisë deri tek Prefektura), rruga “Dëshmorëve”, bulevardi “Epidamn”, “Egnatia”, “Taulantia”, “Currilave”, “Mars 91”, si dhe të gjitha segmentet rrugore në brendësi të unazës së përcaktuar sipas hartës.

“Policia Bashkiake i kërkon të gjitha subjekteve tregtare që të kryejnë veprimtarinë e tyre furnizuese sipas orarit përkatës dhe sinjalistikës së vendosur dhe njëkohësisht kërkon mirëkuptimin e tyre për këtë urdhër administrativ që synon normalizimin e trafikut”, deklaroi Quku.

Nga kjo masë ndalim qarkullimi në fashat orare të mëngjesit dhe pasdites bëjnë përjashtim të gjitha mjetet e policisë, urgjencës, zjarrfikësve, Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Durrës, Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Plazh, Agjencisë së Parqeve Urbane, Ndërmarrjes Rruga dhe mjetet e transportit publik.